Media italia/ Grupet kriminale shqiptare në krye të rrjetit të prostitucionit

Anxhela Tato

 

Bilanci i prostitucionit, 5 miliardë euro në vit nga grupet kriminale shqiptare, rumune dhe afrikane

Paolo Lisi, drejtori i Policisë së Milanos: “Krimi shqiptar, rolin kyç në menaxhimin e pazareve”

 

 

prostitutes11371658691Ndonëse kanë humbur kontrollin e dërgesave të “mishit të bardhë” në Itali, për shkak të mbylljes së ngushticës së Otrantos, shqiptarët vijojnë të zotërojnë kontrollin mbi rrjetet e prostitucionit në shtetin fqinj, pasi janë gjobëvënësit e rumunëve. Momentalisht Rumania dhe Nigeria mbajnë vendet kampione përsa u përket “ushtrive” me 120 mijë prostituta të huaja që hyjnë përtej Adriatikut. Mediat italiane, orët e fundit kanë bërë një bilanc të prostitucionit në vendin e tyre, ku rezulton se të paktën 5 miliardë euro qarkullohen në vit nga grupet kriminale afrikane, rumune dhe shqiptare, ndërsa vetëm në Lombardi bëhet fjalë për 1 miliardë euro. Ndërkaq, për një vajzë nigeriane, bosët marrin lejen e familjes dhe u paguajnë të gjitha shpenzimet për në Itali, teksa në fund vajzat e gjejnë veten me 70 mijë euro borxh, të cilat duhen shlyer me shitjen e trupit. Sipas Marina Mancuso dhe Mirta Da Pra, zyrtare të projektet antitrafik “Abele” thonë se shumë vajza vijnë edhe nga Libia, ndërsa vajzat nga Europa Lindore janë rekrutuar me mashtrim, shpesh marrin premtime të rreme për martesë. Ndërkaq, Nadia Folli, nga Caritas tha se që me mbylljen e ngushticën e Otrantos, Shqipëria ka humbur rolin e saj qendror në rrjedhën e dërgimeve të vajzave italiane nga Europa Lindore. Vendin e saj e ka zënë Rumania, pas hyrjes në BE në vitin 2007, e cila është bërë një nga pikat kryesore fillestare të viktimave të shfrytëzimit seksual.

Të ardhurat

Një vajzë llogaritet të sjellë fitime deri në 6 mijë euro në muaj. “Në këtë kontekst, krimi shqiptar vazhdon të luajë një rol kyç në menaxhimin e pazareve, pasi grupet kriminale të kombësive të tjera janë në varësi të tyre”, shpjegon Paoli Lisi, drejtor i policisë në Milano. Ai shton se: “Shqiptarët janë shumë të organizuar. Ata bëjnë para duke lëshuar me qira tokën për tutorët rumunë”. Ndërkaq, Lisi thekson: “Nga Tirana dhe rrethinat vijnë grupe të organizuara kriminale, që janë degëzuar në disa struktura. Disa subjekte operojnë në Itali dhe të tjerë udhëtojnë në Shqipëri. Pastaj, paratë e mbledhura nga qiraja e trotuarit, i riinvestojnë në drogë dhe armë. Në shumë raste përdoren të njëjtat vajza prostituta si shpërndarëse droge”. “Nuk mund të them se janë të skllavëruar të gjitha vajzat, ka raste të ndryshme”, – thotë Emmanuel Zorini, nga “Lule”. Në këto grupe kriminale janë të përfshirë edhe strukturat e mafies italiane si Camorra, Cosa Nostra dhe Ndrageta, por ato janë të interesuara më tepër në drogë dhe armë. Vetëm në Lombardi, të ardhurat nga prostitucioni vlerësohen maksimale, prej më shumë se 1 miliardë euro. Shifrat e larta marrin edhe më shumë në peshë në krahasim me të ardhurat e zonave të tjera të krimit si armët, falsifikimet, kumari, grabitjet, etj. Vetëm shitja e drogës ia kalon kësaj shifre. Mbrëmjen e së premtes, më 21 mars në rrugët e qendrës historike të Romës, u organizua një takim nga shoqata “Papa Gjon XXIII”, Komuniteti i themeluar nga Don Oreste Benzi. Përveç mesazheve për t’i dhënë fund skllavërisë, në këtë aktivitet u theksua se në rrjedhën e vitit 2013, ka pasur 400 viktima të trafikimit të përfshira në programet e mbrojtjes sociale, ndërsa në rrugë janë ndeshur 10 400 gra. Rreth 7 000 janë liruar që nga viti 1995. Ndërkaq, u theksua se numri i përgjithshëm i viktimave të trafikimit, në vitin 2013, është më shumë se 120 000 gra, nga të cilat 37 % janë të mitura. Vajzat vijnë nga Nigeria (36 %) , Rumania (22 %), Shqipëria (10.5 %) , Bullgaria (9 %), etj. Moshat shkojnë nga 13 deri 17 vjeç ( 37 %), të moshës 18-30 (52 %) dhe mbi 30 (11 %). Deri në 56 % të femrave raportojnë se kanë vuajtur dhunë seksuale, fizike (32 %) dhe psikologjike (12%).

 

Vlorë

Sekuestrohet gomonia dhe një arsenal armësh, ndalohen 3 persona

Sekuestrohet një gomone dhe një arsenal armësh në bregdetin e Vlorës, afërsi të Hoxhares. Sipas informacioneve, blutë e Vlorës kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin të shtetasve M. A., 24 vjeç, K. D., 28 vjeç si dhe A. K., 38 vjeç, të cilët dyshohen të kenë qenë në gomone. Pas kontrolleve të policisë rezultoi se në gomone ndodheshin dhe 2 arme automatike, kallashnikov dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh. Njëri prej të shoqëruarve ka tentuar ti largohet policisë, me një automjet tip Ëolksvagen Lupo, por është kapur nga patrulla. Operacioni është ndërmarrë nga strukturat e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Emigracionit, në bashkëpunim me Guardia di Finanza. Operacioni u finalizua rreth orës 02.30 të mesnatës së sotme. Sipas informacioneve që vinë nga Ministria e Brendshme, mjeti lundrues është pikasur rreth 200 m në brendësi të detit, i cili u largua në drejtim të te Zvernecit. Mbas ndjekjes së policisë, mjeti është braktisur në zonën e Zvernecit dhe personat që ndodheshin brenda janë larguar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet lundrues tip “Skaf Plastik” me mbishkrimin “ROBALO”, me gjatësi 6m dhe gjerësi 2.8m, me dy motorë në bord tip YAMAH 250hp dhe JOHNSON 10hp, me ngjyrë të bardhë.

 

Pukë

Vetëvritet 23-vjeçari, u gjet në banesë nga familjarët

Një i ri i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur për motive që ende nuk dihen. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Poravë të Pukës. Sipas policisë viktima është D. Faslia. 23-vjecari u gjet i pa jetë në banesë nga familjarët e tij. Policia bën me dije se rrethanat që e shtynë të riun drejt vendimit ekstrem janë ende të pa qarta ndërkohë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Berat

Detyroi 16-vjeçaren të fejohet, procedim penal nënës

Fejesat me shkuesi apo si vendim i prindërve dhe jo i të rinjve, duke se vazhdojnë të jenë një fenomen i zakontë për shoqërinë shqiptare. Por që nëna të kallëzohet penalisht se detyron vajzën të fejohet këtë nuk e hasim shpesh. Një adoleshente ka denoncuar në polici nënën e saj dhe kandidatin për bashkëshort pasi kjo e fundit e kishte detyruar të fejohej me 24-vjeçarin që nuk e donte. Sipas policisë 42-vjeçarja Blerina Tomorri nuk e ka pyetur vajzën por ka zgjedhur vetë se cili duhet të ishte bashkëshorti i duhur për të bijën edhe pse ishte kjo e fundit që do të lidhte jetën me personin e panjohur.Ngjarja ka ndodhur në fshatin Krekëz në komunën Lumas në Berat. Policia ka nisur procedim penal edhe ndaj 24-vjeçarit Shahin Kajo. Denoncimi në polici u bë nga 16-vjeçarja E.Tomorri.

 

Tiranë

Makina përplas fëmijën, në kërkim drejtuesi i mjetit

Një fëmijë është përplasur nga një automjet rreth orës 20:25 të mbrëmjes së djeshme në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Laprakës. Sipas policisë drejtuesi i automjetit pasi ka përplasur fëmijën është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes pa i dhënë atij asnjë lloj ndihme. Fëmija i plagosur është nisur menjëherë në spital ndërsa policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Drejtuesi i mjetit është shpallur në kërkim.

 

Share it :