Qeveria socialiste angazhohet të rregullojë trafikun ajror, që e bllokoi vetë…

Ervin Kaduku

 

Ka qenë ekzekutivi “Nano” që nënshkroi një kontratë koncesionare bllokuese me subjektin që menaxhon Rinasin, duke lënë në letër të gjitha projektet e aeroporteve të vogla, po shumë të dobishme për turizmin në vend

Haxhinasto: I nevojshëm një aeroport në Jug

 

 

aeroporti rinasGjatë konferencës në kuadër të fillimit të projektit të binjakëzimit “Forcimi Autoritetit te Aviacionit Civil Shqiptar” të organizuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar, Konsorciumi i Drejtorisë se Përgjithshme të Aviacionit Civil Francez dhe Qendra Rajonale Rumune për Ekselence në Aviacionin Civil, ministri Haxhinasto bëri të ditur dje se zhvillimi i vendit dhe perspektiva ekonomike e tij ka nevojë edhe për infrastrukturë tjetër aeroportuale. Duke vlerësuar cilësinë e shërbimit që ofron aeroporti i Rinasit, Haxhinasto informoi se është iniciuar një proces bisedimi me përfaqësues të aeroportit Nënë Tereza për gjetjen e zgjidhjeve për perspektivën e aviacionit civil në Shqipëri, që do të thotë ndërtimin e aeroporteve të tjera në vend, por që në marrëveshjen me koncesionarin e TIA-s, kjo gjë nuk përfshihet.

 

Bllokimi

Një pengesë të tillë, që e nënshkroi pa përgjegjshmëri qeveria “Nano”, u përpoq ta rregullonte qeveria Berisha, por, ndodhur para rrezikut të një dëmshpërblimi për prishje kontrate, gjërat mbetën siç ishin. Me pak fjalë, në rast se autoriteti që ka marrë me koncesion Rinasin, nuk dëshiron të krijohet një tjetër objekt aeroportual në gjithë territorin e Shqipërisë, një gjë e tillë nuk mund të realizohet. Ky është thelbi i një gabimi skandaloz të bërë nga qeveria e mëparshme socialiste, që bllokoi aeroportin e Kukësit, i cili madje është i gatshëm që prej disa vitesh, por nuk mund të përdoret, siç bllokoi edhe projekte të tjera, të tilla si aeroportet e Vlorës, Gjirokastrës, Korçës apo Sarandës e Shkodrës. Të gjitha këto projekte mbeten në letër, pavarësisht kërkesave të shumta nga operatorët turistikë për të hapur mundësi të reja për udhëtime çarter etj.

 

Planet

“Aviacioni u shërben para së gjithash qytetarëve, por edhe eksplorimit e shfrytëzimit të potencialeve zhvillimore që ka Shqipëria, veçanërisht turizmit dhe për këtë domosdoshmëri është ngritja e infrastrukturës së përshtatshme aeroportuale në Jug të Shqipërisë, që është zona me potencial më të madh turistik që ka vendi. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka numrin më të vogël të aeroporteve dhe tarifat më të larta të shërbimit ndaj qytetarëve”, – tha Haxhinasto. Për këtë, sipas tij, ndërtimi i një aeroporti të ri krijon mundësi e sinergji për të shfrytëzuar një sektor me potencial akoma të pashfrytëzuar. “Ne synojmë që shërbimet që ofrohen sot të jenë jo vetëm të sigurta e cilësore, por edhe me kosto të ulët dhe për këtë është e domosdoshme të vlerësojmë të gjithë strukturën e kostos, që nga tartifat aeoportuale që janë nga më të lartat po të shohim tabelën e nivelit të tarifave midis Korfuzit, Ohrit, Selanikut, Shkupit, Dubrovnikut, Prishtinës”, – tha Haxhinasto. Sipas tij, tarifat tona aeroportuale janë 3 herë më të larta krahasuar me Korfuzin. “Me mirëkuptimin e duhur do të ecim në drejtimin e duhur me ato mundësi e mekanizma që kemi për të ushtruar tendencën e uljes me qëllim që kjo të reflektohet më pas në koston që paguan çdo pasagjer në aeroportet tona”, tha më tej ai. Sfidat tona, vijoi ai, janë ato të sigurisë, punktualitetit pa vonesa, pa ndërprerje. Tashmë tregu ynë i aviacionit, bëri të ditur Haxhinasto, po siguron një traditë pozitive legjitimiteti dhe standardi i shërbimit po rritet.

Share it :