Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara është 0.6% në muaj
Në bazë të viteve të kontributeve çdo i moshuar mund të llogarisë vetë pensionin e tij. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar dje disa prej formulave se si llogaritet pensioni i pleqërisë i reduktuar, pensioni suplementar i pleqërisë dhe pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit.
Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara është 0.6% në muaj.
Pensioni i reduktuar
Një person është i datëlindjes 11.11.1946, ka periudhë sigurimi 35 vite. Më 11.11. 2008 i lind e drejta për të aplikuar për pension pleqërie të reduktuar, mbasi nuk është i punësuar, punëdhënës apo i vetëpunësuar.
Referuar nenit 92, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, këtij personi i takon të dalë në pension të plotë pleqërie në moshën 64 vjeç e 6 muaj. Pra personi e kërkon pensionin e reduktuar 2 vjet e 6 muaj më përpara ose 30 muaj.
Nëse sipas pagave të sjella nga llogaritja e pensionit, pensioni del 14.000 lekë, i interesuari në këtë rast do të marrë si masë pensioni, shumën që rezulton mbas reduktimit.
Pra 14.000 X (30 muaj X 0.6) = 14.000 X 0.18=2 520 lekë, shuma që do zbritet si pasojë e reduktimit të pensionit të llogaritur.
Përfundimisht, mbas llogaritjeve, pensioni i pleqërisë i reduktuar kap masën 11.480 lekë në muaj. Si të gjitha pensionet e tjera, dhe ky pension i nënshtrohet të gjitha indeksimeve apo rritjeve që bëhen me Vendime të veçanta të qeverisë.
Si mund të llogaritet pensioni suplementar i pleqërisë
Llogaritja e një pensioni suplementar të pleqërisë:
PSP = PMRMN x VSH x 1%
PSP: Pensioni Suplementar i Pleqërisë
PMRMN: Paga Mesatare Referuese Mujore Neto
VSH: Vitet e Shërbimit
Masa që rezulton nga kjo formulë nuk duhet të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë.
Shembull:
Ushtaraku B. C. përfiton pension pleqërie sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, i ndryshuar, me datë fillimi 10 gusht 2013 dhe masën 23 400 lekë/muaj. Ai ka 25 vite shërbimi si ushtarak dhe pagë mesatare referuese mujore neto 42 900 lekë në muaj.
Llogaritja e pensionit suplementar të pleqërisë bëhet në këtë mënyrë:
PSP = 42 900 lekë x 25 vite x 1% = 10 725 lekë/muaj
Por, pensioni suplementar i pleqërisë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e pensionit të pleqërisë që ushtaraku B. C. gëzon në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar.
Ushtaraku B. C. përfiton pension pleqërie në datën 10 gusht 2013, në masën 23 400 lekë/muaj.
Në këtë rast, pensioni suplementar i pleqërisë është më i vogël se 50% e pensionit të pleqërisë 23 400 x 50% = 11 700 lekë.
Pra, ish ushtaraku B. C. në datën 10 gusht 2013 do të përfitojë pension suplementar pleqërie në masën 10 725 lekë/muaj.
Si llogaritet pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi
Llogaritja e një pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi:
PPVSH = PMRMN x VSH x 1.5%
PPVSH = Pensioni i Parakohshëm për Vjetërsi Shërbimi
PMRMN = Paga Mesatare Referuese Mujore Neto
VSH = Vitet e Shërbimit
Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Shembull:
Ushtarakut në rezervë/lirim A. B. i lind e drejta për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi më datë 8 maj 2013. Ai ka 17 vite në shërbim dhe paga mesatare referuese mujore neto është 36 937 lekë në muaj.
Llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet në këtë mënyrë:
PPVSH = 36 937 lekë x 17 x 1.5% = 9 419 lekë/muaj
Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Në rastin konkret masa e pensionit bazë më datë 8 maj 2013 ishte 11 562 lekë në muaj, pra masa e llogaritur është nën kufirin bazë, e si rrjedhojë masa e PPVSH do të jetë 11 562 lekë në muaj.
Pra, ish-ushtaraku A. B. në datën 8 maj 2013 do të përfitojë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 11 562 lekë/muaj.




