Anxhela Tato
Hetimet e Prokurorisë, Shkëlzen Dumani shiti shtëpinë para se të rrëmbente fëmijët për në Siri
Rinas, Dumani deklaroi 10 mijë euro dhe u justifikua se qëllimi i udhëtimit ishte vizitë mjekësore
“Ushtarët” shqiptarë hiqnin mjekrën përpara se të kalonin në aeroportin e Rinasit. Ky veprim bëhej që të fshihnin gjurmët dhe të mos kuptohej se ishin persona të rekrutuar për batalionet e luftës në Siri. Këto detaje zbulohen nga hetimet e organit të akuzës, i cili ka arritur të sigurojë pamjet filmike të kamerave të sigurisë në Rinas të datave të ndryshme. Nga të gjitha pamjet e kapura nga kamaret e sigurisë figuron se muxhahidët janë pa mjekër, duke dhënë pamjen e qytetarëve të thjeshtë. Itinerari i udhëtimit ishte Shqipëri-Turqi, ku u nënshtroheshin stërvitjeve ushtarake duke u përgatitur për llogoret e betejës. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se nga shqyrtimi i pamjeve të kamerave të aeroportit të Rinasit dhe pikës kufitare në Tushemisht, ka rezultuar se personat që shkonin në Siri hiqnin mjekrën përpara se të niseshin për udhëtim në Turqi, me qëllim që të mos krijonin dyshime në avionë apo në pikat kufitare ndërkombëtare. Kjo ishte nj formë kamuflimi për të fshehur gjurmët që të mos kuptohej qëllimi i vërtetë i udhëtimit dhe të mos arrihej në identifikimin e “ushtarëve”.
Shkëlzen Dumani
Në pamjet filmike të siguruara nga ana e organit të akuzës konstatohet edhe shtetasi Shkëlzen Dumani, ndaj të cilit ka ngritur kallëzim penal bashkëshortja. Ky denoncim u bë publik ditët e para të aksionit dhe u regjistrua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nga të dhënat e deri tanishme të akuzës ka rezultuar se Shkëlzen Dumanit, i larguar këtë vit nga Rinasi së bashku me dy fëmijët e tij, vajzën dhe djalin, të cilët i ka marrë pa dëshirën e nënës. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe shumica e personave të tjerë që kane udhëtuar me avionë nga Tirana dhe Prishtina drejt Turqisë. Sipas të dhënave ky person ka shitur edhe banesën para se të largohej nga Shqipëria nëpërmjet Rinasit. Ka rezultuar se ditën e kalimit në Rinas, ai ka pasur me vete edhe 10 mijë dollarë, kurse shkaku i udhëtimit për në Turqi që ai ka paraqitur ka qenë vizitë mjekësore për fëmijët. Shumicës së personave që kanë marrë gratë dhe fëmijët u është premtuar se pas përfundimit të luftës në Siri dhe rrëzimit të Asadit do t’u jepeshin shtëpitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve sirianë në shenjë respekti për pjesëmarrjen në luftë dhe çlirimin e vendit. Dyshohet se gjatë periudhës 4 mujore, kohë që po hetoheshin, ky grup ka dërguar në Siri rreth 70 persona, disa prej tyre së bashku me familjet. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se 8 prej të dërguarve nga Shqipëria kanë mbetur të vrarë gjatë luftimeve në Siri, trupat e të cilëve nuk janë sjellë në Shqipëri.
Itali
Anëtar i organizatës mafioze “Ndrangheta”, pranga shqiptarit
Arrestohet në Kazerta shqiptari Bledar Halili, 33 vjeç, i njohur edhe si “Engjëlli”, anëtar i organizatës mafioze “Ndrangheta”. Vënia në pranga e Halilit është bërë në kuadër të operacionit të koduar “New Bridge”, i zhvilluar në datën 11 shkurt 2014. 33-vjeçari shqiptar është vënë në pranga në një apartament ku fshihej. Kanë qenë pjesëtarët e Shërbimit Qendror Operativ të policisë dhe policia e Rexho Kalabrias që e kanë arrestuar, pasi kishin marrë informacione në rrugë operative për vendndodhjen e tij. Ndaj Bledar Halilit ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe ishte një ndër pjesëtarët e grupit “Benevato”, i shkatërruar gjatë hetimeve të bëra ndaj Nick Tamburellos, italo-amerikanit të deportuar nga SHBA si pjesëtar i grupit mafioz “Gambino”, në Nju Jork. Për policinë, 33-vjeçari Halili ishte një prej ndërlidhësve të grupi mafioz, që blinte në Amerikën e Jugut lëndën narkotike kokainë dhe që më pas transportohej në Itali. Gjatë operacionit të koduar “New Bridge”, të zhvilluar nga policia italiane dhe FBI, janë arrestuar 24 persona, 7 prej të cilëve në SHBA dhe 17 në Itali, për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike.
Tiranë
Automjeti përplaset me shtyllën, në vdekje klinike 18-vjeçari i plagosur
Një këmbësor ka përfunduar në vdekje klinike në një aksident të ndodhur në mesditë pranë ish-Kominatit “Misto Mame”, në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Besim Alla”, kur automjeti tip “Volkswagen Polo”, me targa AA 658 DZ që drejtohej nga 40-vjeçari Daniel Karanxha, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë ndriçimi. Për pasojë është goditur dhe ka marrë plagë të rënda këmbësori 18-vjeçar, Ergi Matoshi. Sipas mjekëve të spitalit të Traumës, Matoshi ka mbërritur në urgjencë në vdekje klinike dhe po bëjnë të pamundurën për ta mbajtur në parametrat jetësorë. Dëmtime të rënda, por që nuk i rrezikojnë jetën ka pasur edhe drejtuesi i mjetit Karanxha.
Vlorë
Vidhnin kabllot elektrikë, pa energji disa zona
Vidhet rreth 1 km kabllo përcjellës i energjisë në Zvërnec të Vlorës dhe 200 m në Kuzum Baba, e për pasojë disa zona janë pa energji elektrike. Vjedhja ka lënë pa energji elektrike disa fshatra rreth Zvërnecit. Po ashtu, pa energji elektrike si pasojë e vjedhjes ka mbetur edhe lagjja “Partizani” në Vlorë. Blutë e Vlorës kanë arrestuar 4 persona që dyshohet se janë vjedhësit e kabllove, identitetet e të cilave nuk janë bërë të ditura.
Tiranë
Abuzuan seksualisht me të miturën, pranga 2 adoleshentëve
Dy adoleshentë kanë përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit, të akuzuar për abuzim seksual me një vajzë të mitur. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se u bë arrestimi i 15-vjeçarit me inicialet S. L. dhe i 14-vjeçarit me inicialet J. B., me banim në zonën e Freskut në kryeqytet. Dy djemtë janë denoncuar nga një vajzë e mitur, e cila ka thënë në polici se gjatë muajit dhjetor dy adoleshentët kane kryer marrëdhënie seksuale si dhe i kanë vjedhur një sasi bizhuterish në banesë. Sakaq nga ana e uniformave blu vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




