Gëzim Saliu
Rritet presioni nga baza dhe militantët për punësimin, kërkesa ndaj deputetëve socialistë
Thuajse është kthyer në një itinerar të përjavshëm që selia e Partisë Socialiste të tejmbushet nga qytetarët në ditën e mbledhjes së grupit parlamentar socialist. Ashtu si çdo të hënë, edhe dje ishin të shumtë qytetarët, kryesisht ata të cilët kishin lënë më parë një takim apo kërkonin të konfirmonin “premtimin” e dhënë nga deputetët e zonës, që ishin vendosur para dhe në ambientet e brendshme të godinës së PS-së. Duke nisur nga më të rinjtë që qëndronin disi më të distancuar e deri tek ata më të moshuarit, të cilët për shkak të pritjes së gjatë detyroheshin të mbështeteshin diku pranë selisë, kishin një kërkesë kryesore: punësimin. Por vendimi i bëri i ditur nga kryeministri Rama në mbledhjen e kaluar të grupit parlamentar socialist, ku sipas së cilit nuk mund të ketë emërime në administratë deri në muajin korrik, ka ndikuar në “distancimin” e deputetëve nga elektorati i tyre. Ndonëse dikush mundi të takojë ndonjërin prej tyre, pjesa më e madhe e atyre që prisnin prej më shumë se një ore dolën “duarbosh” edhe në këtë tentativë të radhës.
Pritja
“Kjo është dita më e mirë për ti kapur këta, se në ditë të tjera është thuajse e pamundur”. Kështu i drejtohej një prej qytetarëve që po priste përfundimin e mbledhjes së grupit një të moshuari në hyrje të selisë së PS-së, duke legjitimuar arsyen e pse-së së dyndjes së selisë ditën e parë të javës. Ndërkohë një zonjë, gjatë momenteve të pritjes iu drejtua zyrës së informacionit në katin e parë të selisë për të kuptuar se kur do të zhvilloheshin takimet me deputetët. “Nuk ka takime për sot”, – ishte përgjigjja që mori nga punonjësja e kësaj zyre. Momenti më i zhurmshëm në seli erdhi pikërisht kur nisën të zbresin nga shkallët e katit të dytë të godinës trekatëshe, deputetët socialistë. Të gjithë me nxitim u mblodhën në fillim të derës së brendshme, e cila ndan hollin me hyrjen në brendësi të selisë, duke kërkuar me ngutje takimin me deputetin e zonës. Shumë prej qytetarëve dje s’mundën të zhvillonin takimin e tyre, pasi një pjesë e deputetëve nuk preferuan të zbresin menjëherë pas mbledhjes së grupit e ndërkohë pjesa tjetër u largua në drejtim të kafenesë ngjitur me selinë e PS-së. Vetëm disa deputetë u ndalën për të zhvilluar një takim aty për aty me militantët që po prisnin në holl. Deputeti Artan Gaçi bisedoi për pak minuta me disa qytetarë e ndërsa Namik Dokle në dalje të selisë u ndal nga një zotëri, i cili me letër në dorë po mundohej të shpjegonte në ecje e sipër problemin e tij. Nga ana tjetër, një prej zonjave që ndodhej aty, e cila dukej se kishte marrë pjesë shumë herë të tjera në pritjet me deputetët, këshilloi një grua diku rreth të 50-ve që të shkonte në lokalin pranë selisë, pasi në këtë formë sipas saj do të mund të takonte ndonjërin prej ligjvënësve socialistë. Çështja e punësimit të militantëve është kthyer në një problematikë me jo pak peshë për deputetët socialistë, ku në takimet që ata zhvillojnë në zonat elektorale është ndjerë presioni në rritje i bazës. Lidhur me këtë çështje, kryeministri Rama i ka bërë të ditur ligjvënësve të PS-së se nuk do të ketë më emërime në administratë deri më datën 1 korrik. Po ashtu ai ka kërkuar nga deputetët që të angazhohen për të mundësuar punësimin e militantëve në sektorin privat, ku rol kryesor sipas tij duhet të luajë edhe bashkëpunimi i tyre me sipërmarrësit e huaj.
Vizita zyrtare
Rama në Gjermani, takon sot Merkelin
Kryeministri Edi Rama pritet ka mbërritur dje në kryeqytetit gjerman, Berlin, në kuadër të një vizite zyrtare që pritet të zhvillojë ditën e sotme me Kancelaren gjermane Angela Merkel, me të cilën më pas do të ketë edhe një konferencë shtypi. Kreu i qeverisë shqiptare dhe delegacioni i tij do të priten me nderime protokollare, ku takimi me Kancelaren Merkel do të nisë me një ceremoni ushtarake, për të vijuar me takimin mes dy delegacioneve dhe me drekën e punës. Në këtë vizitë, pritet që Kryeministri Rama të takohet edhe me ministrin e Financave dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë gjermane. “Për një vizite intensive takimesh e komunikimesh me qeverinë, parlamentin, sipërmarrjen, botën akademike”, – shkruante dje Rama në rrjetin social “Twitter”, duke e shoqëruar komentin me një foto të mbërritjes së tij në aeroportin e kryeqytetit të Gjermanisë. Ndërkohë pas vizitës në Berlin, kreu i qeverisë do t’i drejtohet Brukselit, ku është parashikuar një takim edhe me komisionerin për Zgjerim në BE, Stefan Fule. Pritet që Rama të kthehet në Tiranë pasditen e 2 prillit, ku është parashikuar një takim me Jonathan Moore, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili nis sot takimet në Tiranë.
Reforma territoriale
LSI, Vasili: S’mund të shmanget dhe të shtyhet, opozitës i kemi dhënë atë që s’ka merituar
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon nga opozita të bëhet pjesë e reformës administrative-territoriale duke theksuar se kjo reformë nuk mund të shmanget apo shtyhet. Kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi dje se bojkoti i deritanishëm i opozitës është i palogjikshëm, megjithëse nuk dha përgjigje lidhur me kërkesën e drejtpërdrejtë të opozitës për konsensus deri në votimin në Kuvend të reformës administrative. “Opozitës shqiptare, krejtësisht me transparencë dhe me ndershmëri të madhe politike, i është ofruar një barazi e plotë, e cila nuk përkon fare me rezultatet elektorale që ajo ka realizuar në praktikë dhje kjo mundësi i është dhënë që ajo ta përdorë. Qëndrimi ynë i qartë dhe i prerë është: kemi një komision të ndarë në mes dhe me një bashkëpërgjegjësi të plotë dhe me të drejtën e vetos dhe të opozitës”, – tha ai, duke shtuar se opozita duhet ta përdorë mundësinë që po i ofrohet nga mazhoranca. “Sepse në asnjë rast tjetër nuk mund të kishte qenë edhe një zgjidhje që shkonte përtej asaj që ishte logjika elektorale e gjërave. Përpara se të ecim në hapat e mëtejshëm kemi përpara një mundësi të madhe konsensusi e cila ende nuk është përdorur, është bojkotuar dhe nuk është përdorur nga opozita si pasojë e një pafundësie kompleksesh dhe e një sforcoje për të mos u shkëputur nga 23 qershori. Gjithmonë kompleksi i madh i 23 qershorit reflekton edhe në rastet kur në tavolinë opozitës i vihet mundësia politike, të cilën nuk e ka merituar ende me votën që ajo ka fituar më 23 qershor”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.
Bulevardi i ri i Tiranës
Banorët kërkojnë shfuqizimin e VKM-së. Vorpsi: Do ia propozoj Ramës. Bogdo: Bllokimi politik
Projekti për ndërtimin e Bulevardit të Ri të Tiranës ka sjellë përplajse të mëdha mes qeverisë dhe Bashkisë së kryeqytetit. Nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo hodhi poshtë dje faktin se bllokimi i punimeve për ndërtimin e Bulevardit është thjesht një ngërç institucional, duke e cilësuar atë politik. “Bllokimi është thjesht politik. Për sy e për faqe unanimiteti e kaloj për miratim në Këshillin Bashkiak vendimin për Bulevardin e Tiranës. Ne nuk e kemi të zbardhur projektbuxhetin nga Prefektura. Asnjë institucion nuk e ka detyrimin ligjor shpronësimin brenda një viti, por deri në përfundim të veprës që ndërtohet. Ne sa herë që ndërhymë për prishjen e një banese atë do ta kompensojmë. Banorët problemin kryesor e kanë me kompensimin. Ndaj këtë gjë duhet ta ndryshoj bashkia”, tha ai në emisionin “Njerëz në Fokus” në news 24, ku ishte ftuar edhe prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi. Nga ana e tyre banorët që preken nga ndërtimi i bulevardit, deklaruan dje se toka e shpronësuar duhet të vlerësohet me çmimin real dhe të mos nxirren në qiell të hapur. Lidhur me këto pretendime, Vorpsi tha se,: “Unë jam pro ndryshimit të V.K.M për shpronësimet për Bulevardin e ri. Unë i mirëkuptoj ata banorë dhe patjetër që dëshira ime personale është që ne nuk mund të shkatërrojmë shtëpitë 400 vjeçare pa i shpronësuar. Pjesa tjetër që ka të bëj me shfuqizimin e VKM nuk është në tagër të Prefektit por do ja propozoj kryeministrit dhe ministrit të linjës për ta parë si një zgjidhje”. Ndërsa nënkryetari Bozdo bëri të ditur se çështja e vlerësimit të truallit dhe pronave që preken nga projekti nuk zgjidhen nga Bashkia. “Ka dy mënyra për të ndryshuar këtë çmim, ose të atakohet nëpërmjet gjykatës. Ose ti drejtohen kryeministrit që të anulojë VKM përkatëse dhe të nxjerri një VKM të dytë që të rishikojë vlerësimin. Nuk është bashkia në proces gjyqësor me banorët por Këshilli i Ministrave”, tha ai.




