Info/kult Kumbaro rikthen festivalet: Teatrin, Dancin dhe Filmin

Ministria-e-Kultures_10Festivalet ndërkombëtare në Teatër, Danc dhe Film, modeste në numër dhe organizim, rikthehen nën mecenatin e Ministrisë së Kulturës. Dje, është mbyllur procesi i vlerësimit të projektpropozimeve për këtë tremujor duke u përzgjedhur nga Ministria afro 70 projekte, që do të mbështeten në mënyrë të pjesshme ose të plotë. Referuar listës së bërë publike, janë pothuaj të njëjtat aktivitete të bëra traditë në vend, që trokasin çdo vit në dyert e Ministrisë për t’u mbështetur. Shpesh për këto nuk ka pasur përgjigje. Rastet janë për festivalet ndërkombëtare si ajo e Teatrit në Butrint, i Dancit në Durrës, apo i TIFF në Tiranë që u është kërkuar të ngrenë vetë “arkën” e financimit. Për këtë arsye disa prej tyre kanë pushuar ekzistencën për një ose dy vite, duke ndërprerë dhe traditën dhjetëvjeçare të organizimit. Ndoshta ky është një rast për të riparë statusin e tyre, që shpesh është sugjeruar Ministrisë së Kulturës për t’u përfshirë në strategjinë e saj politike për t’u mos trajtuar si projekte individësh apo shoqatash. Por nga ana tjetër, prej organizatorëve ka qenë krejt e pamundur ngritja e një buxheti mbi festivalet, pasi ligji mbi sponsorizimin asnjëherë nuk u është përgjigjur, deklaruar i dështuar. Nga këto projekte 22 i përkasin fushës së trashëgimisë që lidhen më veprimtari kulturore dhe botuese.

 

 

Një meshë për Imzot Prenushin

65-vjetori i ndarjes nga jeta e Imzot Vinçenc Prenushit, u përkujtua dje në Durrës, përmes një meshe të veçantë në Konkatedralen e Shën Luçisë. Mesha u çel nga Dom Gjergj Meta, famullitar i Konkatedrales e më tej ajo u drejtua nga Imzot Rrok Mirdita.

Duke e cilësuar 19 marsin si ditën me dy ngjarje të veçanta për botën katolike në tërësi, pasi është dita e Shen Jozefit dhe për botën katolike në Shqipëri, prej vdekjes së Imzot Prenushit, Arqipeshkvi Metropolit Imzot Mirdita tha se Prenushi është i pari në radhën e martirëve, që humbën jetën në burgjet komuniste vetëm sepse mbrojtën idealet në të cilat besonin.

Nën shembullin e figurës së shquar të Vinçenc Prenushit si njeri me ide novatore, Imzot Rrok Mirdita dha edhe një mesazh për të rinjtë, të cilët në këto kohë të trazuara, duhet të dinë të përzgjedhin modelet e sjelljeve që drejtohen nga virtytet. Po kështu, nisur nga rastet e shpeshta të dhunës, Arqipeshkvi tha se shqiptarët, veçanërisht meshkujt, duhet të heqin dorë nga ushtrimi i dhunës, një fenomen i cili nuk bën asgjë tjetër, veçse shpërfytyron njeriun.

Mesha i la vendin hapësirës artistike, gjatë së cilës instrumentistet Lida Radoja dhe Mira Ikonomi interpretuan disa pjesë për violinë e violonçel, kurse aktori Gjergj Doçi interpretoi pjesë nga krijimtaria e Imzot Vinçenc Prenushi.

Vinçens Prenushi lindi në Shkodër me 4 shtator 1885 në një familje të thjeshtë, në Lagjen Rus, në rrugicën e Makajve. Prelat kryepeshkop, eseist, publicist, poet, folklorist e përkthyes i Wismanit, Sinkievicit, Weberit dhe Pelicos.

Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohtur të Troshanit, ku ju kushtua Urdhnit Françeskan në 1900. Më 25 mars 1908, shugurohet meshtar i Urdhrit Françeskan duke marrë dhe emrin At Vinçenc. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prenushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare “Visaret e Kombit”.

Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër, ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Më 1918 botoi “Fjala e Zotit” si dhe “Grueja shqyptare” e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane. Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën “E tradhtuemja”, një përshtatje e goditur nga T. A. Rolando. Në vitin 1921, në moshën 36 vjeçare, boton përmbledhjen e njohur poetike “Gjeth’ e Lule”.

Me 19 mars 1936, Selia e Shenjtë e emëron Ipeshkëv te Sapës, detyrë që e mban deri në vitin 1940, kur emënohet Argjipeshkëv Metropolitan i Dioqezit të Durrësit, duke pasur nën administrim kryeqytetin Tirane. Mbas vdekjes së Imz. Gaspër Thaçit, në Shkoder me 26 maj 1946 dhe arestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodres, Imz. Prennushi ngarkohet me detyren e Primatit Katolik të Shqiperisë. Me datën 19 maj 1947 Imz. Prennushi arrestohet dhe nis kalvarin e vuajtjeve. Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit hapin gjyqin.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor 1947). Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çështjen e të pandehurve (mes tyre edhe Prennushi), refuzon kërkesen e tyre.

Vinçenc Prennushi deklaroi se “lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos ekzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve”. Më 19 mars 1949 vdes nga torturat më çnjerzore në burgun e Durrësit. Shpallet “Martir i Demokracisë” më 8 maj 1993 në Durrës.

 

Share it :