Anxhela Tato
Prokuroria, imamët e arrestuar indoktrinonin fëmijët me koncepte radikale të fesë islame
Përgjimi, Bujar Hyska: I kishte bërë gati katër persona të tjerë, dy prej tyre janë për rrugë pa kthim
“Më ka vrarë kushdo që heshti/ e nuk nxiti për në Siri/ më ka vrarë ai që s’deshi/ të kish xhihadë si ti”. Ky është një fragment nga poezia e një prej nxënësve të shkollës së xhamisë së Unazës së Re, ku të miturve u mësohej fryma radikale e fesë islame. Fëmijët indoktrinoheshin me konceptin e vdekjes në luftë si një nder i madhërishëm që do t’i dërgonte në Parajsë. Sipas hetimeve të organit të akuzës dy imamët Genci Balla dhe Bujar Hyska nxisnin tek të miturit urrejtjen ndaj kujtdo që kundërshton luftën në Siri, dhe adhurimin për luftëtarët si heronj që japin jetën në betejë. Ndërsa ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve, të cilët prindërit i shkëputën nga arsimi publik duke i kyçur në xhaminë e Unazës së Re, nën trysninë e koncepteve ekstremiste islame. Ministria e Arsimit deklaroi se do nisë inspektimet nuk ka ende një listë me numrin dhe emrat e fëmijëve që kanë ndërprerë shkollën vitet e fundit dhe që dërgoheshin nga prindërit për të mësuar në katin e fundit të xhamisë ilegale në Tiranë. Në materialet e grupit të hetimit prokurorët përmendin mes të tjerash faktin e provuar në përgjime, në çastin kur shtetasi shqiptar me emrin e ndryshuar në Ebu Muhamet është nisur nga Shqipëria për të luftuar në Siri, imami Bujar Hysa gjithashtu edhe mësues i fëmijëve në Xhaminë e Unazës së Re, shprehet i gëzuar në një telefonatë pasi njëri nga fëmijët ka shkruar një poezi për luftëtarin. Pas këtij komunikimi është vendosur që poezia të hidhet në një faqe interneti, ku publikoheshin më së shumti ligjërimet. Në këtë poezi që mban datën 20 dhjetor 2012, fëmija lutet të bëhet luftëtar, siç edhe Ebu Muhameti e të shkojë edhe ai në fushë-betejë. “E lus Allahun që si ti, të rend ku burrat rendin/ ti nëse në fushë nëse bi’/ unë ta zej ty vendin”. Fëmija shton: “Në këtë botë mos u takofshim/ dhe pse mall po ndjej/ lutjet tona u pranofshin/ rafsh në fushë-betejë”.
Indoktrinimi
Me vrasjen në Siri të Hasan Korvafajt, imamët flasin në telefon dhe njëri prej tyre shprehet se fëmija ka shkruar sërish një tjetër poezi për të vrarin, ku përveçse vajton, shkruan për të në veten e parë. fëmija flet po ashtu për “shehidët”, që do të thotë “martirët”, forcimin e vëllazërisë dhe krijimin e shtetit islamik. “Më ka vrarë kushdo që heshti/ e nuk nxiti për në Siri/ më ka vrarë ai që s’deshi/ të kish xhihadë si ti. …erdha t’ju jap pushkën time/ dhe llogoren t’ju tregoj/ merreni nëpër luftime/sepse unë pak do pushoj/ Erdha t’ju jap amanetin, mos më rrini të pezmatuar/ sepse sot e kemi shtetin për kaq kohë kemi ëndërruar”. Por ndërsa për këtë pikë prokurorët dhe agjentët e anti-terrorit në Policinë e Shtetit po këmbëngulin të sigurojnë listën me emrat e fëmijëve në lidhje me rekrutimin e të rriturve dhe indoktrinimin e tyre, një burim e shpjegon vetëm me një fragment përgjimin ku njëri nga imamët flet në telefon me një tjetër shqiptar që ndodhet aktualisht në Siri duke i shpjeguar se “i kishte bërë gati katër persona të tjerë, dy prej tyre janë gati për rrugë pa kthim”, – thotë imami Bujar Hysa , i cili bashkë me Genci Ballën kanë rolin kryesor të organizatorëve në grupin e 13 personave që akuzohen për rekrutim të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste, nxitje, thirrje dhe propagandë për kryerjen e veprimeve terroriste dhe nxitje të urrejtjes.
Vlorë
Zjarrvënia makinës së biznesmenit, arrestohen 3 autorët
Një borxh i papaguar është shkaku i djegies së makinës së biznesmenit Altin Sulo, pak ditë më parë në lagjen “Pavarësia” të Vlorës. Policia e qytetit bregdetar arrestoi dje 3 të rinjtë që akuzohen se i kanë vënë zjarrin makinës. Ndërkohë burime nga hetimet bëjnë të ditur se shkak i zjarrvëniës mund të jetë një borxh që mendohet se biznesmeni u kishte të rinjve. Autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur më 17 mars 2014 në lagjen “Pavarësia” janë Leo Muharremaj, 35 vjeç, Erlind Xhemali, 24 vjeç dhe Besmir Hameti, 21 vjeç, të tre banues në Vlorë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të 3 këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë djegur me lëndë djegëse automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa CY490CE në pronësi të shtetasit Altin Sulo, i cili ia kishte dhënë në përdorim shtetasit A. P. Flakët i janë vënë makinës “Mercedez Benz” tip ML, dhe më pas ato kanë përfshirë dhe makinën tjetër ngjitur, Benz tip “E-Class”. Të dyja makinat ishin parkuar poshtë pallateve në këtë zonë. Policia hetoi pistën e një zjarrvënieje të qëllimshme të makinës tip ML, ndërsa pas arrestimit të 3 autorëve pritet të merret edhe dëshmia e tyre, përmes së cilës do të zbardhen edhe shkaqet e ngjarjes. Deri më tani është mësuar se biznesmeni u kishte borxh një sasi të konsiderueshme lekësh 3 autorëve të ngjarjes, ndërsa edhe pas përpjekjeve të shumta për t’ua shlyer, kjo çështje kishte mbetur e hapur.
Korçë
Grabiti kazinonë, pranga autorit
Arrestohet një person si i dyshuar për grabitjen e një kazinoje në Korçë. Sipas informacioneve që vinë nga policia e Korçës është bërë e mundur kapja e Nestur Ruços, 35 vjeç, i cili dyshohet se grabiti me armë kazinonë para katër ditësh. Nga grabitja, në kazino u morën 1.5 milion lekë. Blutë e Korçës, në vijim të zbardhjes së ngjarjes kanë sekuestruar kamerat e bizneseve që ndodhen afër kazinosë.
Bulqizë
Gjendet kufoma e një mashkulli, nisin hetimet
Gjendet një trup i pajetë në komunën Gjoricë të Bulqizës. Sipas informacioneve të policisë, kufoma, e seksit mashkull mendohet të jetë rreth moshës 55-vjeç. Policia e Bulqizës ka bërë me dije se trupi i pajetë është gjetur poshtë urës së Zallës. Ndërkohë, po punohet për identifikimin e kufomës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërsa trupi i pajetë ndodhet në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, e cila do të ndihmojë blutë në zbardhjen e plotë të rrethanave.
Korçë
Shpërthen pompa e vaditjes, vdes 35-vjeçari
Një ngjarje e rëndë është shënuar dje në fshatin Potgorie në qarkun e Korçës. Një shtetas 35-vjeçar me inicialet B.Ç ka qenë duke spërkatur pemët në bahçen e tij, kur i ka plasur pompa. Nga shpërthimi i pompës 35-vjeçari ka marrë plagë të rëndë. Menjëherë është dërguar për në spitalin e qytetit, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra dhe pas disa minutave ka ndërruar jetë.




