Reagon opozita / Legalizimet, PD akuzon kreun e ALUIZNI-t, Artan Lame

 Silvi Bardhi: Lame shkeli ligjin, bëri hotelin pronar të truallit

 

JHGJG

Koordinatorja për mediat në Partinë Demokratike, Silvi Bardhi, denoncoi vendimin e drejtorit të ALUIZNI-t për legalizimin e një hapësire toke në mes të Tiranës. Sipas opozitës, Lame nuk ka se çfarë të thotë për vendimin që ka marrë me 14 shkurt, “ku për motive të pastra përfitimi, ka bërë një subjekt privat pronar të një trualli në kryeqytet”.

Gjatë një konference për shtyp, Silvi Bardhi tha se kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, i ka dhënë hotelit “Diplomat” 372 metra katrorë tokë, sikur në këtë sipërfaqe të kishte një ndërtim pa leje, ndërkohë që në këtë truall, që nuk është pronë e hotelit, nuk ka asnjë ndërtim pa leje. Në deklaratën e PD-së publikohet numri i lejes së ndërtimit, dukë theksuar se në këtë ndërtim vetë pronari i truallit ka bërë kërkesë për legalizim vetëm një pjesë të tokës, ndërkohë që drejtori i ALUIZNI-t ia ka legalizuar të tërën.

“Me këtë leje legalizimi nr. 115100, Artan Lame i ka kaluar në pronësi hotelit “Diplomat” 372 metra katrorë, që është sipërfaqja që rrethon këtë hotel. Vetë hoteli “Diplomat” ka bërë kërkesë për të legalizuar vetëm një shtesë kati. Me 14 shkurt, Artan Lame është treguar më i dashur dhe më bujar sesa duhet duke i falur hotelit edhe 372 metra katrorë truall në mes të Tiranës”, – ka theksuar gjatë një daljen për median, Silvi Bardhi. Sipas koordinatores për median në PD, veprimet e lartpërmendura janë një shkelje e rëndë që tregon për çështje korruptive në kundërshtim me ligjin.

Deklarata e PD-së vijon më tej duke thënë se këto shkelje janë lehtësisht e verifikueshme pasi subjekti ka aplikuar me vetëdeklarim me formularin A1 dhe jo me formular A.

“ALUIZNI është agjenci që legalizon ndërtime informale dhe bën kalim pronësie vetëm në troje të zëna me ndërtime pa leje.

Më e rënda është se nga kjo sipërfaqe që Lame e dhuron sipas interesave të tij, 70 metra katrorë i takojnë një familjeje tiranase, dhe në këtë rast Lamja e Ramës i ka hequr të drejtën e pronësisë kësaj familje.

Këtë vendim abuziv bën mirë të sqarojë Artan Lame, në vend se të merret me propagandë televizive për orë e orë të tëra”, – theksoi Silvi Bardhi. Ndërkaq, pas publikimit të projektligjit të ri të legalizimeve që ndërmori qeveria pak ditë më parë, përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ngritur disa akuza për përfaqësuesit e mazhorancës, duke denoncuar shkelje dhe procedura. Sipas opozitës, deklaratat e Kryeministrit Rama për legalizimet falas dolën mashtrime për qytetarët, për faktin se sipas PD-së, legalizimet nuk do të bëhen falas.

 

 

Akuzat e PD-së për shkelje, Lame: Bëhen për të tërhequr vëmendjen

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, i quajti të pabazuara dhe thjesht për të tërhequr vëmendjen nga punët që po kryhen ditë e fundit i ka cilësuar, akuzat e partisë Demokratike për shkelje të ligjit në dhënien e një sipërfaqe të truallit 372 m2 hotelit “Diplomat”. Sipas Lames, nëse gjendet shkelje ligji në dokumentacionet e lëshuara prej tij atëherë të çohen materialet në instancat përkatëse.

“Nëse bëhet fjalë për një nga shumë, e shumë, e shumë raste që kanë ardhur dosjet për legalizim le të gjejnë një gjysmë letre që është në kundërshtim me ligjin. Një gjysmë, jo një, dhe le ta çojnë në të gjitha instancat që duan. Të gjitha këto bëhen thjesht për të tërhequr vëmendjen nga ajo që po ndodh këto ditë. Fakti që edhe ju nuk po pyesni për legalizimet, por po pyesni për broçkullat që thotë PD-ja tregon që ata po ja arrijnë qëllimit.

Qëllimi im është ky ne do të bëjmë legalizimi, ne do ti bëjmë falas, kush ka ankesa le të vijë tek ne. Kush mbetet i pakënaqur të ndjek procedurat e shtetit shqiptar, dhe kush nuk mbetet i kënaqur as nga shteti shqiptar, le të shkojë tek PD-ja se ja zgjidh ajo”, – ka sqaruar Lame gjatë ceremonisë për ndarjen e certifikatave të pronësisë në Lezhë dhe Shkodër.

 

 

Punësimet në administratë

PD: Një tjetër i dënuar për korrupsion në KESH-in e Durrësit

 Laura Vorpsi: Plator Mehmeti, i arrestuar në vitin 2008 dhe i dënuar më pas nga Gjykata e Durrësit për shpërdorim detyre

 Partia Demokratike vijon të denoncojë emërimet e fundit në administratën publike, duke gjetur një sërë punonjësish që sipas selisë blu, kane precedentë penalë nga gjykatat e vendit, ndërkohë që mbajnë poste të larta drejtuese në sektorë të ndryshëm.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, denoncoi dje emërimin si kryeinxhinier të CEZ-it në Durrës, të Plator Mehmetit, “i dënuar në vitin 2008 për shpërdorim detyre. Sipas auditit të kohës, i shkaktoi shtetit 3 milionë euro dëme”.

Në një deklaratë për mediat, Vorpsi tha se ndërsa energjia elektrike po bëhet më e shtrenjtë për qytetarët, dhe pritet më tej rritja e çmimit, “në krye të CEZ-it në Durrës, rilindasit kanë vendosur një të dënuar për korrupsion, i cili ka bërë të paktën 9 muaj burg në vitet 2008-2009, për shpërdorim detyre”. Sipas opozitës është Plator Mehmeti i arrestuar në vitin 2008 dhe i dënuar më pas nga gjykata e Durrësit për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, ndërkohë që është rikthyer në ndërmarrjen e tij, si kryeinxhinier.

“Ai është dënuar nga drejtësia, pikërisht për abuzimet që ka kryer si ish-kryeinxhinier i KESH-it në vitet 2003-2006. Gazetat e 12 marsit të 2008 flasin të gjitha për aksionin e koduar “voltazh”, pas skandalit financiar të zbuluar në KESH-in e Durrësit, ku u arrestua Plator Mehmeti. Sipas raportit të auditit të asaj kohe, Mehmeti në bashkëpunim me drejtues të tjerë të KESH-it në Durrës, kanë shkaktuar një dëm prej 3 milionë eurosh. Sot, KESH-i i Durrësit quhet CEZ-i i Durrësit, por kryeinxhinier është sërish i njëjti, i dënuari për korrupsion, tashmë i rilindur”, – ka deklaruar zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.

Pak ditë më parë, PD denoncoi emërimin e Florenc Tabakut në krye të Zyrës së Punës në Korçë. Sipas PD, Tabaku rezulton i dënuar me 6 muaj burg dhe 250 mijë lekë të reja për falsifikim dokumentesh.

Ndërkohë, lidhur me këto deklarata të PD-së, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në përgjigje të akuzave të ngritura nga opozita, për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Punësimit Korçë, Florenc Tabaku, publikon një kopje të dëshmisë së penalitetit të Tabakut, në të cilën ai rezulton i padënuar më parë. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, SHKP thekson se Florenc Tabaku nuk ka bërë asnjë ditë burg dhe nuk ka paguar asnjë gjobë.

Share it :