I mbijetuari/ “Donim të lanim duart, rrëshqitëm në ujë”

Anxhela Tato

 

Rrëfimi i Daniel Spahiut: U mbajta te një shkëmb dhe nuk po arrija të dalloja ku ishte Erjoni

 Familjarët e Erjon Alizotit, të tronditur, shpresa se 18-vjeçari ka arritur të mbijetojë

 

i mbijetuari daniel spahiu(djali bjond)“U afruam tek lumi për të larë duart dhe rrëshqita bashkë me Erjonin. Nuk e di ta përshkruaj çdo detaj, pasi nuk e mbaj mend, por di të them që ramë të dy bashkë në ujë”, – pjesë nga rrëfimi i të mbijetuarit Daniel Spahiu. Ende i tronditur dhe i trembur për fatin e shokut të tij të ngushtë 18-vjeçari Spahiu rrëfen se ai bashkë me Erjon Alizotin u shkëputën për t’u afruar tek kanionet. Dy të rinjtë donin të bënin foto dhe të lanin duart në ujë, por terreni i rrëshqitshëm ka bërë që dy djemtë të përfundonin në ujërat e rrëmbyeshëm të lumit Erzen. Danieli ka arritur të mbahet në një shkëmb, por nuk ka arritur dot më të shikojë se ku ndodhej Erjoni. Ishte i frikësuar dhe i papërqendruar në ato momente. Ai rrëfen se dikush i ka hedhur një litar, ku është kapur fortë dhe e kanë tërhequr. Ndërsa mohon ekzistencën e vajzës misterioze Fatjona, e cila ka dyshime se ka njoftuar policinë duke kërkuar ndihmë. Daniel Spahiu tregon se ditën e djeshme ka qenë në familjen e shokut të tij si dhe në vendin e ngjarjes, për tu interesuar dhe për të ndihmuar në përshkrimin e vendit se ku rrëshqitën. Ndërsa shpreson që shoku i tij të jetë ende gjallë dhe të ketë shpëtuar.

 

Rrëfimi i të mbijetuarit

 “Ne u shkëputëm nga grupi për të bërë foto dhe u afruam tek lumi për të larë duart. Aty terreni ishte i rrëshqitshëm dhe kishte myshqe. Na shkau këmba dhe u rrëzuam të dy bashkë, por se përcaktoj dot se kush ra i pari. Ramë të dy në ujë dhe nuk arrija të shikoja dot asgjë, isha i trembur. Jam kapur pas një shkëmbi dhe më hodhën një litar, më shpëtuan. Nuk shikoja dot për Erjonin, pasi rrjedha e lumit ishte e fortë dhe nuk e po merrja vesh ç’po ndodhte. Kam dëshmuar në polici dhe i kam treguar vendin ku ishim. Sot isha në vendin e ngjarjes dhe më pas në shtëpinë e Erjonit. Shpresoj që ai të jetë gjallë, ne jemi shokë fëmijërie prej 14 vjetësh tashmë”.

 

Familja e të zhdukurit

 Ndërsa ka pllakosur heshtja dhe zia në shtëpinë e të zhdukurit Erjon Alizoti. Nëna e tij gjatë gjithë kohës është e shoqëruar nga të afërm dhe miq, të cilët i qëndrojnë pranë duke tentuar që ta qetësojë me shpresën se Erjoni ka arritur të mbijetojë. E tronditur dhe pa informacione ajo nuk pranon të flasë, duke kërkuar që të respektojmë heshtjen e saj. Ndërsa disa të afërm tregojnë se nuk ishin në dijeni të faktit që Erjoni do të shkonte në ekskursion. Por për ta shpresa vdes e fundit. “Shpresojmë shumë që Erjonin ta gjendet dhe të jetë ende gjallë. Nuk ishim në dijeni për ekskursionin dhe jemi shumë të tronditur, por dihet që shpresa vdes e fundit”.

 

Denoncimi

 Komuna Bërzhitë ka denoncuar në polici shtetasin Behar Duqi, i cili akuzohet për mashtrim dhe mbledhje të të ardhurave abuzive, pasi u merrte nga 50 lekë të gjithë personave që vizitonin Shpellën e Pëllumbasit, në kanionet e Erzenit. Sipas Komunës së Bërzhitës, shtetasi Behar Duqi u shkarkua para dy vitesh si punonjës i Komunës dhe tashmë rezulton se u kërkonte para në emër të Komunës, personave që vizitonin Shpellën e Pëllumbasit. Pak ditë më parë, një i ri u zhduk në ujërat e kanioneve të lumit Erzen, ku kishte shkuar për ekskursion me një grup shokësh. Operacioni i kërkim-shpëtimit nga palombarët e RENEA-s për gjetjen e Erjon Alizotit ka vijuar prej dy ditësh, por ende nuk ka asnjë gjurmë nga i riu.

 

Share it :