Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi si vrastare për demokracinë postulatin se këta janë të këqij, por ata janë më të këqij.
Basha tha se e njëjta gjë ndodhi edhe në 2004 dhe më pas ndodhi ndryshimi i plotë në 2005-ën. Kreu demokrat theksoi se PD mbështet tërësisht reformën në drejtësi, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, duke shtuar se opozita është e investuar tërësisht në realizimin e plotë të saj.
“Dy janë projektet e mëdha që ne jemi investuar tërësisht: reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Në një intervistë televizive, kreu demokrat u shpreh se protestat e opozitës janë opsione të domosdoshme.
“Protestat nuk janë as monopol dhe as përgjegjësi e vetëm opozitës, por e çdo qytetari dhe qytetareje. Bashkimi rreth qëllimeve të mira është provuar edhe më parë. E provuam para 27 viteve, kur dukej utopi rrëzimi i sistemit diktatorial. Dukej utopi lëvizja e lirë, por sot shqiptarët po e kuptojnë atë që fituan në 2010-ën, ndërsa rrezikojnë ta humbasin atë, pasi po i kthejnë në kufi”, tha Basha.
Sipas tij, shqiptarët nuk duhet ti mbajnë sytë nga aeroporti apo trageti por ti mbajnë sytë ndaj njëri-tjetrit.
“Të ndërtojmë një bashkësi vlerash, si e vetmja mënyrë që do të na nxjerrë në breg, ashtu sikundër ka ndodhur në vendet e tjera”, tha Basha.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se djegia e mandateve të deputetëve është reagim, por jo zgjidhje.
Në një intervistë televizive, Basha tha se Zgjidhja është të rikthejmë demokracinë, të rikthejmë shtetin ligjor.
“Djegia e mandateve është reagim. Pra është reagim, nuk është zgjidhje. Zgjidhja është të rikthejmë demokracinë, të rikthejmë shtetin ligjor. Së pari është duke detyruar vjedhësin e sendit të vjedhur të kthejë sendin e vjedhur. Me 25 qershor është vjedhur një mandat qeveritar që nuk i takon Edi Ramës.
Hapi i parë është kthimi i sendit të vjedhur, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes një qeverie antimafia e cila nuk përbën pengesë, apo kërcënim për reformën në drejtësi, por që zbaton atë reformë në drejtësi, siç ka kaluar me konsensus të plotë, me 140 vota në Parlamentin shqiptar, dhe që është e përkushtuar për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin qeverinë e tyre të lirë dhe bazuar mbi praktika demokratike, jo me tepsi, kazan e timon, por mbi oferta politike”, theksoi kreu demokrat.
Pas seancës parlamentare ku u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme, ish-Kryeministri Sali Berisha hodhi idenë e djegies së mandateve të deputetëve të opozitës, ndërsa pak ditë më pas në një intervistë tha se i qëndronte kësaj ideje.



