SUPLEMENT / NE & LIGJI

E drejta dhe ligji përballë qytetarëve, sa të informuar jemi?

 

drejtesia1-550x360Për herë të parë në tregun mediatik shqiptar, gazeta “Standard” ofron një shërbim informativ për qytetarët përballë ligjeve dhe drejtësisë. Një suplement javor, “Ne & Ligji”, e organizuar dhe përgatitur nga një grup studentësh të Drejtësisë, përveçse frymës inovatore në median shqiptare, do të paraqesë çdo javë informacionet bazë për të drejtat juridike që ka çdo shtetas sipas ligjeve në fuqi. Duke reflektuar mbi varfërinë e informimit që kanë qytetarët rreth të drejtave të tyre përballë ligjit, prej së cilës shprehen e mbrohen, “Standard” shkon afër lexuesve për të besuar se ndjeshmëria për t’u informuar do të përmbushë këtë qëllim. Qytetari në jetën e tij të përditshme ndeshet me një tufë kontratash, të të gjitha natyrave për të firmosur, pa pasur shpesh dijeni se çfarë është shkruar në to. Familjet dhe fëmijët përfundojnë në dyert e gjykatave, pa mundur të njohin siç duhet të drejtat e tyre apo çfarë u ofron ligji. Krimi dhe dhuna përplasen në edicionet informative, por asnjëherë pa kuptuar se çfarë ndodh pas duarve të lidhura në pranga. Hendeku që ekziston midis avokatit dhe qytetarit, funksionit të institucioneve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit e shfaq përditë e më shumë realiteti ynë. Mungesa e njohjes së të drejtave qytetare çon shpesh në skllavërinë e tyre, nënshtrimin, ryshfetit, korrupsionit, kompromisit… duke prekur pa përjashtim të gjithë. Të njohësh Të Drejtat e tua është një mundësi informimi që për herë të parë e kryen në shërbim të qytetarit gazeta “Standard”, çdo javë, në ditë të enjte.

 

Kontrata e shitjes, kur është momenti për të firmosur

 Shitblerja është një nga proceset që na shoqëron më së shumti në ditët e sotme. Janë nevojat e shoqërisë që çojnë në domosdoshmërinë e një procesi të tillë në mungesë të të cilit nuk do të kishim dot gjithçka që na duhet. Pikërisht, pamundësia për të prodhuar vetë çdo gjë që na nevojitet na drejton ne te blerja e personi që ia blejmë produktin te shitja e tij. Ky proces realizohet me anë të kontratës së shitjes. Kontrata e shitjes ka për objekt kalimin e pronësisë së një sendi, të drejte (e drejta e përdorimit të një sendi, e drejta e shpikjes, e drejta e shfrytëzimit të të ardhurave të tyre) dhe kalimin e sendit apo të drejtave të ardhshme. Në këtë rast fitimi i pronësisë bëhet sapo sendi apo e drejta pranohen se ekzistojnë. Elementi i domosdoshëm i kontratës së shitjes është çmimi që përcaktohet në kontratë. Palët bien dakord edhe për mënyrën e caktimit të çmimit (ata mund t’ia besojnë caktimin e çmimit një pale të tretë të përcaktuar në kontratë). Çmimi përcaktohet në monedhë vendase ose të huaj në bazë të marrëveshjes. Çmimi paguhet në momentin e lidhjes së kontratës ose në një çast të dytë të përcaktuar në kontratë. Blerësi mund të pezullojë pagimin e çmimit kur ka arsye për të besuar se sendi apo një pjesë e tij mund të jetë objekt pretendimi nga persona të tjerë, përveç kur shitësi jep garanci apo kur blerësi njihte rrezikun në momentin e shitjes. Blerësi është i ngarkuar me shpenzimet e kontratës së shitjes, por në kontratë mund të parashikohet që këto shpenzime t’i ngarkohen shitësit. Shitësi duhet të dorëzojë sendin në datën e caktuar në kontratë dhe në gjendjen që ndodhej sendi në momentin e lidhjes së kontratës në të kundërt sendi konsiderohet me të meta (me përjashtim kur ndryshimet e sendit janë të pashmangshme). Në rast se dorëzimi fizik i sendit është i pamundur të bëhet shitësi ka detyrimin që në momentin e lidhjes së kontratës të dorëzojë të gjithë dokumentet e pronësisë.

Kontrata e shitjes, cilat janë kriteret për pasuritë e paluajtshme?

Specifikisht për kontratën e shitjes së sendeve të paluajtshme kërkohen disa kritere të posaçme: Kontrata për pasuritë e paluajtshme duhet bërë me akt noterial për efekt vlefshmërie dhe të regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, blerësi mund t’i kundërshtojë të metat e sendit të paluajtshëm brenda një afati 5-vjeçar nga momenti i dorëzimit të sendit ndryshe i parashkruhet kjo e drejtë. Regjistrimi pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bëhet për efekt provueshmërie dhe njohje tek të tretët.

Rastet e zgjidhjes së kontratës janë:

Mosdorëzimi i sendit në afat për vetë faktin se përbën një mospërmbushje të rëndësishme për blerësin duke qenë një element thelbësor i kontratës dhe sepse kjo mospërmbushje mund t’i sjellë dëme të pariparueshme blerësit ose deklarimi nga shitësi se nuk do ta dorëzojë sendin brenda afatit.

Blerësi ka të drejtë të deklarojë zgjidhjen e kontratës në rastet kur sendi është dorëzuar me të meta të tilla që cenojnë thelbin e sendit dhe e bëjnë atë jofunksional.

Shitësi ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e kontratës, kur blerësi nuk paguan çmimin në afat ose pas kalimit të afatit shtesë të caktuar nga shitësi.

Punoi: Beklie Lala

KUSHTETUESE/ Të drejtat themelore të njeriut

Kushtetuta, ligji themeltar i vendit tonë, hyri në fuqi më 28 nëntor 1998, me referendum mbarëpopullor. Kushtetuta është burimi kryesor i gjithë sistemit ligjor të një shteti. Përveç rregullimeve të fushave të veçanta të së drejtës, një pozitë të rëndësishme zë katalogu i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që është tregues kryesor i renditjes së Kushtetutës sonë në radhën e kushtetutave demokratike të Evropës Perëndimore. Të drejta themelore janë ato të drejta që gëzojnë mbrojtje kushtetuese dhe ndërkombëtare, pavarësisht nga përmbajtja e tyre. Cilët janë subjektet që përfitojnë nga këto të drejta? Titullarë të të drejtave themelore janë jo vetëm shtetasit shqiptarë, por edhe të huajt dhe personat pa shtetësi, përcaktim i bërë ne nenin 16. 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë me përmbajtje: Të drejtat e liritë themelore si dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë për shtetasit shqiptarë vlejnë njëlloj edhe për të huajt e për personat pa shtetësi në territorin e Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur Kushtetuta e lidh në mënyrë të posaçme me shtetësinë shqiptare ushtrimin e të drejtave e të lirive të caktuara (p.sh. të drejtat elektorale). Për vetë karakterin e ndjeshëm që kanë këto të drejta, nuk mund të kufizohen në bazë shtetësie, por disa të drejta që nuk përfshihen te të drejtat themelore të huajt mund t’i gëzojnë vetëm në bazë të reciprocitetit, kjo domethënë që këtë të drejtë që e gëzojnë të huajt në Shqipëri duhet ta gëzojë dhe shtetasi shqiptar në shtetin shtetësinë e të cilit i huaji ka. Të drejtat themelore janë: e drejta për jetën, e drejta për të gëzuar jetën private, e drejta e pronës private, e drejta për informim, e drejta për një proces të rregullt ligjor, liria e ndërgjegjes dhe e fesë, liria dhe siguria personale, liria e shprehjes. Rëndësia e këtyre të drejtave tregohet dhe në kushtet specifike dhe rastet e rralla kur mund të kufizohen. Kufizimi bëhet vetëm me ligj, në përpjesëtim me vetë të drejtën dhe pa cenuar thelbin e saj, pa kaluar kufizimet e parashikuara ne Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut. Shqipëria mund të bëjë hapa të pafundmë për demokratizimin e këtyre të drejtave, por minimumi i tyre është ai i përcaktuar në Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut.

Punoi: Rimonda Dhjari

 

Martesa, çfarë duhet të dimë para se të themi “pranoj”

 

Martesa, liri dhe e drejtë

Martesa, si baza e krijimit të familjes në shoqërinë e sotme, është e mbrojtur nga shteti dhe nga organizma të tjerë ndërkombëtarë. Kështu, Kushtetuta jonë, në nenin 53 të saj, si dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në nenin 12, e rendisin martesën si një liri themelore, të pamohueshme. Në këtë mënyrë ajo është një e drejtë e fituar me lindjen e njeriut, por ajo është një veprim tërësisht privat, në vullnetin e vetë individit, dhe jo i detyrueshëm. Liria e individit nuk kufizohet vetëm në faktin nëse do të lidhë martesë ose jo, por edhe në zgjedhjen e bashkëshortit/bashkëshortes së ardhshme. Vetë Kodi ynë i Familjes dëshmon liri të gjerë në lidhjen e martesës.

 

Kufizimet në lidhjen e martesës

Por kujdes! Legjislacioni ynë vërtet parashikon liri në lidhjen e martesës, por përkrah tyre kemi edhe kufizime. Kufizimet nuk mund të përbëjnë kurrsesi diskriminim racor, fetar, të shtresave shoqërore apo lirinë për të zgjedhur bashkëshortin e ardhshëm. Sipas parashikimeve te Kodit të Familjes, dy persona nuk mund të lidhin martesë nëse ekziston një nga pengesat e mëposhtme: nuk është ndërprerë ligjërisht martesa e mëparshme; ekziston një sëmundje psikike apo një zhvillim i metë mendor te njëri nga personat, që e bën të pamundur kuptimin e rëndësisë së martesës dhe pasojave të saj; lidhja gjinore dhe lidhjet e gjakut deri në shkallën e katërt; lidhjet e krushqisë; lidhja familjare e bazuar në birësim; marrëdhënia e kujdestarisë.

 

Kushtet për lidhjen e martesës

Personat që lidhin martesë duhet të jenë në moshë madhore, pra mbi 18 vjeç, edhe pse legjislacioni ynë bën përjashtime, por të vlerësuara rast mbas rasti nga Gjykata. Bashkëshortët e ardhshëm duhet të shfaqin pëlqimin e tyre personalisht dhe njëkohësisht përpara punonjësit të Gjendjes Civile, duke deklaruar me përgjigje pohuese pozitive. Një ndër kushtet e tjera është mosqenia e pengesave ligjore të trajtuara më sipër.

 

Forma e lidhjes së martesës

Lidhja e martesës ndahet nga legjislacioni ynë në tri momente kyçe: faza e parë është ajo para lidhjes së martesës dhe ka të bëjë me përmbushjen e disa formaliteteve që informojnë nëpunësin e Gjendjes Civile për qëllimin e ligjshëm të martesës, duke bërë një kërkesë për shpalljen e martesës, nga vetë bashkëshortët e ardhshëm ose nga një përfaqësues i pajisur me prokurë të posaçme. Shpallja e martesës bëhet për efekt njohjeje ndaj palëve të treta, 10 ditë përpara lidhjes së martesës kjo fazë mund të kalohet për shkaqe të arsyeshme të vlerësuara nga Gjykata me kërkesë të prokurorit. Gjatë kësaj faze mund të bëhen kundërshtimet për lidhjen e martesës, por vetëm nga një rreth i ngushtë personash si prindërit e bashkëshortëve të ardhshëm, bashkëshortit në rast se ndonjëri prej tyre nuk e ka përfunduar martesën në rrugë ligjore, kujdestari ose prokurori i rrethit. Me vlerësimin e kundërshtimit, punonjësi i Gjendjes Civile mund të pezullojë lidhjen e martesës, mund të refuzojë marrjen në konsideratë të kundërshtimit ose të refuzojë lidhjen e martesës. Për vetë rëndësinë që paraqet, lidhja e martesës bëhet në një mënyrë solemne. Ajo duhet lidhur para një autoriteti, siç është nëpunësi i Gjendjes Civile, në një vend të përcaktuar nga ligji, me praninë personale të dy bashkëshortëve të ardhshëm dhe dy dëshmitarëve, duke u zhvilluar publikisht. Nëpunësi i Gjendjes Civile nga ana tjetër ka për detyrë identifikimin e personave që do të lidhin martesë, konstaton plotësimin e kushteve dhe praninë ose jo të pengesave, u lexon subjekteve në fjalë të drejtat e detyrimet që lindin nga martesa, merr pëlqimin e tyre, shpall lidhjen dhe më së fundi harton aktin e martesës në regjistrin e martesave, me nënshkrimin e bashkëshortëve dhe dy dëshmitarëve, duke e regjistruar edhe në Regjistrin Themeltar. Momenti në të cilin martesa do të prodhojë efekte juridike, është shpallja nga ana e nëpunësit të Gjendjes Civile, nga ky moment do të rrjedhin të drejtat dhe detyrimet nga lidhja e martesës. Ndërsa akti i martesës nuk është kusht për vlefshmërinë e saj, por vetëm për të provuar që martesa është lidhur. Pra, martesa vërtetohet me aktin e martesës, ndërsa statusi i të martuarit provohet me certifikatën e martesës, e hartuar nga shërbimi i Gjendjes Civile, mbi bazën e aktit të martesës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në cilën moshë fillon përgjegjësia penale për krime dhe për kundërvajtje

PENALE/ Krime vs kundërvajtje

 Vepra penale përbën çdo veprim apo mosveprim të vendosur nga ligjet në fuqi, shkelja e të cilave shoqërohet me sanksione. Veprat penale kanë dy ndarje të mëdha: Krime dhe kundërvajtje penale. Dallimi kryesor i kësaj ndarjeje qëndron në rrezikshmërinë shoqërore të secilës prej tyre. Krimet kanë rrezikshmëri më të madhe shoqërore se kundërvajtjet, duke qenë se drejtohen ndaj objekteve kryesore, si: jeta, pasuria, rendi kushtetues etj. Ndryshim tjetër mes tyre është në moshën që duhet të ketë autori për përgjegjësi penale. Përgjegjësia penale për krime fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet në moshën 16 vjeç. Kjo moshë i referohet kohës së kryerjes së veprës penale. Legjislatori ka vendosur këtë kufi, pasi prezumohet se në këtë moshë personi arrin pjekurinë për të kuptuar veprimet e tij. Dënimet që zbatohen për këto dy vepra janë të ndryshme. Dënimet kryesore për krimet janë: burgim, burgim i përjetshëm, gjobë. Dënimi me burgim për krime jepet për një kohë nga 5 ditë deri në 25 vjet. Dënimi me gjobë jepet për një shumë që fillon nga 100 mijë deri në 10 milionë lekë. Dënimi me burgim të përjetshëm, duke qenë sanksioni më i rëndë i parashikuar për krime, kërkon plotësimin e kushteve specifike të parashikuara nga Kodi Penal. Burgimi i përjetshëm jepet për personat qe kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe vetëm ndaj burrave dhe së dyti personi duhet të ketë kryer një krim të rëndë. Vlerësimi si krim i rëndë bëhet nga gjykata rast pas rasti, në varësi të objektit të cenuar dhe të pasojave që kanë ardhur nga krimi. Dënimet për kundërvajtjet janë dënimi me gjobë nga 50 mijë deri në 3 milionë lekë, ndërsa dënimi me burgim jepet për një kohë nga 5 ditë në 2 vjet.

Punoi: Rimonda Dhjari

Share it :