22 Marsi / Sulltan Novruzi, festës së bektashinjve i bashkohet edhe politika

“Në këtë ditë të bukur të pranverës ju uroj paçi përherë bekim në jetën tuaj! Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqimi në rrugën tuaj!

 

basha_bektashijteBektashinjtë festuan dje Sulltan Novruzin, lindjen e Imam Aliut, që simbolizon për ta rigjallërimin e besimit te vepra dhe fuqia e Zotit e bashkë me të, rigjallërimin e shpirtit dhe të shpresës për jetën, për të ardhmen. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, uroi besimtarët bektashinj në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë. “Në këtë ditë të bukur të pranverës ju uroj paçi përherë bekim në jetën tuaj! Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqimi në rrugën tuaj. Në këtë ditë gjejmë rrugën për te i madhi Zot për të na lehtësuar me praninë e tij qëllimin tonë për t’iu afruar drejt tij. Ne të gjithë së bashku apelojmë për mbarë njerëzimin që në rrugën e virtytshme të gjejmë dashurinë, gëzimin, lirinë, shpresën e mbi të gjitha paqe në veten tonë. I lutem Zotit të na mbushë me dashuri, të na mundësojë me përkushtim moral dhe atdhetar duke përbuzur egoizmin, vesin e ulët dhe ligësinë, të falim dashuri te njeriu për njeriun, shpirtin human dhe lumturinë familjare”, – ishte urimi i Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

 Basha

Kryetari i PD-së, njëherësh kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, ka uruar dje besimtarët bektashinj me rastin e festës së Sulltan Novruzit. Urimin e tij zoti Basha e ka përcjellë nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve. “Të gjithë besimtarëve bektashinj dua t’i uroj gëzuar Sulltan Novruzin. Dua t’u uroj të gjithë shqiptarëve të çdo besimi këtë ditë të veçantë, e cila shënon fitoren e dritës mbi errësirën dhe në këtë mënyrë simbolizon shpresën dhe besimin tek e ardhmja. Simbolizon faktin që në natyrën e gjërave, natyrën e punëve të Zotit, të perëndisë dhe në vetë natyrën njerëzore e mira triumfon mbi të keqën. Është pra, një ditë e shpresës, një ditë e besimit, ndaj është një ditë për të gëzuar të gjithë qytetarët, të gjithë njerëzit pavarësisht prej besimit të tyre fetarë”, – u shpreh Basha.

 

Meta dhe Veliaj

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka uruar besimtarët bektashinj dhe qytetarët shqiptarë për festën e Sulltan Novruzit, duke u uruar një të ardhme më të mbarë. “Dua t’ju uroj të gjithë besimtarëve bektashinj dhe qytetarëve shqiptarë për një të ardhme më të mirë, me më shumë shpresë dhe bashkëpunim. Kjo ditë na fton të gjithëve për të qenë më të mbarë dhe më të drejtë drejt së ardhmes”, – tha në urimin e tij kreu i Kuvendit. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj iu bashkua urimeve për festën e Sulltan Novruzit, ndërsa apeloi që politika të reflektojë, pasi siç tha ai, ka më shumë gjëra që i bashkojnë klasat politike se sa i ndajnë. “Uroj të ketë pranverë në shpirtrat e secilit, uroj bashkëpatriotët e Naimit me frymën e tij t’i bëni gjërat mbarë e mirë. Ndërsa klasa politike duhet të reflektojë se ka gjëra që më shumë na bashkojnë se sa na ndajnë”, – tha Veliaj. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Diktatura komuniste në Shqipëri, e prirë drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian.

 

Thirrja

“Zhbllokoni specializimet”, dekani i Mjekësisë, thirrje qeverisë

Specializimet pasuniversitare tek Fakulteti i Mjekësisë ende nuk kanë nisur. Bllokimi i këtij procesi është një shqetësim jo vetëm për studentët e këtij institucioni arsimor, por edhe për drejtuesit e fakultetit të cilët thonë se deri tani nuk ka asnjë vendim qeverie. Ata shprehen se ky proces ka gati tre vite që zvarritet, ndërkohë që propozojnë që kuotat e specializimeve duhet të miratohen nga vetë fakultetet. ”Ka 3 vjet që nuk janë kryer specializime, ka cenuar shërbimin në QSUT, sepse specializuesit kanë kontribut të madh në shërbimin shëndetësor por edhe perspektivën dhe karrierën e tyre. Ka 3 vite që nuk është hapur fare specializimi dhe këtu hapet me vendime qeveria. Unë mendoj që specializimet duhet të jenë në vullnetin e Fakultetit të Mjekësisë dhe fakulteteve të tjera duke e konsideruar si një cikël të rregullt studimesh”, – tha Bajram Hysa, dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Dekani i Mjekësisë shprehet se bllokimi i procesit të specializimeve ka sjellë mangësi të shumta të mjekëve të ndryshëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por edhe në qendrat shëndetësore. ”Ka nevojë që nga mjeku i familjes dhe të gjitha shërbimet klinike dhe sëmundjet iterne”, – tha Bajram Hysa, dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Mangësia me mjekë specialistë në qendrat shëndetësore, spitale apo maternitet nuk është vetëm një problem në Tiranë, por edhe në rrethet e tjera të vendit.

 

 

 Dosjet

Ish të përndjekurit politikë, dokumentat që duhen për përfitimin e kësteve

Ministria e Financave publikoi ditën e djeshme listën e dokumenatve që duhet të dorëzojnë të gjithë ish të përndjekurit politikë për të marër këstin e radhës.  Në rastet kur ish- i përndjekuri nuk jeton më, një dosje quhet e rregullt dhe e gatshme për tu paguar, vetëm atëherë kur të gjithë trashëgimtarët pa përjashtim, do të kenë dorëzuar (postuar) dokumentacionin e mëposhtëm për të gjitha rastet e trashëgimisë . Në të kundërt, askush nuk mund të paguhet i veçantë, derisa i gjithë dokumentacioni i dosjes të jetë i plotë për të gjithë. Dokumentat që duhen:

 

Për ish-të dënuarit që jetojnë

-Dokument identifikimi

-Numër llogarie aktive në një bankë të nivelit të dytë

Për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë më

-Akt trashëgimie.

-Certifikatë vdekje të të dënuarit

-Certifikatë trungu të të dënuarit

-Numër llogarie bankare aktive për çdo përfitues ose procure

-Dokument identifikimi për përfituesit

Në qoftë se një ose disa nga trashëgimtarët e rradhës së parë nuk jetojnë më, atëherë njëri nga trashëgimtarët në marrëveshje, do të postojë me të njëjtën adresë si në paragrafin e parë dokumentet e mëposhtëm

– Akt noterial trashëgimie për çdo trashëgimtar të rradhës së parë që nuk jeton më

– Certifikatë vdekje për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më

– Certifikatë të trungut familjar të çdo trashëgimtari të rradhës së parë që nuk jeton më

– Numër llogarie aktive bankare për të gjithë trashëgimtarët  e trashëgimtarëve të rradhës së parë që nuk jetojnë më

– Fotokopje të Kartës së Identitetit apo Pasaportës të çdo trashëgimtari që vjen nga trashëgimtarët e rradhës së pare, që i lind e drejta për dëmshpërblim. Nëqoftë se njëri ose disa trashëgimtarë të rradhës së dytë nuk jetojnë më, e drejta e tyre për dëmshpërblim në bazë të ligjit Nr.9831, datë 12.11.2007 (ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009) nuk vazhdon më tej. Në këtë rast, llogaritja e pjesës takuese të këstit bëhet mbi bazën e trashëgimtarëve që janë gjallë. Nga ana e trashëgimtarëve që jetojnë, në marrëveshje, paraqesin certifikatën e vdekjes së trashëgimtarit që nuk jeton, të cilën e postojnë së bashku me numrin e dosjes në adresën sipas paragrafit të parë të këtij sqarimi.

 

 

Share it :