As “ujqërit e dëborës”, as vendasit nuk kanë arritur që të marrin një rezultat që i favorizonte për ndeshjen e radhës
Ekipi i Josës pret më i favorizuar sfidën në Korçë për të siguruar kualifikimin në finale
Sfidë tjetër emocionuese e gjysmëfinales ka qenë edhe përballja midis Flamurtarit dhe Skënderbeut. Një sfidë shumë e fortë dhe që gjithmonë ka dhuruar emocione. Jo vetëm luftë në aspektin sportiv, por edhe jashtë saj ku disa herë ka pasur edhe dhunë. Por sigurisht, që gjysmëfinalja midis të dyja ekipeve ka edhe më shumë presion. Kjo, pasi secila e dëshiron shumë kualifikimin në finale, por edhe fitoren përballë një rivali të përbetuar. Të dyja ekipet e kanë nisur sfidën mjaft fort dhe duke mos lejuar gabime. Referuar kronikës së lojës, duhej të vinte minuta e 6-të, që të regjistrohej rasti i parë në portat përkatëse. Shkëmbi, afër vijës ballore të zonës së portës vlonjate, ekzekuton një goditje dënimi, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të Mockës. Një minutë më pas, Pejiç pason bukur për Alikajn, që futet në dyluftim me Mockën. Të dy pësojnë dëmtim dhe duhet ndërhyrja e stafeve mjekësore për t’u ardhur në ndihmë. Mici pason një top të gjatë paralel me vijën anësore për G. Likën, që në afërsi të këndores kroson në zonën korçare. Atje ngrihet në ajër Bici, duke spastruar gjithçka, para se Abilaliaj të vihej në zotërim të topit. Kronometri i kryesorit Pashaj shënon minutën e dhjetë në këtë moment. Pas minutës së 20-të, loja zhvillohet e qetë dhe e kujdesshme, edhe pse Flamurtari kërkon të marrë iniciativën. Sidoqoftë, nuk ka rrezik serioz në portat përkatëse. Shkëmbi në “kullën e regjisë” së Skënderbeut filtron çdo top që adresohet për te dyshja e tij e sulmit, Pejiç-Ribaj, ndërsa në fazën mbrojtëse juglindorët shtrëngojnë radhët para Shehit. Kapiteni Shkëmbi tenton përmes një goditjeje nga distance kuadratin e Mockës, por topi kalon ngjitur me shtyllën, duke mos u dhënë mundësinë korçarëve që të festojnë. Edhe pjesa e dytë ka të njëjtën rrjedhë si ajo e pjesës së parë. Është skuadra e Skënderbeut ajo që kërkon e para me forca të shumta të shënojë. Në minutën e 52-të ekzekuton bukur një goditje dënimi Telushi, e fituar nga Gilman Lika, por aty reagon shumë mirë Shehi. Nga ana tjetër, është Alikaj ai që përgjigjet për korçarët në minutën e 60-të, por topi është pak larg kuadratit të Mockës. Gjoka vendos të bëjë zëvendësimin e parë në minutën e 76-të, duke i dhënë mundësi Pepës dhe nxori jashtë fushe Shehajn. Ekipi vlonjat kërkon me ngulm fitoren, duke vënë në presion skuadrën korçare, mirëpo nuk ka aftësinë e duhur për të ndërtuar një aksion goli. Ndërsa “ujqërit e dëborës” menaxhojnë lehtësisht lojën, duke mos kërkuar shumë ndryshime, pasi synimi i tyre është marrja e barazimit. Një rezultat 0 me 0, që i ndihmon për të qenë më favoritë në sfidën e radhës.
UEFA hedh idenë e Ligës së Kombeve
Ideja e re e UEFA-s për të krijuar Ligën e Kombeve, duke filluar nga sezoni 2018-2019 do të përfshijë të gjitha 54 federatat anëtare të UEFA-s, të cilat do të kenë mundësi të luajnë me njëra-tjetrën një kompeticon të ngjashëm me kampionatet e fundjavës. Lajmi është publikuar nga e përditshmja britanike “The Telegraph”, e cila zbulon se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv që do të zhvillohet këtë javë në Kazakistan do të miratohet edhe kompeticioni i ri, që do të nisë pas Botërorit të vitit 2018. Por si do të funksionojë konkretisht Liga e Kombeve? 54 përfaqësueset e kontinentit evropian do të ndahen në tri ose katër kategori dhe skuadrat mund të lëvizin në kategori me ngjitje ose zbritje në bazë të vendeve që do të zënë në divizionet përkatëse. 16 skuadrat më të mira të kontinentit do të luajnë në grupin e parë, që përbëhet dhe nga skuadrat më të forta. Ndeshjet mes tyre ato do t’i zhvillojnë në një periudhë dyvjeçare, gjatë datave kur janë parashikuar miqësoret, dhe do të luajnë me sistem vajtje-ardhje. Fitueset e katër divizioneve do të marrin pjesë në një “final four”, i cili mund të zhvillohet në një vend asnjanës në verën e një viti pa kompeticione ndërkombëtare. Gjithashtu, fituesit e çdo divizioni, përveçse do të kenë mundësi të ngjiten në kategori, gjithashtu do të kenë mundësinë edhe për të fituar një vend direkt për në Evropianin e ardhshëm. Sipas drejtuesve të UEFA-s, Liga e Kombeve do të jetë kompeticioni i tretë më i rëndësishëm në botë për përfaqësueset, pas Botërorit dhe Kampionatit Evropian.
Italia U-17 përmbys kuqezinjtë
Kombëtarja U-17 i nisi zyrtarisht me humbje ndeshjet e “Elite Round”, për kualifikimet në Evropianin e ardhshëm. Me fillim orën 14:00, në Çeki kuqezinjtë e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç luajtën ndeshjen me Italinë, kur dihet se në grupin tonë bën pjesë edhe Anglia e Çekia. Të vegjlit tanë kanë kaluar të parët në epërsi, me anë të kapitenit Bare, në minutën e 14-të, por s’e kanë ruajtur dot epërsinë. Për axurrët ka barazuar Felicoli 28′, ndërsa në pjesën e dytë ka qenë De Santis 61′, ai që ka përmbysur gjithçka nga pika e penalltisë dhe dhënë fitoren të tijve. Shqipëria ishte e bazuar në këtë ndeshje kryesisht te grupi i lojtarëve me të cilët u kualifikua në “Elite Raund”, ndaj edhe formacioni i sotëm, sikurse pritej, nuk kishte shumë ndryshime. Fakt është se thuajse të gjithë të grumbulluarit nga trajneri boshnjak i kuqezinjve luajnë jashtë vendit. Ndonëse është një grup shumë i vështirë nga ku do të kualifikohet vetëm një skuadër, synimi i kuqezinjve është paraqitja me nivel sa më të lartë.
Maradona: Do të më pëlqente të punoja me Guardiolën
Diego Maradona u shpreh në një intervistë për të përditshmen gjermane se do t’i pëlqente që të punojë me trajnerin e Bajernit të Mynihut, Pep Guardiola, së paku për një javë. Strategu spanjoll e fitoi titullin e Bundesligës shtatë javë pa përfunduar kampionati, ndërsa është në garë edhe në DFB Pokal edhe në Ligën e Kampioneve. “Do të doja të punoja së paku një javë me Guardiolën dhe ta vizitoja te Bajerni, ta shihja duke punuar. Do të më pëlqente kjo. Gjermania është e fortë si gjithmonë dhe një nga favoritët për Kampionatin Botëror, kjo nuk ka ndryshuar. Mirëpo, tani ka një dallim: Sot mund të shohësh ndeshje të shkëlqyera në Gjermani (Bundesligë)”, – ka deklaruar 53-vjeçari për “Sport Bild”.
Kompani: Ende nuk kemi fituar asgjë
Qendrori i Mançester Sitit, Vinsent Kompani, ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij që të mos vetëkënaqen pas fitores kundër Mançester Junajtidit. Ekipi i Pelegrinit i mposhti me rezultat 3-0 djajtë e kuq në “Old Traford”, duke u afruar në tri pikë me Çelsin, por Siti ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. “Është vetëm një hap. Skuadrat tjera janë akoma mirë. Duhet të zhvillojmë edhe shumë ndeshje. Derisa nuk i kemi pikët e nevojshme, nuk e konsideroj veten akoma atje”, – ka deklaruar Kompani për “Sky Sports”.




