INTERVISTA/ Reforma territoriale, Basha: E vërteta doli në dritë, Rama refuzon konsensusin

Florenc Drizari

 

Kryetari i PD-së, Basha: Uroj që mazhoranca të reflektojë. Përndryshe ne do ta presim me Kushtetutë në dorë në sheshet dhe rrugët e vendit për të refuzuar çdo produkt të njëanshëm, si të dëmshëm, të padobishëm, të pavlefshëm për demokracinë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë

 

 lulzim basha intervista sakte klanKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu përgjigj dje Kryeministrit Rama në lidhje me reformën administrative-territoriale, duke thënë se kërkesa e tij për dialog ishte një fasadë që në vetvete nuk ofronte konsensus deri në votimin e kësaj reforme në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë një interviste, kreu i opozitës theksoi se Rama ka refuzuar konsensusin, edhe pse Partia Demokratike i ka ofruar kreut të qeverisë të drejtën për ta shkruar vetë ligjin. Basha vuri theksin se kjo reformë është tepër e rëndësishme për vendin dhe kërkon një konsensus të gjerë politik.

“Në përgjigje të kërkesës sime, Kryeministri Rama e bëri të qartë (pardje) në Parlament se nuk jep konsensus për reformën territoriale-administrative në Kuvend. E vërteta doli më në fund në dritë. Është ajo që ka thënë opozita dhe që kam pohuar edhe unë në letrën time. Qeveria ofron vitrinën e konsensusit por nuk ofron vetë konsensusin. Gjithsesi, letërkëmbimi shërbeu për t’i dhënë fund demagogjisë se opozita refuzon konsensusin. Opozita nuk mund të refuzojë diçka që nuk i është dhënë dhe me sa duket diçka që shumica nuk ka ndërmend ta japë”, – deklaroi Basha në një intervistë për “TV Klan”. Më herët, në seancën e fundit plenare, Kryeministri Rama u shpreh i vendosur që reformën administrativo-territoriale ta miratoi brenda këtij sesioni parlamentare.

Pyetjes se a do të takohet me Kryeministrin Rama, edhe pas shkëmbimit të këtyre deklaratave, Basha tha se me qëndrimin e tij kreu i ekzekutivit ka folur qartë që nuk e do një konsensus mes pozitës dhe opozitës.

“Mendoj se përgjigjja e djeshme e z. Rama është vetëshpjeguese në këtë drejtim. Qëllimi i letërkëmbimit, gjykoj se ka qenë reforma territoriale-administrative. Kushti i konsensusit i vendosur nga praktika 23-vjeçare dhe nga kushtetuta e Shqipërisë është refuzuar nga Kryeministri Rama. Mendoj se kjo flet vetë për qëndrimin që z. Rama ka për konsensusin, në veçanti për reformën dhe natyrisht edhe për dialogun”, – theksoi ai.

Më tej kreu i opozitës tha se shpresonte që mazhoranca të reflektonte në qëndrimet e saj dhe se opozita do të mbajë një rrugë të hapur për konsensus. Nëse ndodh e kundërta tha Basha, opozita do ta presë me protesta në rrugë dhe sheshe të vendit.

“Reforma territoriale-administrative për nga vetë natyra që ka, nuk mund të kalojë pa konsensusin e palëve në Parlament. Nuk ka ndodhur kjo në 23 vite demokraci dhe nuk mund të ndodhë në vitin 2014, teksa vendi troket për hapat e mëtejshëm drejt integrimit në BE, një ndër kushtet kryesore të së cilit është bashkëpunimi politik, konsensusi për çështje madhore, qëndrueshmëria e institucioneve dhe reformave.

Ne do të vijojmë të këmbëngulim tek konsensusi, të këmbëngulim tek respektimi i standardit të konsensusit, tek respektimi i kushtetutës. Uroj që mazhoranca të reflektojë. Përndryshe ne do e presim me kushtetutë në dorë në sheshet dhe rrugët e vendit për të refuzuar çdo produkt të njëanshëm, si të dëmshëm, të padobishëm, të pavlefshëm për demokracinë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë”, – deklaroi kreu i PD-së, Basha.

Lidhur me respektimin e vendimeve të gjykatave, kreu i opozitës tha se është absurde kur qeveria e vendit refuzon të zbatojë vendimet e gjykatave, siç janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat zbatohen e nuk vihen në diskutim; vendimet e formës së prerë të gjykatave të tjera të vendit.

Sipas tij ky është një ndër aspektet shqetësuese të keqqeverisjes dhe cenimit të standardeve demokratike nga shumica Rama-Meta dhe Partia Demokratike e ka denoncuar dhe vazhdon të denoncojë moszbatimin e vendimeve të gjykatave.

 

Përgjigjja e Ramës në Kuvend

 “Çfarë kërkon opozita, unë nuk arrij dot ta kuptoj. Kërkon të kushtëzojë Parlamentin, jo thjesht Komisionin?! Që do të thotë se kërkon t’i japë vetes të drejtën që ta bllokojë Komisionin dhe duke e bllokuar Komisionin të mos lejojë reformën të bëhet. Por ne nuk kemi mundësi ta shtyjmë më këtë reformë. Ne i kemi votat për ta kaluar këtë reformë. Ne e kemi filluar procesin e konsultimit të gjerë me publikun për këtë reformë. Ne kemi marrë mbështetje të plotë të ndërkombëtare për këtë reformë. Reforma financohet nga një numër i konsiderueshëm donatorësh, të interesuar për ta parë Shqipërinë në një dritë të re. Puna ka filluar në të gjithë territorin e vendit, në nivelin teknik, për të mbështetur Komisionin që në fund të fundit është niveli që do të definojë reformën, në pikëpamjen të kalimit nga kriteret tek harta përfundimtare. Dhe s’kemi mundësi që të presim. S’kemi mundësi që të presim, por duam që t’i bëjmë të gjitha që të ulemi së bashku”.

 

 

PD, tjetër akuzë Ramës për emërimet e të dënuarve në administratë

 Zëdhënësja Vorpsi, denoncoi dje nga selia blu emërimin e Florenc Tabakut në krye të Zyrës së Punës në Korçë, i dënuar me parë më burg. Sipas PD-së, drejtori i Zyrës së Ppunës në Korçë, Florenc Tabaku, rezulton i dënuar me 6 muaj burg, dhe me 250 mijë lekë gjobë nga gjykata e Korçës në vitin 2004, për falsifikim dokumentesh. Vorpsi theksoi se Tabaku, i dënuar për falsifikim dokumentesh, është pjesë e krenarisë së Kryeministrit, sepse zyrat e punës duket se janë për momentin pasioni i tij i madh. “Megjithëse prej ditës që Rama ka ardhur në pushtet, janë humbur 40 mijë vende pune, shumë persona më precedentë penalë kanë arritur të bëhen shefat e punësimit, dhe gjithashtu të kapin të tjera poste kyçe në administratë. Rasti që po denoncojmë sot, dhe rastet e tjera që kemi denoncuar, dëshmojnë se si funksionon në të vërtetë meritokracia e Edi Ramës, dhe tregojnë për një mekanizëm të dyshimtë, gati kriminal të kapjes së administratës nga persona me precedentë penalë, të dënuar nga drejtësia për vepra të rënda. Është e qartë se këta rilindas kanë investuar në fushatë dhe kanë parapaguar për postet që gëzojnë sot në pushtet. Drejtorët e dënuar nga drejtësia, mund të blejnë besimin e Erion Veliajt dhe të Edi Ramës, por ata nuk e blejnë dot të shkuarën e tyre”, – deklaroi zëdhënësja e PD-së. Më herët opozita akuzoi një tjetër zyrtarë të administratës shtetërore të emëruar së fundmi në qytetin e Durrësit. Pas akuzave të PD-së, një nga drejtorët e portit të këtij qyteti dha dorëheqjen.

 

 

 

 

Share it :