Anxhela Tato
Hetimet, familja u lirua pas 2 javësh, ndërmjetës shqiptari nga Maqedonia Ebu Katede
Përgjimet, gratë e 4 shtetasve kosovar u morrin peng në shenjë hakmarrje ndaj grupeve terroriste
Familja e njërit prej viktimave të luftës në Siri u morr peng nga ushtria e opozitës dhe vetëm pas dy javësh është bërë i mundur lirimi i tyre. Detaje të bëra publike në dosjen e prokurorisë, të cilat provojnë faktin se “ushtarët” shqiptarë ndodhen në betejë përkrah grupeve terroriste, celula të lidhur me “Al-Kaedën”. Në dosjen e akuzës thuhet se fill pas vrasjes së Hasan Korvafajt, nga ushtria e opozitës u morr peng familja e tij. Bashkë me Korvafajn, nga përgjimet është mësuar se janë vrarë edhe 4 shtetas shqiptare nga Kosova si dhe janë marre peng forcat e opozitës në Siri, familjarët e tyre. Dy javë pas pengmarrjes, me ndërmjetësimin e një shqiptari nga Maqedonia, i njohur si Ebu Katede, familja Korvafaj dhe disa familje tjera shqiptarësh janë liruar nga ushtria e opozitës siriane, që tashmë i ka shpallur luftë jo vetëm regjimit të Bashar Al Assadit, por edhe grupeve terroriste si “Al-Nusra”, pjesë e të cilave janë edhe shqiptarët. Ndërkohë që një problem tjetër i evidentuar është edhe mos lejimi i kthimit në Shqipëri të bashkëshorteve të viktimave të luftës. Familja e Diamant Rrashës ka kërkuar kthimin e nuses, por nuk është lejuar që të kthehet në Siri, me motivin që gruaja duhet të luftojë.
Grupet terroriste
Ushtarët shqiptarë dërgohen në Siri për të luftuar pro celulave terroriste, të cilat duan të sjellin Sheriatin, që do të thotë feja islame mbi ligjin dhe institucionet. Nga hetimet e organit të akuzës është zbuluar se këto grupe kërkojnë rrëzimin e Bashar Al Assad dhe vendosjen e islamit të dhunshëm. Krahas bandave radikale në Siri ekziston edhe ushtria e luftëtarëve për liri, të cilat duan të hedhin poshtë regjimin diktatorial të Assadit, por me idealin e ngritjes së institucioneve të ligjit dhe demokracisë. Nga hetimet rezulton se të gjithë shqiptarët që kanë shkuar në Siri bëjnë pjesë në grupet e shpallura si terroriste dhe jo në formacionet e ushtrisë së lirë Siriane apo e njohur si ushtria e opozitës, që kërkon rrëzimin e regjimit të Bashar Al Assadit. Sipas dosjes voluminoze 85 vullnetarët shqiptarë që kanë luftuar apo vazhdojnë të jenë në front, janë të rreshtuar krah grupeve të njohur si “Al-Nusra”, “Doële” dhe nëngrupeve të tjera të krijuara nga celulat e “Al-Kaedas”, që synojnq ngritjen e një Shteti Islamik të Irakut dhe Sirisë. Këto grupe, të quajtura si më agresivët dhe më të suksesshmet në luftime, janë renditur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe SHBA-ja në listën e grupeve terroriste. Imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, Genc Balla dhe ai i fshatit Mëzes, Bujar Hysa, bashkë me besimtarët myslimane tashmë të arrestuar, përveç nxitjes së urrejtjes dhe thirrjeve e propagandimit për luftë, dërgonin vullnetarë shqiptar mes këtyre grupeve terroriste. Kjo është edhe arsyeja se pse, Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka ngritur akuzat zyrtare ndaj tyre. Sipas dosjes, të gjithë shqiptarët, që kanë luftuar dhe luftojnë në Siri, janë pjesë e njësitit ushtarak, të drejtuar nga Lavdërim Muhaxheri nga Kacaniku, i njohur në Siri, si i prijësi i shqiptarëve në xhihad.
Shkodër
Përplasen 2 automjete, në gjendje të rëndë 5 ushtarakë dhe 15-vjeçari
Dhjetë persona kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e përplasjes së dy automjeteve mëngjesin e djeshëm në aksin Mjedë- Kryebushat në Shkodër. Sipas policisë së Shkodrës, mes të plagosurve ndodhet një 15-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje kritike, si dhe 6 ushtarakë, edhe këta të fundit në gjendje të rëndë. Mësohet se aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Ura e Stajkës”. Shkak i aksidentit mësohet të ketë qenë humbja e kontrollit e mjetit tip “Benz”, me të cilin 6 ushtarakët po udhëtonin për në punë në repartin e Vaut të Dejës. Nga lagështira makina e ushtarakëve ka rrëshqitur duke goditur makinën tip “Ford” që drejtohej nga Sokol Hasmegaj, i cili po udhëtonte së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ndërkaq të plagosurit janë vizituar nga Ministrja e Mbrotjes, Mimi Kodheli, e cila ka parë nga afër gjendjen e të plagosurve në spitalin rajonal të Shkodrës. Ndërkohë policia e Shkodrës ka tentuar të fshehë ngjarjen, deri në momentin kur ka kryer vizitën e saj ministrja Kodheli. Sipas të dhënave nga spitali rajonal i Shkodrës, 5 prej ushtarakëve janë dërguar në spitalin e traumës në Tiranë, bashkë me 3 anëtarë të familjes Hasmegaj që udhëtonte në mjetin tjetër. Në Shkodër ndodhen vetëm ushtaraku Sevahir Mataj 26 vjec dhe Blerina Hasmegaj 37 vjec. Të plagosurit janë: Gentjan Rrahmani, 25 vjec ushtarak; Sevahir Mataj, 26 vjeç ushtarak; Genci Loka, 26 vjeç ushtarak; Edmond Xhupa, 34 vjeç ushtarak; Pashk Makjoshi, 33 vjec ushtrak; Sytku Zaganjohri, 59 vjec ushtarak; Sokol Hasmegaj, 45 vjeç; Blerina Hasmegaj, 37 vjeç; Suad Hasmegaj, 18 vjeç dhe S. H 15 vjeç.
Vlorë
Trafik armësh, arrestohen 4 persona
Katër të rinj nga Vlora janë arrestuar ditën e sotme pasi akuzohet për trafikim të armëve dhe municionit të mbetur në tentativë. Nga strukturat e policisë Fier janë arrestuar shtetasit Arjan Komini, 32 vjeç; Kreshnik Durmishi, 28 vjeç; Armando Malaj, 38 vjeç; dhe Mezin Ademi, 24 vjeç, të katërt nga Vlora. Këta shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar për trafikimin e 2 armëve automatike dhe 5 krehrave me fishekë. Ndërkaq, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm penal.
Tiranë
Makina po ndiqej nga policia, përfundon në dyqan
Një makinë tip “BMË” ka përfunduar në një dyqan në Kamzë, pasi ndiqej nga policia. Sipas burimeve nga blutë mbrëmjen e së enjtes dy makina çanë postbllokun e policisë. Në Kamzë, policia ndoqi personat e armatosur e të dënuar për vrasje, ku N.Gj., ishte kapur në janar për 2 vrasje në Bulqizë dhe Tiranë, por që rezulton i lirë. Në automjetin e bllokuar, që duket në foto, i cili thuajse hyri në një dyqan celularësh, nuk janë gjetur armë ndërsa dyshohet se kanë mundur të largohen 2 nga 3 personat që gjendeshin në të. Operacioni drejtohej nga njëri prej dy zv-drejtorëve të Policisë së Tiranës për bllokimin e disa personave të rrezikshëm dhe të armatosur që vinin nga Burreli.
Durrës
Të shtëna me armë në rrugë, arrestohet autori
Të shtëna armësh janë regjistruar mëngjesin e djeshëm në rrugën “Aleksandër Goga” në Durrës, por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes disa të rinjve. Policia ka vënë në pranga personin që qëlloi me armë, me origjinë nga Kavaja, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Sipas policisë, autori ka qëlluar me breshëri automatiku dhe më pas është larguar duke hedhur në tokë armën, por është arrestuar vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes. Ndërkaq, policia ka shoqëruar edhe dy persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve okularë, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Kjo situatë ka shkaktuar panik tek nxënësit dhe prindërit, të cilët i drejtoheshin dyerve të shkollës këtë mëngjes në qytetin e Durrësit.




