Florenc Drizari
“Të gjithë pjesën e sigurimeve do t’a marri përsipër shteti në mënyrë që, t’i japim një shtysë akoma më të fortë punësimit në këtë sektor”
Kryeministri i vendit mori pjesë në inaugurimin e një fabrike të biznesit fason, në Kamzë dhe në takimin që pati me sipërmarrësit dhe punonjësit, Rama prezantoi disa prej masave konkrete që qeveria do të ndërmarrë për të ridimensionuar këtë sektor në ekonominë e vendit. Në këtë fabrikë me cikël të mbyllur, e cila ka filluar punën rishtazi janë punësuar 450 punonjës të ri.
Në këtë takim, Kryeministri veçoi realizimin e uljes së nivelit të riskut në doganë, duke kaluar kështu nga dy-tre ditë, në disa orë. “Ne, në paketën që kemi për fasonët, pjesën e doganës do t’a trajtojmë në mënyrë specifike me risk të ulët dhe kështu që, nga një ditë e dy ditë do kalojmë në pak orë.” – u shpreh ai. Kjo masë u prit me interesim të veçantë nga sipërmarrësi, i cili u shpreh se zbatimi i saj do të ndihmonte shumë.
Paketa për biznesin fason parashikon 42 masa të reja, të cilat sipas qeverisë reflektojnë kërkesat dhe sugjerimet e këtij biznesi.
Nga mazhoranca paraqitet si risi edhe fakti se kontributet e tyre përmes tatim-fitimit, do të kthehen sërish tek ta, për të nxitur trajnimet profesionale dhe shtimin e punonjësve të rinj. “Të ardhurat që, ne do të marrim nga kontributi juaj përmes tatim-fitimit do t’i bashkojmë me një fond tjetër të nxitjes së punësimit dhe do t’i kthejmë prapë tek ju për të nxitur trajnimet profesionale, për pjesën që ka të bëjë me punët më të sofistikuara në proces, për të mbështetur marrjen e punonjësve të rinj.” -shpjegoi për ta Kryeministri.
Duke qenë se qeveria e sheh të lidhur ngushtë biznesin fason me punësimin, Kryeministri nënvizoi se një ndër lehtësitë në ndihmë të këtij biznesi do të jetë heqja e gjithë taksës së punës për të punësuarit e rinj, për një periudhë të caktuar kohore “Të gjithë pjesën e sigurimeve do t’a marri përsipër shteti në mënyrë që, t’i japim një shtysë akoma më të fortë dhe të shkojmë në shifra të paarritura më parë të punësimit në këtë sektor.” -u shpreh Kryeministri Rama.
Nga ana e tyre, sipërmarrësit në këtë takim mirëpritën këto masa të reja, duke theksuar se tashmë ndihen më të sigurt për zhvillimin me sukses të biznesit të tyre. Ata u shprehën ndër të tjera se edhe rimbursimi i cili dikur ka qenë problem për ta, tashmë nuk paraqitet si i tillë. Gjithashtu garantuan se grupi “Alba Shoes Grup” brenda 6 mujorit shtator-tetor do të arrijë në 2000 punëtorë nga 1650 punëtorë që ka deri më tani ky grup në fabrikat e Durrësit, Laçit dhe Kamzës. “Ne ju garantojmë që grupi “Alba Shoes Grup” që, ka aktualisht 1650 punëtorë, brenda 6 mujorit shtator-tetor arrin 2000 punëtor. I arrin pa problem sepse lehtësitë që po na krijohen tani me doganat, me rimbursimin sepse dikur ka qenë shumë problem. Tani në momentin që bëjmë kërkesën për rimbursim i kemi organet tatimore që të vihen direkt.” -u shpreh sipërmarrësi. Për sa i përket kësaj çështje Kryeministri theksoi se “Rimbursimi do të jetë automatik brenda 60 ditësh për të gjithë.”
Ata e informuan Kryeministrin se biznesi i tyre do të zgjerohet edhe në Vlorë, ku do të punësohen të paktën 300-400 punëtorë, nga shtatori e në vijim. Kryeministri e mirëpriti këtë nismë, duke nënvizuar se qeveria do të nxisë e mbështesë zhvillimin e çdo biznesi vendas, njësoj si edhe për investimet e huaja. “Ne do t’a bëjmë menjëherë procedurën dhe do të krijojmë mundësi për zgjerimin sepse ajo që kemi bërë për të nxitur investimet e huaja nuk diskutohet që vlen edhe për të gjithë ata që investojnë këtu në Shqipëri.”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri Edi Rama në këtë vizitë shoqërohej edhe nga Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.
Diskutimet e Ramës me biznesin fason
Rama: Nga pikpamja e trajtimit në doganë a ka ndryshuar situata?
Biznesmeni: Po ka ndryshuar.
Rama: Megjithatë, në paketën që kemi bërë për fasonët, këtë pjesën e doganës do ta trajtojmë në mënyrë specifike, me risk të ulët, kështu nga 1 ditë dhe 2 ditë, të kalojmë në pak orë.
Biznesmeni: Do të na ndihmonte shumë.
Rama: Do ta bëjmë patjetër këtë. Të ardhurat që do të marrim nga kontributi juaj përmes tatim-fitimit, do t’i bashkojmë me një fond tjetër të nxitjes së punësimit duke i kthyer prap tek ju, për të nxitur trajnimet profesionale.
Biznesmeni: Grupi ‘Alba Shoes’ ka 1650 punëtorë, brënda 6 mujorit deri në shtator arrin deri në 2000 punëtor. I arrin pa problem se lehtësitë që po na krijohen me doganat dhe rimbursimin e TVSH-së në të shkuarën ka qenë shumë problem.
Rama: Rimbursimi do të jetë automatik brënda 60 ditëve, automatik. Nuk bëjmë historira me rimbursimin.
Biznesmeni: Kemi vite që jemi në tregun europian dhe shumë shpejt do të hyjmë edhe në tregun rus i cili do të jetë një avantazh për të gjithë grupin, duke arritur një fuqi prodhuese prej 10,000 palë këpucësh në ditë të gatëshme. Me përfundimin e kapanonit të ri që mbaroi këto ditë, u shtuan rreth 150 vënde të reja pune. Dhe në Vlorë po shtohet punësimi pasi edhe atje kemi një ambient të mrekullueshëm ku prodhimi i këpucës edhe atje do të jetë i përfunduar.
PBDNJ, Dule: Opozita të bashkëpunojë me mazhorancën
Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, kërkoi nga qyteti i Korçës, që politika shqiptare të ulë tensionet dhe të nisë bashkëpunimin, pasi integrimi i Shqipërisë në BE është parësor.
“Situata politike në vend është e polarizuar dhe në disavantazh për marrjen statusit, krahasuar me dhjetorin. Palët politike duhet të kenë prioritet integrimin e vendit ”-tha Dule.
Ai cilësoi se duhet krijuar Task Forca me pjesëmarrjen e Presidentit, Kryeministrit dhe opozitës, në mënyrë që të përparojnë reformat integruese të vendit”. Aktualisht mes pozitës dhe opozitës ka një sërë çështjesh të hapura që ende mbeten pezull për gjetjen e një konsensusi. Debatet e fundit mes dy forcave politike të mëdha janë përqëndruar në funksionin dhe punën e institucioneve të pavarura. Opozita akuzon mazhorancës se ka ndërmarrë një sulm për shkarkimin e krerëve të institucioneve të pavarura në vend, si kreut të SHISH, AMA-së etj, ndërkohë që pak javë më parë Kuvendimi votoi shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka. Për shkak të këtyre lëvizjeve, opozita kë zgjedhur një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë, ku shpesh herë ka braktisur edhe votimet në seancat plenare. Por paçka këtyre qëndrimeve, ajo çështje që duket se i bashkon palët është integrimi i vendit në Bashkimin Evropian. Në deklaratat publike të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është theksuar se opozita do të bashkëpunojë pa kushtë për çështje që lidhen me integrimin e vendit në BE.




