Gëzim Saliu
Kryeministri jep certifikatat e para të legalizimit të miratuar nga qeveria
Pas vendimit të marrë në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Rama zhvilloi dje një takim me qytetarët në zonën e Paskuqanit në Tiranë, ku bëri publike paketën e legalizimeve. Duke theksuar se ky proces do të jetë falas, kreu i qeverisë theksoi se qeveria e tij e njeh legalizimin si detyrim vetëm për ata që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, ndërsa për shtëpitë e dyta legalizimi do të bëhet me faturë të plotë. “Ne morëm vendimin që gjithë procesin ta bëjmë falas. Ndryshimet do të na bëjnë t’i qëndrojmë zotimit që kemi dhënë për legalizimin. Ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe dua ta kujtoj, ne kemi qenë të parët në Shqipëri që kemi bërë plan për legalizimet. Por plani pësoi një ndryshim të rëndësishëm në fund të fushatës, ku duke dëgjuar qytetarët u përballëm me faktin se familje të panumërta kishin përgatitur letra deri edhe 3 herë. Shtëpitë do të kthehen në kapital të qarkullueshëm. Në 8 vjet 160 mijë familje nuk kishin marrë përgjigje. Ne morëm vendimin që gjithë procesin ta bëjmë falas. Veç faturës së shtetit, u është dashur të paguani edhe atë të pushtetit. Në dy vjet janë hapur shumë gjyqe prej legalizimeve kuturu. Nëse ne do të bëjmë legalizimin falas, do të marrim lekët nga ata që kanë dhënë. Legalizimi bëhet si një borxh ndaj gjakut dhe sakrificave ndaj atyre që janë pronarë të një shtëpie ku kanë hedhur të gjithë djersën. Paketa jonë është shumë e plotë”, – tha Rama.
Takimi
Duke bërë të ditur se procesi i legalizimeve do të lidhet edhe me urbanizimin, kreu i qeverisë theksoi se me këtë proces rivihet në qarkullim kapitali “i vdekur”. “Ne do ta lidhim procesin e legalizimeve edhe me urbanizimin, por ju duke ju kushtëzuar ju. Por dua vetëm t’ju them që ky është vetëm fillimi i një udhëtimi, që unë mendoj do ta kemi bashkë, më të gjatë se katër vjet, për të bërë nga njëra anë legalizimin dhe ju shpinë ta ktheni jo vetëm në një kështjellë që nuk vjen fadroma ta shembi, por ta ktheni në kapital të qarkullueshëm, ta përdorni për kolateral, të shkoni në një bankë të merrni një kredi, të hapni një biznes, të mbështesni studimet e fëmijëve, në mënyrë që të mos rrini me sytë nga qielli “o punë në shtet, o s’ka punë”, por të bëheni ju sipërmarrës të vegjël, të ndihmoni fëmijët të marrin shkollë më të mirë e kështu me radhë”, – iu drejtua Rama banorëve të Paskuqanit që merrnin pjesë dje në takim. Sipas Kryeministrit, ndryshimet do t’i kalojnë për miratim përfundimtar Parlamentit, do të garantojnë procesin e legalizimeve falas e ndërsa sipas tij, për ata që kanë ndërtuar në tokën që nuk e kanë në pronësi, s’mund të ketë dhënie të truallit falas. “Kush ka ndërtuar pa leje në tokën që është e tij, ne s’kemi punë fare me parcelën e tij dhe nuk do paguajë asgjë as për token. Ndërsa kush ka ndërtuar në tokën e tjetrit, nuk mund t’i kërkohet qeverisë që t’ia falë. Për këto objekte deri në trefishin e banesës çmimi do të jetë i përballueshëm për ju. Mbi trefish kalojmë në çmimin e tregut. Banesa e dytë, kush ka deklaruar dy banesa do legalizohen përsëri me vlerën e truallit”, – tha Rama, ku në fund shpërndau edhe certifikatat për disa nga banorët e pranishëm në takim. “Me këtë dokument gjithë sakrificat kthehen në titull pronësie dhe gjithsesi, koha do të tregojë çdo gjë, sepse e thashë, janë ndarë edhe më përpara letra, por kjo është letër me vlerë”.
Vendimet
Komision për administrimin e ujërave ndërkufitare, shpronësim për linjën Tiranë-Podgoricë
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u mor vendimi për shpronësimin e familjarëve që preken nga ndërtimi i linjës 400 kv Tiranë – Podgoricë. “Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, për sipërfaqe totale prej 9374.45 (nëntë mijë e treqind e shtatëdhjetë e katër pikë dyzet e pesë) m², tokë bujqësore, shtëpi, arë dhe ullishte, vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 139 117 832 (njëqind e tridhjetë e nëntë milionë e njëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë e dy) lekësh. Fondi prej 139 117 832 (njëqind e tridhjetë e nëntë milionë e njëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë e dy) lekësh të përballohet nga fondet e OST, sh.a.-së”, – thuhej në vendim. Një tjetër vendim është ngritja e një komisioni për administrimin e ujërave ndërkufitare, anëtarët e të cilit do jenë përfaqësues nga të gjitha ministritë. “Sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit asiston në çdo mbledhje të komisionit dhe ka për detyrë: a) hartimin e programit të mbledhjes; b) hartimin e drafteve sipas tematikave përkatëse; c) njoftimin e anëtarëve; ç) realizimin e detyrave të tjera që i ngarkon kryetari i komisionit” theksohej në vendimin e qeverisë. Më tej, ekzekutiv bën të ditur se Komisioni harton, shqyrton dhe i propozon ministrit të Mjedisit marrëveshje bashkëpunimi me secilin vend fqinj, duke trajtuar të gjitha çështjet që lidhen me menaxhimin e integruar të burimeve ujore ndërmjet vendeve respektive. “Për probleme dhe çështje specifike Komisioni ka të drejtën të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse. Veprimtaria e Komisionit mbështetet në legjislacionin shqiptar, si dhe në marrëveshjet e konventat ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është pale”. Ndërkohë qeveria ka shfuqizuar vendimin nr. 337, datë 15.7.1999, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Komisionit Qeveritar për Problemet Ujore me Vendet Fqinje”, i ndryshuar.
Kosovë
Gjosha nënshkruan marrëveshje me Çitakun për integrimin evropian
Ministrja e Integrimit Evropian e Shqipërisë, Klajda Gjosha, dhe ministrja e Integrimit Evropian e Kosovës, Vlora Çitaku, nënshkruan dje në Prishtinë marrëveshjen “Për krijimin e Komisionit Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe, si dhe bashkëpunimit në sferën përafrimit të legjislacionit”. Ministrja Gjosha i dhuroi homologes Çitaku në emër të qeverisë shqiptare, të gjithë legjislacionin e BE-së të përkthyer ndër vite. Marrëveshja u vlerësua e rëndësishme për procesin e integrimit evropian të dy vendeve, që është prioriteti kryesor kombëtar, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën, si dhe gjithë shqiptarët në rajon. “Koordinimi, bashkërendimi dhe përcaktimi i axhendave të përbashkëta në funksion të procesit të integrimit evropian sigurisht do të ndihmojnë edhe Kosovën edhe Shqipërinë”, – tha ministrja Çitaku. Ndërkohë, sipas ministres Gjosha, bashkëpunimi mes ministrive të dy vendeve do të sjellë një progres më të madh për Shqipërinë dhe Kosovën. “Jam e bindur që vetë procesi i integrimit e shtyn këtë përpara, si sigurinë dhe progresin për të dy vendet, si Shqipërinë dhe Kosovën”, – theksoi ajo.
Berat
Çuçi: Administrata e këtij qarku kushton 14-fish më shumë se vetë Bashkia
Një takim konsultues me përfaqësues të organeve vendore, komuna e bashki, është zhvilluar në qytetin e Beratit, ku ministri i Çështjeve Vendore ka sqaruar rëndësinë e kësaj reforme. Ai është ndalur në fjalën e tij në detaje mbi situatën e organeve vendore sot në Shqipëri dhe në veçanti në këtë qark, ku numërohen 25 njësi vendore. Në takimin e zhvilluar në Berat për reformën administrative-territoriale, ministri ka ftuar opozitën shqiptare t’i bashkohet kësaj reforme të rëndësishme për vendin, pasi, sipas tij, opozita kur ka qenë në pushtet, e ka pasur këtë reformë në programin e saj në vitin 2005, sipas tij. Sipas ministrit Çuçi, e gjithë administrata lokale në qarkun e Beratit i kushton buxhetit të shtetit 14-fish më shumë se vetë Bashkia e Beratit, pasi komunat harxhojnë deri në 96% të buxhetit të përftuar në pagesat e administratës.




