Konfirmimi/ Mosha e pensionit do të rritet me 2-3 vjet

Skema e re, sa më shumë kontribute të derdhen, aq më shumë do të rritet pensioni

 Ndryshim edhe në skemën për funksionarët e lartë të shtetit

 

 

pensionet1349361683Mosha e daljes në pension do të rritet. Ka qenë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili konfirmoi rritjen e moshës së pensionit, por jo për ata që sot janë në prag të marrjes së pensionit, as për ata që janë mbi 50 vjeç. Ministri i Mirëqenies Sociale konfirmoi se mosha e daljes në pension do të rritet për ata individë që sot janë 30-40 vjeç. “Një rritje dy-tre vjet, për ata që do të dalin në pension në vitin 2030, do të ishte e arsyeshme për të stabilizuar disa nga parametrat financiarë. Heqja e tavanit për pagat e larta. Kjo do të thotë që njerëzit do të incentivohen të paguajnë më shumë, sepse do t’u reflektohet në një pension më të lartë. Momentalisht ne sot kemi atë që kemi, atë që quhet pensionin maksimal, kjo do të thotë që dikush që e ka rrogën e lartë nuk ka interes të paguajë më shumë kontribute, sepse e ka kaluar pensionin maksimal dhe nuk i reflektohet në një pension më të lartë. Ne këtë po e heqim”, – tha ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë një interviste në “Top Channel”. Po kështu, Veliaj foli dhe për një skemë të re për të gjithë funksionarët dhe ish-funksionarët e shtetit që sot përfitojnë 40 herë më shumë sesa kontributet që kanë derdhur. “Heqja e privilegjeve për grupe të caktuara, kryesisht përfaqësues të shtetit në nivele të larta drejtuese, të cilët përfitojnë 40-fish të atyre që kontribuojnë. Kjo është anormale. Nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm, që të shpërblejmë njerëzit vetëm se kanë qenë një gjysmë mandati deputet, ose një gjysmë viti sekretar i përgjithshëm, ose drejtor apo prokuror, ky është një nonsens, në 10 vite i bie të kemi rreth 7 mijë vetë që përfitojnë nga skema të tilla”, – theksoi Veliaj.
Skema e re pensioneve

Grupi i punës për reformimin e skemës aktuale të pensioneve ka përcaktuar një sërë ndryshimesh që do t’i propozohen qeverisë dhe Parlamentit. Për t’i dhënë mundësi çdo individi është rënë dakord që të ketë një pension bazë, që do të quhet “pension social”. Masa e këtij pensioni ende nuk është caktuar, por flitet se do të jetë sa pensioni minimal që është sot në vendin tonë. Këtë pension do ta përfitojnë çdo individ në mënyrë që kur të arijë mosha e pensionit të mos ngelet pa përfitim. Kriteret për të përfituar nga ky lloj pensioni do të caktohen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Një tjetër ndryshim në skemë pritet të bëhet për sa i përket kontributeve. Në skemën e re derdhja e kontributeve shtesë, bën të mundur që kur të vijë moment për marrjen e pensionit të përfitohet më shumë.

 

FMN dhe BB

Rritja e moshës së daljes në pension është kërkuar me ngulm nga Fondi Ndërkombëtar Monetar dhe nga Banka Botërore. Sipas FMN-së, për të ndihmuar zhvillimin e ekonomisë, Shqipëria e ka të domosdoshme rritjen e moshës për pension. Kjo pikë ka qenë një nga kushtet kryesore të marrëveshjes mes qeverisë dhe FMN-së për marrjen e kredisë prej 330 milionë euro.

 

 

Ministria e Financave

Nga 1 prilli, barnat e importuara e të prodhuara në vend, me zero TVSH

Ministria e Financave, gjatë një reagimi për media, bëri me dije se të gjitha barnat e importuara apo të prodhuara në vend do të shiten me zero TVSH. Udhëzimi i Ministrisë së Financave përcakton se, duke filluar nga data 1 prill 2014, të gjitha barnat e importuara dhe prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin me TVSH 10%, me qëllim për t’u tregtuar që rezultojnë gjendje në subjekte farmaceutike deri më datë 31 mars 2014, do të aplikohet TVSH zero për qind në shitje, pavarësisht nga masa e TVSH që është e shënuar në pullë. “Sipas po këtij udhëzimi të gjithë tatimpaguesit farmaceutikë do të duhet të inventarizojnë gjendjen e stokut të tyre për barnat që mbajnë pullën e kontrollit me çmim me TVSH 10% dhe ta dorëzojnë në format elektronik ose të shkruar pranë administratave rajonale tatimore deri në datë 20 prill 2014”, – thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Financave. Sipas Ministrisë së Financave, vlera e TVSH-së së mbartur nga barnat që janë stok deri më datë 31 Mars 2014, do të shuhet gradualisht në proceset e kreditimit dhe debitimi. Ndërkohë, dje, Urdhri i Farmacisteve i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës së Kontrollit të Barnave që të mos detyrojnë farmacitë që për ilaçet e mbetura stok t’i shesin 10% më lirë. Sipas presidentes së këtij Urdhri, Diana Toma, heqja e TVSH-së hyn në fuqi për medikamentet që tregtohen pas datës 1 prill dhe nuk prek ato në magazina. “Barnat të cilat janë stok në rrjetin e farmacive do të tregtohen me TVSH 10%, deri në fund të ciklit të tyre. Pra farmacia do të tregtoj barna sikur e ka në pullën e çmimit të barnave. Heqja e TVSH është e vlefshme për barnat që futen në sistemin farmaceutik pas datës 1 prill. Një mënyrë obligative farmacive u është thënë se do të tregtohet 10% më pak. Mendoj se këto lloj deklaratash bien ndesh me udhëzimin për të cilin po bëjmë fjalë. Ministria e Financave fare qartë shpreh platformën me të cilin do të trajtohet bari që mbart në çmimin e vet marzhin 10%”, – u shpreh Diana Toma. Në të gjitha farmacitë në vend është krijuar një kaos për sa i përket shitjes së barnave. Nga njëra ana pacientët kërkojnë ti blejnë më lirë duke iu referuar evidentimit të qeverisë, ndërsa nga an tjetër shumë farmaci kanë barna stok dhe që i kanë paguar me TVSH.

Share it :