Letër Presidentit Nishani/ Ministri Tahiri: Gjyqtari Aliu liroi kriminelë, KLD të marrë masa

Anxhela Tato

 

 

Zbulohen 9 raste vendimesh abuzive të Osman Aliut të rrëzuara nga ana e Gjykatës së Apelit

 Reagimi i ministrit të Brendshëm: Vendimet absurde dhe të kundërligjshme të këtij gjyqtari, shqetësim serioz

 

taqoMinistri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, i kërkon Presidentit të Republikës të vërë në lëvizje KLD-në për të marrë masa ndaj gjyqtarit të Kavajës, Osman Aliu. Në letrën dërguar Presidentit, i cili njëherazi është dhe kryetari i KLD-së, Tahiri shkruan se shpreh shqetësimin për vendimet e gjyqtarit të Kavajës, Osman Aliu, vendime absurde dhe shpesh të kundërligjshme. “Vendimet absurde dhe shpeshherë haptazi të kundërligjshme të këtij gjyqtari, përbëjnë shqetësim serioz për Policinë e Shtetit, e cila gjendet e detyruar të luftojë kriminalitetin ndaj të njëjtëve njerëz, që riciklohen të lirë në shoqëri nga vendime të tilla, tërësisht skandaloze”, – shkruan ministri i Brendshëm. Më tej, Tahiri shkruan se Policia është e detyruar të luftojë ndaj të njëjtëve njerëz që riciklohen të lirë, nëpërmjet vendimeve të gjykatësit Aliu, pasi janë arrestuar më parë për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, vjedhje, korrupsion, kanosje të punonjësve të CEZ dhe Policisë. Letra përmban dhe rastet konkrete të personave të liruar nga ky gjykatës, ku janë të listuara 9 raste të gjykuara në muajin shkurt dhe mars, për të cilat pas apelimit gjykata ka hedhur poshtë vendimet e Osman Aliut.

 

Lista me vendimet

• 5 SHKURT – Shtetasi Aleksandër Tafa, i akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, për të cilin prokurori kishte kërkuar “Arrest me burg”, është liruar në sallën e gjyqit. Në 12 shkurt, Gjykata e Apelit e rikthen në qeli.

• 6 SHKURT – Shtetasi Kujtim Shala, akuzuar për kanosje të punonjësve të CEZ dhe Policisë, për shkak të detyrës, prokurori kërkoi “Detyrim paraqitje”, gjyqtari e liroi në sallë pa masë.

• 7 SHKURT – Shtetasi Fatjon Metushi, akuzuar për vjedhje, prokurori kërkon arrest me burg, Gjyqtari Aliu e liron pa asnjë masë dhe Gjykata e Apelit e rikthen të akuzuarin në burg nën masën e arrestit.

• 25 SHKURT – Shtetasi Ermir Gjuzi, punonjës i Task-Forcës së CEZ ka përvetësuar 1 mln lekë nga persona të ndryshëm në shpërdorim të detyrës. Gjyqtari nuk ka vendosur asnjë masë sigurie për të dhe nuk ka zbardhur ende vendimin, megjithëse ka detyrim që ta kryejë brenda 5 ditësh, duke penguar prokurorin ta apelojë vendimin.

• 16 MARS – Shtetasi Marsel Prifti, prokurori ka kërkuar “Detyrim paraqitje” për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, gjyqtari Aliu e ka liruar menjëherë nga salla e gjyqit pa asnjë masë sigurie.

• 17 MARS – Shtetasi Nebi Hoxha, prokurori kërkon “Detyrim paraqitje” për dhunë në familje, gjyqtari Aliu e vlerëson ndalimin të paligjshëm, e liron në sallën e gjyqit, çështja është apeluar.

• 17 MARS – Shtetasi Saimir Tatani, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt prokurori kërkon arrest me burg, Gjyqtari Aliu e liron në sallën e gjyqit pa asnjë masë sigurie.

• 20 MARS – Shtetasi Ardjan Almadhi, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, prokurori kërkon detyrim paraqitje, gjyqtari Aliu e liron në sallë pa asnjë masë.

• 23 MARS – Shtetasi Kujtim Proshka, është liruar në sallën e gjyqit, ndërsa prokurori ka kërkuar “Arrest me burg”, pasi kundërshtoi forcat e policisë, u kap me armë luftarake dhe armë gjahu e municione pa leje. Gjyqtari nuk vendosi asnjë masë për të, e liroi në sallën e gjyqit.

 

 

Ministri i Drejtësisë urdhëron inspektim gjyqtarit Aliu

 Pas shqetësimit të ngritur nga ministri i Brendshëm lidhur me vendimet e dhëna nga gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu, ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë. Ministri Naço ka urdhëruar ndërkaq inspektim ndaj gjyqtari Osman Aliu, ndërsa shqetësime lidhur me punën e tij ka pasur edhe nga komisariati i policisë Kavajë. Inspektimi i veprimtarisë së gjyqtarit Osman Aliu do të ndërmerret mbi bazën e shqetësimeve të paraqitura nga Ministria e Brendshme dhe do të përfshijë vendimet gjyqësore të shpallura nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe Gjykata e Apelit Durrës, për periudhën 1.1.2014 deri më 28.3.2014., thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

 

 

Sarandë

Arratiset nga spitali i paraburgosuri, pranga policit

 Arratiset një i paraburgosur nga dhoma në spitalin e Sarandës, arrestohet një efektiv policie. Burime nga ministria thanë se arrestimi i Delo Xholit është bërë ditën e djeshme pasi duke qenë me shërbim, në ruajtje të një të paraburgosuri është larguar nga vendi i rojës, duke sjellë edhe arratisjen e Stefan Ndinit. Po të njëjtat burime thanë se, punonjësi i policisë Delo Xholi, ka qenë i planizuar me shërbim në dhomën e paraburgimit në Spitalin e Sarandës, me detyrë ruajtjen e shtetasit Stefan Ndini, i ndaluar në datën 23 mars për veprën penale të “Vjedhjes” dhe i arratisur në 25 mars 2014. Nga hetimet e kryera nga SHKB-ja rezulton se, punonjësi i policisë Delo Xholi, gjatë shërbimit në ruajtjen e të ndalurit në dhomën e paraburgimit të Spitalit Civil të Sarandës, në kundërshtim me përmbushjen e detyrës, është larguar nga shërbimi duke i krijuar mundësi të ndaluarit të largohet.

 

Aksidenti

Makina del nga rruga, përplas 2 këmbësorët

 Dy persona janë plagosur mbrëmjen e sotme në autostradën Tiranë-Durrës, pasi janë përplasur nga një automjet. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të mbikalimit të Fllakës, ku dy këmbësorët janë përplasur nga një makinë tip “Ford” me targë AA05FD, dhe më pas janë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit. Mësohet se të plagosurit janë D. F., 62 vjeçe, dhe R. H., 53 vjeçe. Ndërkohë, policia po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa ka shoqëruar drejtuesin e makinës, 31-vjeçarin G. Sh.

Share it :