Në Vlorë/ Presioni i bazës së PS-së për punësimin, Rama: S’ka punë për tarafin e fisin

Gëzim Saliu

 

Prezantimi i prefektes së re, Rama: Mbajmë premtimet, koha për ta hapur PS-në tërësisht

 “Fatkeqësi për kushërinjtë e mi që unë jam Kryeministër, jo nepotizmit dhe klaneve”

rama duke fol ne vloreNisur nga rritja e presionit të bazës socialiste si edhe militantëve të shumtë të cilët janë thuajse çdo ditë të pranishëm në selinë e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama deklaroi dje se nuk do të ketë emërime duke u mbështetur mbi nepotizmin. Edhe pse nuk kanë munguar deri më tani akuzat për shkarkime masive nga administrata të ekspertëve, gjë për të cilën Brukseli ka shprehur shqetësimin e saj, kreu i qeverisë bëri të ditur nga qyteti i Vlorës se zhvillimi i Shqipërisë duhet të bazohet tek instrumentet që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.“Ne socialistët e bashkuar nuk mund të vazhdojmë në traditën e shëmtuar të rrënimit dhe gërryerjes së shtetit për interesat e një pushteti të përqendruar vetëm tek një klientelë e ngushtë partiake, nepotike apo klanore. Nëse duam që Shqipëria të jetë një vend normal dhe nëse nuk duam që në Shqipëri të vazhdojë cikli i shkarkim-ngarkimeve vetëm për interesa të ngushta që fatkeqësisht kontrollohen nga një grup njerëzish”, – tha ai. Në këtë kontekst, Rama pohoi se nuk mund të kërkohet durim nga qytetarët nëse më parë punësohen kushërinjtë dhe familjarët. “Pse u dashka të durojnë të tjerët dhe nuk durojnë dot kushërinjtë? Unë kam shumë kushërinj shumë të mirë në Vlorë, të cilët meritojnë shumë, por fatkeqësia e tyre që jam unë Kryeministër. Duhet t’i japim fund një ndasie primitive, ndasie të vjetër e primitive të atyre që me pushtetin nuk dinë të bëjnë asnjë gjë tjetër veçse të rregullojnë në punë tarafin e tyre, fisin e tyre dhe pjesa tjetër të mbetet e aneksuar. Ne na ka votuar populli. Populli është shumë i madh dhe meriton shumë më tepër”.

 

Ceremonia

Në prezantimin e prefektes së re së Vlorës, Etjona Hoxha, e cila zëvendëson vetëm pas 5 muajsh në këtë detyrë Besnik Dervishin, Kryeministri pohoi se qeveria do të realizojë të gjitha premtimet. “Do të realizojmë ndryshimin që njerëzit kërkuan në 23 qershor që padyshim nuk është ndryshimi i një ngjyre me një tjetër por ndryshimi i vendit, ndryshimi i modelit qeverisës, i marrëdhënieve mes individit dhe shtetit,dhe cilësisë së jetës. Është një proces që pa pikë dyshimi është shumë i vështirë dhe që do të ketë hatërmbetje apo gabime por ne duhet të kem aftësinë të vetëkorrigjojmë gjithçka që gjatë rrugës nuk shkon siç duhet. Dhe duhet të kemi kurajon që të shikojmë përpara dhe të ecim shpejt e më shpejt për ta bërë realitet rilindjen që Shqipëria kërkon, rilindjen që ne u zotuam dhe që Vlora dhe vlonjatët meritojnë”, – tha Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë nënvizoi në fjalën e tij se është detyrë e mazhorancës qeverisëse për ti dhënë familjes politike, dinjitetin që pushteti sipas tij e rrezikon dhe e vënë në pikëpyetje për çdo përfaqësues. “Ne kemi nevojë që të kthejmë sytë nga universiteti nga shkolla nga çdo pjesë e jetës së komunitetit ky qytetaria vlonjate, jo vetëm në qytet por edhe në fshat ka nevojë të përfaqësohet. Koha për ta hapur PS-në tërësisht. Koha për ta thënë qartë dhe për ta bërë atë që PS ka nevojë për të gjithë”, – tha Rama.

 

 

Prefektja e re: Fund nepotizmit. Rama: Uroj që gjysmën e atyre që the t’i bësh realitet

 Në prezantimin e djeshëm, prefektja e re e Vlorës, Etjona Hoxha, e cila zëvendësoi në këtë post Besnik Dervishin, bëri të ditur dje se do të angazhohet për eliminimin e emërimeve abuzive në punë. “Do t’i japim fund nepotizmit dhe korrupsionit”, – tha ajo. Lidhur me këto deklarata, në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Rama pohoi mbështetjen e qeverisë ndaj prefektes, por theksoi: “Nuk mund veçse t’i uroj që gjysmën e tyre që tha t`i bëj realitet dhe jam i sigurt se nëse ndodh kjo diçka shumë e rëndësishme do të ndryshojë për institucionin e prefektit në marrëdhëniet me qytetarët”.

 

 

Ministri/ Tahiri: Reformë institucionit të prefektit

Institucioni i prefektit duhet reformuar. Kështu deklaroi dje ministri Tahiri në Vlorë gjatë prezantimit të prefektes së re, duke theksuar se ky proces duhet të mbështetet në pikëpamjen e kompetencës, ushtrimit të detyrës, si edhe koordinimit të harmonisë mes përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe atij qendror. “Ky është një ndër qëllimet e shumta, por pritoritare që do të adresohet me reformën territoriale që të jetë në vijim. Qeverisje sa më afër qytetarëve dhe shërbime inovative për t`i dhënë në radhë të parë siguri qytetarëve për shërbime dhe modernizimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe progresin e sipërmarrjes në shoqëri. Por patjetër në momentin kur reforma administrative të bëhet realitet mbetet në dorën e prefekti të ushtrojë përgjegjësi në mënyrë më përparimtare të mundshme duke garantuar që shërbimi i prefekturës të jetë sa më pranë qytetarëve”, – tha Tahiri.

 

 

Reagimi/ PD, Vorpsi: Rama bën show në Vlorë, sillet si konferencier

Vizita e Kryeministrit Rama në Vlorë është cilësuar si një show televiziv nga Partia Demokratike, pasi, sipas saj, asnjë vend i ri pune nuk është hapur në shtatë muaj qeverisje. “7 muaj pas ardhjes në pushtet, në Vlorë nuk ka asnjë një vend të ri pune. 7 muaj pas ardhjes në pushtet, në Vlorë kërcet tritoli, dhe trafiku i drogës përmes Vlorës ka vënë në alarm shtetet fqinje. Pikërisht në këtë situatë, Edi Rama bën show, sillet si një konferencier, duke drejtuar një spektakël të shëmtuar të largimit nga puna të një prefekti të dështuar. A janë vlonjatët më të sigurtë sot, sepse Edi Rama është bërë producent i shfaqjeve televizive? A kanë të rinjtë vlonjatë më shumë punë, a kanë të moshuarit pensione më të larta, a kanë familjet çmime më të mira të energjisë dhe ushqimeve bazë? Jo, asnjë gjë e mirë nuk ka ndodhur në Vlorë, qysh se Edi Rama u zgjodh deputet atje dhe Kryeministër”, – theksoi zëdhënësja e PD-së, duke shtuar se shfaqje të tilla jo vetëm nuk e fshehin situatën e rënduar ekonomike, të rendit e sigurisë, por nxjerrin më në pah dështimin e Kryeministrit dhe deputetit të Vlorës.

 

 

 

 

Share it :