Çmitizimi i krijesës së parë dhe të vetme të 1 Prillit!

Nga Elis Buba

 

 

Më mirë kur e di se po të gënjejnë sesa kur të thonë një të vërtetë që është gënjeshtër e fshehur.

Mund të thuhet se duhet të shkopsisim në lakuriqësi nja dy fjalë. Ka ardhur dita e rrenës. Për fat, nuk e kam fjalën për rrebeshin e tërbuar të gënjeshtrave të vetëm një dite. Është dita e gënjeshtrës. Për aq kohë sa fytyra e butë e qiellit do të sjellë mëngjeseve tona një dritë që ne e quajmë “sot”, ajo sot mbetet në gjendjen e saj natyrale, një ditë rrenash.

Gënjeshtër e madhe është shumëçka rreth nesh. Një trill për të na zënë ftohtë sytë dhe gojën, që të mos krijojmë shqetësime për shqisat shikuese e dëgjuese, të atyre që ç’do vakt na bëjnë të gjithëve budallenj e lolo.

1 prill 2014. Flasim me gjuhën e fakteve.

Mëngjesi blackout. Në shtëpi mungon energjia elektrike, ndaj rrjedhimisht abstinencë uji, pra higjene, sepse kemi vite që nuk pijmë ujë rubineti. Kontaktoj me dikë nga KESH-i. Ish-përgjegjës për zonën tonë (lagjja 9, ish-21 Dhjetori, tashmë sheshi “Mustafa Kemal Ataturk”). Për hir të dy pareve muhabet, më jep një numër kontakti të njërit prej përgjegjësve aktualë. Pas një prezantimi pa shumë salltanet, gati harbut dhe thellësisht joprofesional, personi në fjalë këmbëngul se na paskësh lajmëruar që mbrëmë, pasi ka porositur pronarin e supermarketit poshtë apartamentit tonë, që të shpërndante lajmin. Me kaq ai e quante detyrën të kryer dhe me një zë si të marrë borxh, gjysmë në favorin tim e gjysmë në të tijin, u hoq si Uriahip nga përgjegjësia. Më vinte t’i uroja që idiotësia prej miu e asaj që po më thoshte dhe logjika gjysmake që e prodhoi këtë idiotësi të prapë, t’ia shkrinin trurin dhe t’ia derdhnin vetiu nga hundët në një pellg të amullt shkume gri në të gjelbër. Në ç’shoqëri kemi rënë?! Flasim të njëjtën shqipe, por nuk kemi qëllim të ndjerë mirëkuptimin! Sinqerisht, në fund prisja të më thoshte: Gëzuar 1 Prillin!

Rreth orës 11 të paradites, kisha takim me një drejtues mjaft të njohur në një media të shkruar. Prisja vëngërosh e me padurim, që t’i tregoja këtë gjysmëngjarje që më kishte nervozuar shumë. Megjithatë, personi i parë me të cilin u poqëm në vendtakim, nuk qe ai që prisja, por dikush pranë tij. Ky më marrosi me disa turbullira nga privatësia e tij, për nja 15 minuta, më pas vendosi të shkonte personalisht për ta zgjuar mikun tonë të përbashkët, duke qenë se ai banonte fare pranë, duke qenë se ka punuar deri vonë mbrëmë, ka shumë mundësi të jetë ende në gjumë (nuk përmend emra. Drejtësia e “gjyqet” nuk gjenden nëpër fletë gazetash. Faktet dhe parimet nga ana tjetër, duhet…). M’u desh të prisja më shumë se një orë vetëm, në kafenë, duke turfulluar nga pak, duke gëlltitur kafenë, sikletin, zorin dhe nervozizmin. U gjenda përsëri në shoqëri të personit të mëparshëm. Çmenduri! Si të shpëtoj nga ai djall që na vendos pranë me disa krimba?! Më thotë se duhet të lëvizim për në zonën e ish-Bllokut, nëse donim të takonim personin me të cilin unë prisja të takoheshim aty ku ndodheshim e askund tjetër.

Sërish në kafene, me ngushëllimin e dyshimtë të të gjitha përpjekjeve të mia për të fshehur nervozizmin. Kafeja e dytë e ditës, duke pritur Godonë. Dihet, Godotë e shpërfillin pritjen e të tjerëve dhe nuk shfaqen fare. Na faneps teatri absurd, letërsia absurde, por kundërshtarët e absurdit duket të jenë më të vëmendshëm e të shohin mirë përqark tyre. Shtëpia e absurdit është realizmi. U largova pa kurrfarë preteksti, pasi e vura re se edhe shoqëruesi im po telefononte sa lart e poshtë, që të rrëshqiste. Përse të mos i paraprija?

Rishtas shpresoja tek ndonjë urim në lidhje me ditën e rrenave…

U largova dhe shija që më la gjysma e parë e kësaj dite, më rikthehu, në njëfarë mënyre, me këmbë në tokë. Në tokën e atyre që na shkelin me këmbë sytë e ballit. Rrëmbyer nga rryma e dallgës perçeshkumë të rrenacakëve, gënjeshtarëve, mashtruesve. Në detin e llapaqenëve e të llafeqepësve. Jam më pak se një foshnjë, në këtë det angullitës. Përmbi kokën time të zbuluar nga dashamirësit, del tym, teksa rëndoja hapin e ikjes, që të kuptohej edhe për së jashtmi se si ndihesha. Përcillja me sy kalimtarët dhe kujdesesha që të shmangia ndonjë të njohur të mundshëm. Në një rrëmujë të tillë shqetësuese nuk dua të kem njeri përpara. Këmbësorë në një varavingo të këtillë, hi e pluhur, me nga një mashtrim kataklizmik brenda vetes. Me nga një sekret që ndalon rrezikun me të cilin na kanos koha dhe karakterizon mënyrën skuthçe të mirësjelljes sonë. Ndoshta ata i drejtohen qendrës së tyre të punës, ku jo rrallë bëjnë sikur punojnë (Gënjejnë) e jo rrallë punëdhënësit bëjnë sikur i paguajnë e vlerësojnë (I gënjejnë). Ndoshta dikush tjetër çapitet për të takuar një mik apo mikeshë, duke shpënë në mendje ndonjë gomarllëk anekdotik, për të justifikuar vonesën dhe jokorrektësinë. Pashë një fatzi, të tillë, që nxiton si në shtrëngatë për tek dashnorja ndoshta. Duke thurur si një krimb mëndafshi në hall, një çaraf të madh fjalësh boshe, që mbajnë me gjak të ngrohtë, një marrëdhënie të vdekur, siç është ajo për arsye të rëndomta epshi. Sa do të doja të flisja e shkruaja i qetë. E bekoftë Perëndia të pashqetësuarin nga disa fjalë goje pa vlerë. Por kur plehrat dhe mbetjet urbane kanë zënë mish e kanë vënë syze për t’u çliruar ndopak nga miopia, janë kollarisur e kapardisur, kanë fshehur krimet e tyre dhe janë gati të të dalin përpara të hekurosur e pështirësisht të parfumosur, atëherë asnjë ndihmë nuk na sjell shpëtim. Jemi minimalisht të rrejtur. Ndoshta më pak se etërit tanë, por po në të njëjtën gjendje mendore. Të kapur gafil, me një mendim shpresëndjellës, për t’u arratisur sa më parë. Do të më dukej sikur do të fitoja sytë pas verbisë, sikur të hiqja qafe lodhjen që më shkaktojnë këta të mallkuar hidhnakë, këto miza rrugaçe, dredharakë, paçavure e zezë në zgrip të mosmarrëveshjes dhe konfliktit. Thyes të të gjitha normave që nuk i shndërrojnë dot në mjete. Përdhosës të imazhit të tyre të përçartur. Mjerë ne! U mësuam të ngopemi me gjellë të pavërteta, të cilat historikisht na i kanë servirur, bashkë me frikën në bark, e përqeshjet që varen ende si pështymë e ndotur në shtigje të faqeve tona.

 

1 Prilli si trashëgimi historike!

Për 5 shekuj na mohuan petkun, emrin, gjuhën, llojin, racën, nderin. Na thanë se shumë djaj e kanë zënë dheun tonë të gjorë, ndaj populli duhet të rrijë urtë, se përndryshe djajtë i çajnë barkun për të dalë nga trupi e për të prishur këta “500 vjet vëllazërim”. Më pas, një Nëntor të shtrenjtë, në 1912, u bëmë me flamur kombëtar, me një shtet të pavarur. Por të mësuar me gënjeshtra të stërgjata, u shfaqëm skeptikë ndaj vendosëm të vazhdonim vetgënjimin me dumbabizëm. I besuam rrenës së përturpët të Konferencës së Londrës, e cila në 13 korrik 1913 guxoi, që me Traktatin e Londrës t’u thotë shqiptarëve në jug të Shqipërisë grekë e tokës së tyre Greqi, shqiptarëve të veriut serbë e tokës së tyre Serbi. Shqiptarëve të mbetur u tha turq, sepse u mbetej feja me nam (Nëse armët na i gjen ende në dorë, mos na e merr për ters Angli e dashur. Nuk jemi mësuar të vënë të tjerët drejtësi për ne). Më pas na thanë se një princ do të qe zgjidhja e vetme për Shqipërinë, por nuk qe 1 prill atë kohë. Siç nuk qe në këtë datë Traktati i Londrës. Princ Vidi erdhi në Shqipëri në 7 mars 1914. Më pas një president u tha shqiptarëve se ishte shndërruar në mbret. Nuk qe 1 Prill as ajo ditë, qe 1 Shtator 1928. Gjatë kohës të tij në Monpelje të Francës, Bonaparti ynë i vogël, perandori me yll në ballë, doemos do të ketë hartuar burrërisht përralla e gënjeshtra për 1 prillin e tij të gjatë 50 vjet. Që prej 8 nëntorit 1941, me formimin e PKSH-së si bishtuk i PKJ-së, deri në 11 prill 1985, kur zbatoi urdhrin e pashmangshëm të të Madhit, populli do t’ia ngrinte shpirtin deri në qiell për gjithë ato përralla e rrena që kishte qejf t’i shpaloste nëpër parulla e dhjetëra “Vepra” të shkruara. Do thurni këngë për “komandantin e LANÇ-it”, do hidhni valle, sepse Reforma Agrare e 1945-ës, do ju bëj me tokë. Do mposhtim armiqtë nga deti, toka e ajri, do jemi të sigurtë në këta 700 mijë bunkerë që do ndërtoj për ju me kusuret që sajohen nga kursimet e tollonave e triskave tuaja. Do t’u bëjmë të fala nga kangjellat e Spaçit e Bënçës të gjithë atyre që do t’u shpëtojnë plumbave taksur për tradhtarët. Andej nga vitet ‘50, begatia do t’ju vijë nga kooperativat bujqësore, për këtë të jeni të bindur…

Në 1990, një shpirtgjerë nga radhët e të dyshimtëve na tha të shpejtonim e të përgatiteshim, sepse në Shqipëri do të zbatohej pluralizmi dhe demokracia e vërtetë. Ashtu siç nuk e kishim parë asnjëherë më parë në Republikën më demokratike në botë, që më parë na ngjeshnin veshëve përditë, për 5 dekada me radhë. Fillimisht, gjatë njërit prej 1 prillëve të shumtë, na u tha se do të vilnim lulet e zhvillimit, prej blloqeve të fajdexhinjve të qytetit. Më pas, në fillim të vitit 1997, pranë 1 prillit ndoshta, na u tha se paratë e humbura të kreditorëve, do rikthehen një për një. Kur nuk u rikthyen këto të holla, askush nuk e humbi fytyrën, qoftë edhe nga turpi, aq më pak kush bëri këtë goxha premtim.

Vlen për t’u përmendur çudia se këtij mileti kurrë nuk i kanë munguar yllkat, fatosat dhe pionierët me faqet për shuplakë, kokëshkretë sa s’ka më. Sot kuptojmë më parë budallenjtë se të mençurit. Na udhëheqin një çift babaxhanësh zemërbardhë e fisnikë, që popullit i kanë bërë aq shumë dhurata moraliste, prej pozicionit të tyre duarkryq, sa tashmë u takon të dyve t’i thonë atyre që u morën votën: “Gëzuar 1 Prillin!”

U shporr njëherë e mirë besimi dhe dëshira për iniciativë, kur askush këtij populli nuk ia shpërblen mundimin, por i qeshin pas shpine, së andejmi nga ku ia zhysin thikën përtej palcës ato qindra fytyra që përcjellin njëri-tjetrin, duke mbushur thasët me të holla e pallavra dhe kolltukët me të ndenjura e gënjeshtra.

1 prilli i shtënë në brumin aktual!

Le të rikthehemi në ditët që na prandisin trupin. E sotmja. Kur një qytetar i thjeshtë nuk guxon të blejë një apartament, pasi nuk kalon shumë kohë dhe apartamenti rezulton me më shumë se një pronar. Ai nuk guxon të nisë qoftë edhe një miqësi të re, pa iu druajtur hapjes patetike të thesit plotë me mufka, që të detyron të përtypësh e nënqeshësh në mënyrën më pak ofenduese të mundshme. Ai nuk guxon dot të kërkojë një vend pune për të qenë, pa iu druajtur sekserëve që shfaqen bashkë me lëpirjen e këmbëve me nderim. Për vetëm pak lëmoshë që e lypin në këmbim të gënjeshtrave, jashtë radhe, në lidhje me favorizimet që mund t’i bësh të tuat me anë të blerjes.

Si nuk doli sot njeri, nga ata që janë zhdëpur duke na gënjyer, të thotë: “Gëzuar 1 Prillin!” Popull, ju kemi gënjyer, jo për tjetër arsye, por meqë është edhe dita. E lamë me fjalë të gjithë ne, që ju shkelim, ju shpalosim me një psherëtimë, ju pijmë limfën e të drejtës, jua neverisim e bajatim gjithnjë e më shumë ditën, që të dalim publikisht e të pranojmë se ju kemi bërë një rrengë, me rastin e ditës së parë të Prillit, me rastin e ditës së gënjeshtarëve, ditës sonë. Ditës së politikanëve. Edhe pse nuk janë ata të vetmit të cilët në njëfarë mënyre janë të detyruar të gënjejnë. Një sërë profesionesh dhe pozitash, shpitqenësh, që po kuturisin një dallgë horrash veshur tebdil, nga njëri turp në tjetrin, janë të detyruar të gënjejnë e të bien viktima të gënjeshtrave të tyre, viktima të lavdidashjes së tyre, viktima të pjellave të tyre të këqija. Ata që mund të ishin melhem për Plakën tonë të përbashkët, janë bërë barishtja më e keqe, mikrobi i pazbuluar. Pra le ta gëzojnë ditën e tyre, pasi sot është dita e deputetëve, dita e pronarëve, dita e drejtorëve, dita e shefave, dita e doktorëve, dita e gazetarëve të shitur, dita e tregtarëve matrapazë, dita e pijanecëve, dita e kryetarëve, dita e hajdutëve, dita e policëve, dita e përversëve, dita e adoleshentëve mbi të 30-at, dita e mëkatarëve dhe gjynahqarëve, dita e investitorëve, dita e gjykatësve, avokatëve, noterëve, dita e sekserëve, dita e xhepistave, dita e përtacëve, dita e të pazotëve të pashmangshëm, dita ime dhe jotja. S’qenkemi yshtur kundër etheve të gënjeshtrës. E bërë modë e arsye për mburrje. A ka ilaç, antidote, serum?! A ka sanatorium që të na përthajë nga mushkëritë lagështirën e krupër, që gjenerojnë fjalët e pavërteta, padurueshmëria për t’i thënë ato dhe ngërçi inatçor, që na çon vetullat skiç, sa herë nuk na e besojnë rrenën ose i bien hilesë së saj?!

Marrim në analizë këtë qytet.

Nga qendra e tij, ku përfshihet mes të tjerash, Pallati i Kulturës, i cili mund të interpretohet edhe si një gënjeshtër e madhe, brenda një strukture të shëmtuar e të paplotë. Dhjetëra breza artistësh përcjell Akademia e Arteve, sa i takon zhanrit skenik dhe si përfundim, në TKOB kemi vetëm një shfaqje në tre muaj. Ku për më tepër, së fundmi, shkëlqen një emër i përvuajtur deri në delir, për hir të dashurisë së saj për artin. Por që nuk pati asnjë gjysmë mundësie në vend. Kultura baras gënjeshtër?

Tjetër ç’kemi? Muzeu Historik Kombëtar (Lavdi Zotit e kemi!). Hera e fundit gjatë të cilës e vizitova, qe rasti i 100-vjetorit të Pavarësisë, në 2012-ën. Ende gjeta pavijone të tëra me rrenat sfilitëse të PPSH-së. Heronj fiktivë, vrasës e dhunues të vetëdijes kombëtare. Në dhjetëra vjet të glorifikuar e kurorëzuar me dafina nga një popull i përgjumur e i përgjunjur. Historia e barabartë me një gënjeshtër, politikë, propagandë despotike?! Ndoshta kinse për të ftilluar a kyçur gojët e liga!

Kthehem 180 gradë, kërkoj të gjej me sy Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, të cilin një ushtri me gënjeshtarë gogozhelë na e shfaqin sa grek, po aq edhe maqedonas, sa malazez, hungarez e serb, po aq edhe turk. Dikush e pranafron mysliman, dikush si kalorës të Krishtërimit. Edhe ai vetë u detyrua të rikonvertohej në të krishterë (rrënja e vërtetuar teologjike e përkatësisë mbarëshqiptare, që në kohën e Gjon Pagëzorit). Pasi për qindra vjet, një pjesë të mirë të shqiptarëve i gënjyen duke i konvertuar e duke u thënë se janë myslimanë me rrënjë e me degë tashmë. Të parët tanë të ngratët, ca nga frika e osmanëve, ca nga flladi i lehtë pranveror, që fryn nga vrima e njërit vesh, për në vrimën e veshit tjetër, pa hasur asnjë pengesë, besuan të pabesueshmen. Duke u mohuar, në atë që gjithsesi nuk u bënte shumë përshtypje, tek feja. Fort herët, Et’hem Beu i dha emrin xhamisë në qendër të qytetit. Ndër të paktët objekte kulti që i mbijetuan shovinizmit mashtrues e përçudnues të Partisë së Punës. (Teserën e të cilës e mbanin ata që punonin më pak, por që llapnin, shpifnin e gënjenin më shumë).

Më tej rrugët që thonë se i kanë shtruar e sheshuar, të përcjellin përball godinës së Bashkisë dhe godinave të disa prej ministrive, ku thuhet se punojnë për të gjithë ne. Më pas ja Kryesia e Kuvendit, ku përpilohen, artikulohen dhe kopsiten juridikisht veç të tjerash edhe gënjeshtra skandaloze, si ato të Komitetit Qendror, që gjendej dikur aty. Pas shpine, zonja e një centauri, Kryeministria. Më kullufit të gjithë hapat një kryezbrazëti e hazdisur. Më shikon vëngër zonja, duke më zënë pamjen për nga Piramida ose qendra kombëtare e “antikulturës”. Gënjyen se do ta shembnin, ndërkaq dikush i rrëmbeu mermerin e shtrenjtë, për ta lënë si bagëti e rrjepur, në mes të Tiranës. Ndanë hotel “Dajtit” dhe hijes së rëndë të konfliktit të mashtrimeve, ndërmjet disa “pronarëve” që disponojnë dokumente të vulosura, të cilët vërtetojnë, gjithsecili në mënyrën e vetë, pronësinë e këtij hoteli.

Mos ma kujto, siç shkruan Agolli, kur do të gënjejë veten. Mos ma kujto sheshin “Nënë Tereza”, Korpusin, Akademinë e Arteve, Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Qendrën e Studimeve Albanologjike, Pallatin e Brigadave, Pallatin e Kongreseve, që është riquajtur Pallati i Koncerteve, Liqenin Artificial, digën e kolektorit të famshëm, Kopshtin Zoologjik, atë Botanik, pallatet më mbrapa, zhurmën, stresin, tragjizmën. Gjithsecili nga këto “ornamente” qytetëse nuk iu shmang dot instrumentalizimit, që hera-herës shërbeu për të institucionalizuar e ngurtësuar në letra e vepra aq shumë gënjeshtra, sapo t’i vësh një mbi një, shkojnë deri në diell.

Të varfrin njeri, duke ikur me vrap prej lakut, nuk e tremb më figura e autoritetit të lartë. I bindemi një zagari pushtet, në këtë qytet shkurajues, me të cilin kemi ndërruar rolet, tashmë po më vjen ai vërdallë, duke mi marrë mendtë. Përqark i rashë këtij të gënjeshtërtit qytet. Sepse një qytet i vërtetë nuk është kështu. Ai minimalisht ka vend për të gjithë ata që i banojnë brenda. Ndërsa ky yni thonë se ka e rishtas gënjejnë. Në fakt nuk është tjetër gjë veç një kotec urban. I padepërtueshëm, i pamëshirshëm, revoltues, neveritës e (zh)gënjyes.

Shihja dheun që kishte veshur këpucët e mia, që tashmë zienin. Isha në poltronë të shtëpisë, ende blackout. Nga rrobat shkunda atë pluhur e dhe’ që nuk kishte mundur të më depërtonte në mushkëri.

Mendova ndër vete – “Ky është pluhuri e dheu ynë”.

 

 

 

Share it :