Florenc Drizari
Kreu i PD-së, Basha: Pavarësia e Kosovës ka orientuar edhe serbët drejt Evropës
Komuna e Deçanit vlerësoi kryetarin e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha, me titullin “Qytetar Nderi”. Në 15-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-së në Kosovë, kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, theksoi kontributin dhe mbështetjen e zotit Basha në procesin e shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj ndërkombëtare. Aktualisht, Kosova dhe Deçani përkujtojnë edhe 16-vjetorin e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin.
“Z. Basha, edhe një herë, mirë se erdhët nga Shqipëria në Shqipëri! Faleminderit që po prej kësaj dite, do të jesh edhe “Qytetar Nderi” i Deçanit dhe rrjedhimisht edhe “Qytetar Nderi” i republikës sonë dhe suajës, Kosovë. Kjo ceremoni solemne e dorëzimit të çmimit “Qytetar Nderi” i komunës së Deçanit për z. Lulzim Basha, për ne është nder i veçantë. Zoti Lulzim Basha është kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë që udhëheq Tiranën, është figurë e njohur e së djathtës shqiptare, veç të tjerash lideri demokrat Basha është mbështetës i fuqishëm i rrugës së Kosovës dhe i pavarësisë dhe lëvruesi i madh në diplomaci, për njohjen dhe afirmimin e shtetit tonë në botë, andaj ishte më se i merituar vendimi unanim e njëzëri juaj, asamblistë të nderuar të Deçanit, që zoti Basha me këtë çmim që po ia ndajmë sot, ta kemi nderin e qytetit tonë”, – u shpreh kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Basha shprehu mirënjohjen për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Deçanit.
“24 marsi është një ditë e madhe në historinë kombëtare, është dita kur shqiptarët nderojnë e përkujtojnë betejën e zhvilluar këtu në Deçan, në Gllogjan, 16 vjet më parë, është dita e epopesë së Dukagjinit që ka hyrë tashmë në histori, e betejës së madhe nën drejtimin e komandantit Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, ndaj sot dua të përulem me nderim dhe respekt para gjakut, veprës dhe kontributit të luftëtarëve të UÇK, atyre që dhanë jetën, që ne të shijojmë sot së bashku frytet e lirisë, pavarësisë së Kosovës, të ndjenjës së bashkimit kombëtar dhe të projekteve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës e Shqipërisë që po përparojnë e duhet të përparojnë”, – deklaroi z. Basha.
Sipas kreut të së djathtës shqiptare, pavarësia e Kosovës erdhi pas shekujsh përballjesh me përpjekje për gjenocide e spastrim etnik. Duke folur për aludimet e fundit nga krerët e politikës ruse për ngjashmëri mes rastit të Kosovës dhe Krimesë, Lulzim Basha hodhi poshtë çdo paralele të bërë në këtë drejtim.
“Qytetarët e rajonit, përfshirë edhe serbët kanë kthyer sytë nga Evropa. Ky është impakti që ka sjellë pavarësia e Kosovës, ky është mesazhi më i mirë pë rata që e kundërshtuan pavarësinë dje dhe për ata që nuk e kanë njohur akoma pavarësinë sot. Anëtarësimi i Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit në NATO dhe BE do i japë një fund të plotë dhe të merituar situatës konfliktuale në rajonin tonë dhe do të hapë perspektivën e një bashkëpunimi më të ngushtë, në të mirë të qyteteve dhe vendeve tona. Ata që deri dje kundërshtuan me gjithë forcën e tyre pavarësinë e Kosovës, ata që u përpoqën për të parandaluar mbrojtjen e civilëve shqiptarë nga agresioni gjenocidal serb, nga spastrimi etnik dhe nga instrumentet e tjera të tmerrshme të barbarisë e terrorit po e përdorin sot si alibi për të hequr paralele me veprimet e tyre që bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare… Në Krime, gjendja është krejt e ndryshme, ndaj çdo paralele është e pavend dhe një justifikim i presidentit Putin i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës”, – theksoi zoti Basha.
Vizita e kryebashkiakut Basha në Deçan nisi me homazhet në nderim të heronjve të kombit në qendër të Deçanit dhe në kompleksin memorial të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjan. Një manifestim i veçantë me titull: “Epopeja e Dukagjinit” ka mbyllur kremtimin e 15-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe 16 vjetorit të epopesë së UÇK-së në Dukagjin. Në këtë aktivitet përkujtimor, kryebashkiakut Basha, njëherësh kryetar i PD i është dorëzuar zyrtarisht titulli “Qytetar Nderi” i Deçanit, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare dhe angazhimin diplomatik, për njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës”.
Berisha rikujton 15-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën
Ish-kryeministri Sali Berisha rikujtoi 24 marsin si ditën kur 15 vjen më parë NATO ndërhyri ushtarakisht në Serbi për të ndalur gjenocidin serb në Kosovë. Në një koment të tijin në rrjetin social “Facebook”, Berisha thotë se kjo betejë përcaktoi fatin e shqiptarëve në rajon (Kosovës) për liri dhe të drejtat e tyre. Sot (dje) është një ditë e madhe në historinë e kombit shqiptar, por edhe NATO-s. Si sot 15 vjet me parë Aleanca e Atlantikut të Veriut nisi betejën ajrore për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Kosovë. Kjo betejë, e para e ketij lloji ne historine e NATO-s, solli kapitullimin e regjimit te Millosheviçit dhe çlirimin e Kosoves nga pushtimi i eger dhe barbar serb. Prandaj ju ftoj të dashur miq të shprehim në mirenjohjen më të thelle ndaj NATO-s dhe SHBA, të cilat udhëhoqën Aleancën drejt një fitoreje përcaktuese për fatin e shqiptarëve për lirinë dhe pavaresinë e Kosovës”, – ka shkruar ish-kryeministri Berisha.
Topalli: Një bandë që nuk njeh interes publik drejton vendin!
Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli akuzon krerët e mazhornacës për mospublikimin e detajeve për marrëveshjen e lidhur mes qeverisë dhe FMN-së.
“Kane kaluar 5 ditë që nga dita e nënshkrimit të marreveshtjes me FMN! Perveç një zëdhënësi të “rilindasit” që tha se “jemi shumë të lumtur me këtë marrëveshtje”, ditën kur Berisha i kërkoi të jepnin sqarime për kushtet e marrëveshtjes me FMN, ka vetëm heshtje prej varri! Nuk tregojnë se kjo është një marrëveshje e zeze!”, – ka shkruar në profilin e saj në “Facebook”, Jozefina Topalli. Sipas deputetes së opozitës, qeveria krerët e mazhorancës fshehin kushtet e kësaj marrëveshjeje që sipas saj, “konsistojnë në rritjen e 10 taksave të reja, në rritjen e moshes se pensionit ne 67 vjec,ne ngrirjen e rrogave per 3 vjet ,ne rritjen e TVSH per ujin e mallra te tjera, ne rritjen e cmimit te energjise elektrike, ne rritjen e takses se tokes e trojeve, në rritjen e cmimit te telefonatave te shqiptareve nga jashte, në rritjen e taksës për banesa si dhe për shitjen e tyre , në rritjen e taksës për depozitat, në rritjen e takses per makinat e perdorura,ne rritjen e cmimit te biletave të udhetimit, ne rritjen serish te aksizes se naftës, etj! Asnjë shoqëri , asnjë qytetarë nuk mund të pranojë kushte e marrëveshtje të tilla që fusin familjët e vendin në krizën e modelit grek!”, – ka shkruar Topalli. Sipas saj, “shqiptaret janë tashme jo vetëm viktima të inkompetencës së qeverisë më të paaftë qe vendi ka parë, por mbi të gjitha janë viktima të një bande që sundon vendin vetëm për pushtetin person dhe që nuk njohin e nuk mendojnë për asnjë çast për interes publik.




