Komisioni i Ligjeve/ Mazhoranca rrëzon amendamentin për pronat, përplasje mes deputetëve Mediu dhe Fino

Florenc Drizari

 

Bashkim Fino: Mediu ia futi vetes me propozimin që bëri. Kreu i PR-së: Ju ua keni futur pronarëve

 

 mejdiu komisioni i ligjeve mediu fatmir (1)Komisioni i Ligjeve rrëzoi amendamentin e propozuar nga kreu i Partisë Republikane për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” të ndryshuar”. Përfaqësuesit e opozitës votuan pro propozimit të Mediut, ndërsa deputetët e majtë u shprehën kundër, duke argumentuar se nisma e tij është një mbivendosje në ligjet për zgjidhjen e çështjeve të pronësisë në vend dhe nuk sjell asgjë të re. Nga ana e kryerepublikanit Mediu, u tha se prona private dhe zgjidhja e drejtë është detyrim i BE-së dhe Gjykata e Strasburgut ka dhënë 8 vendime pro ndarjes së pronave. Sipas tij, projektligji nuk ka karakter rëndues financiar, por ul kostot dhe barrën financiare të dëmshpërblimit. “Me anë të shtetëzimit u është marrë toka pronarëve të ligjshëm dhe qeveria nuk mund të përdorë dy standarde. Janë shpërndarë 151 mijë hektarë tokë bujqësore, 70% e saj në mënyrë të padrejtë”, – u shpreh Mediu. Kreu i PR-së theksoi se zgjidhja e asaj pjese të tepërt të tokës që ngelet nga viti 2009 dhe 2012 shkon tek fondi i kompensimit të pronave për pronarët e ligjshëm. Sipas tij pika e kthimit nga AKKP-ja, ka procedura tejet të zgjatura që shkojnë edhe në tetë vite. Duke iu referuar ligjit 8053, Mediu tha se u njihet e drejta e pronësisë në zonat me përparësi të zhvillimit të turizmit vetëm bashkëthemeluesve të ndërmarrjeve bujqësore (pronarët e ligjshëm), por sipas tij ka njerëz që nuk i kanë marrë këto akte përdorimi, ose në kohën e bashkëthemelimi të këtyre ndërmarrjeve nuk kanë qenë prezente për arsye të ndryshme. “Ka edhe një element tjetër plus që bashkëthemeluesit edhe pse nuk kanë marrë tokën e tyre të plotë, por kanë marrë sipas kriterit për frymë dhe kanë marrë të tjetër që nuk kanë qenë bashkëthemelues sipas akteve të tjera ligjore, të cilët sipas vitit 2009 dhe ligjit 5053 nuk gëzojnë të drejtën për ta marrë në pronësi dhe kjo pjesë shkon tek AKKP-ja. Sipas këtyre akteve i thuhet kryetarit të Komunës që këtë akt vërtetimi t’ua japë pronarëve dhe nga ana tjetër u thua pronarëve të ligjshëm shko tek AKKP-ja”, – theksoi Mediu. Pas deklaratave të tij reagoi edhe relatori i projektligjit, Armando Subashi, i cili u shpreh se ndryshimet e propozuara nga deputeti Mediu nuk sjellin asgjë të re në ligjin ekzistues dhe kërkoi që të mos votohet. Gjatë shqyrtimit të amendamentit të Mediut pati edhe debate mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, i rikujtoi Mediut kohën kur ishte ministër në qeverisjen e djathtë, dukë thënë se nga ajo mazhorancë nuk është bërë asgjë për zgjidhjen e këtij problemi. Në replikë me deputetin Fino, Mediu tha se lidhur me këtë çështje, ai ka votuar kundër mazhorancës së djathtë, edhe pse ka qenë pjesë e saj në 2009-ën.

 

 

Zbardhje debatesh në Komisionin e Ligjeve

  Bashkim Fino: Është vendim qeverie. 

Fatmir Mediu: Nuk kam qenë në qeveri.
Bashkim Fino: Të kishe lënë Parlamentin, të kishe ikur.
Fatmir Mediu: Do ta mendoj tani.
Bashkim Fino: Eeee po ti ke qëndruar. Do iki kishe thënë nga qeveria – nuk rrihet me Saliun që voton kundër ish-pronarëve. Atëherë do të kënaqeshin këta pronarët e jo kështu. Voto kundër e rri në qeveri, çfarë kuptimi ka. Mos e kapni ju këtë se ça kuptimi ka (medias).
Fatmir Xhafaj: Z. Fino e keni pa mikrofon këtë besoj?
Bashkim Fino: Jo, jo, me mikrofon e kam këtë (ndez mikrofonin). Voton kundër Fatmiri se i thashë ore ke votuar kundër në 2008-ën? Po kam votuar kundër tha. Pse rri në qeveri i thashë. Kaq.
Fatmir Mediu: M’u drejtua mua zoti Fino e mos u bëj parcial tani (kryetarit Fatmir Xhafaj).
Bashkim Fino: Ti ke fol tërë ditë mor burrë.
Fatmir Mediu: Se m’u mërzit shumë z. Vasili, ka që qëparë dhe t’i jap kënaqësinë të dëgjojë deri në fund.
Petrit Vasili: Të dëgjova Fatmir, s’do të dëgjoj gjithë ditën unë ty, se kam edhe punë të tjera.
Fatmir Mediu: Meqënëse është shumë i zënë ai, se është me probleme të mëdha. A ka mundësi të jap nja dy përgjigje unë, se ka harruar që ka qenë në qeveri dhe çfarë kanë marrë.
Fatmir Xhafaj: Tani folëm në mënyrë shumë korrekte, pse ta prishim deri këtu?
Bashkim Fino: Edhe unë në mënyrë shumë korrekte e bëra edhe unë sugjerimin.
Fatmir Mediu: Qëndrimi im në raport me këtë çështje që nga viti 1991 deri në vitin 2014 që po flasim, ka qenë në favor të pronarëve dhe po t’ju kujtohet historia, kur i quanit agallarë unë i quaja pronarë. Çështjen në Bashkimin Evropian e ngritëm ne, që të kthehej në standard evropian dhe ajo që keni bërë, është që të paligjshmen e keni quajtur të ligjshme.
Bashkim Fino: E kisha pa dashur të bëja koment, por ky ia futi vetes me këtë koment që bëri, sepse është shumë e thjeshtë zoti Fatmir. Ju jeni kryetar i Partisë Republikane.
Fatmir Mediu: A ka mundësi për fjalorin?
Bashkim Fino: Zoti Fatmir thashë, unë pse?!
Nard Ndoka: Për fjalorin më parë.
Fatmir Mediu: Fatmir, por ke kryetar Fatmirin.
Bashkim Fino: Keni qenë në qeveri dhe nuk u keni dhënë asgjë ish-pronarëve. Ju keni bërë zgjedhje personale duke qëndruar si ministër, por nuk keni bërë zgjedhje si kryetar i PR-së. Kaq, këtë kisha unë.
Fatmir Mediu: Zgjedhjet janë si personale ashtu edhe politike. Pa dyshim mendoj që çdo njeri që flet të njohë përgjegjësitë e veta e jo të tjerëve. Dhe në përgjegjësitë e mia unë kam marrë vendim për të votuar kundër asaj qeverie edhe asaj mazhorance kur kam qenë pjesë. Kam përcjellë edhe ligje për këtë. Mendoj se këtë debat ta vazhdosh me veten. Në fakt ju nuk ia keni futur vetes, por ua keni futur pronarëve, ky është ndryshimi ndërmjet njëri-tjetrit.
Bashkim Fino: Ne i kemi në program pronarët.
Fatmir Mediu: Nga 2005 deri në 2013 ne kemi ndërhyrë në interes të pronarëve. Absolutisht që nuk është bërë sa duhet.
Bashkim Fino: S’të lë ai, se do të vazhdoja unë.

 

 

 

Nishani dekreton amnistinë për të burgosurit, ja kush përfiton

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi shpalljen e ligjit “Për dhënie amnistie” dhe ndryshimet në kodin e procedurës penale. Këto dy projektligje u miratuan pak ditë më parë në Kuvend me shumicë të cilësuar. Amnistia për të burgosurit është ndër më të gjerat dhe synon përjashtimin nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit e të gjithë personave që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimi i humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik. Nga amnistia përfitojnë personat e dënuar me burgim deri në 3 vjet me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri më datën 31 dhjetor 2013, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Përfitues do të jenë edhe ata persona të dënuar femra, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4. Gjithashtu, do të përfitojnë dhe personat e dënuar meshkujt që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4. Nga ky ligj përfitojnë dhe personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 4. Përfitues janë dhe personat e dënuar me burgim, të cilët, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë vuajtur efektivisht 9/10 e dënimit të dhënë, pavarësisht ndalimeve të parashikuara në nenin 4. Në këtë afat nuk llogariten uljet e dënimit, faljet ose çdo përfitim tjetër sipas ligjit.

Share it :