Lufta në Siri/ Ja pse luftëtarët “rekrutojnë” familjet në Siri

Anxhela Tato

 

Zbardhen emrat e 13 ushtarëve që morën gratë dhe fëmijët në llogoret e betejës

 Ngecin në mes të frontit të luftës gratë e 3 viktimave, nuk u lejohet kthimi në Shqipëri

 

 

xhihadiste_ne_siriNë llogoret e betejës në Siri kanë përfunduar familjet e 13 luftëtareve shqiptarë, të zbuluara nga raporti i përgjimit të SHISH-it depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Luftëtarët, pasi niseshin për Siri, merrnin vendimin që të tërhiqnin bashkëshortet dhe fëmijët me vete. Këtë vendim e bazonin në shpjegimin fetar se është mirë që një luftëtarë të ketë familjen e tij pranë që ta mbështesë. Për një burrë është më mirë që në darkë të kthehet te bashkëshortja e tij dhe fëmijët, e cila duhet t’i ofrojë ngrohtësi dhe çlodhje, por ende nuk sqarohet nëse ky ishte motivi real i tërheqjes së familjes në Siri, pra një imponim për të shtuar numrin e luftëtarëve apo thjesht zbatimi i rregullave të Islamit. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se fëmija më i vogël që ndodhet në Siri është foshnja 2-muajshe e Krenar Shulit, nga fshati i Librazhdit. Babai i Shulit javën e kaluar paraqiti denoncimin në Prokurori, duke akuzuar Genci Ballën se i mashtroi djalin duke e çuar me gjithë familjen në Siri. Vetë i moshuari nuk ka qenë në dijeni të këtij udhëtimi të rrezikshëm që do të ndërmerrte i biri dhe nëse do të ishte njoftuar nuk e do të kishte lejuar në formë kategorike. Një rast tjetër, tashmë i dokumentuar nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është Shkëlzen Dumani, i cili mori pa lejen e ish-bashkëshortes dy fëmijët. Në këtë listë përfshihet edhe rasti i Almira Kastratit, e cila është dërguar në Siri nga imami Genci Balla së bashku me djalin 7 vjeç.

 

Lista e përgjimeve

 Ervin Hasanaj nga Sauku, i njohur si Ebu Ahmed, është larguar së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Në nëntor 2013, drejt Turqisë u largua edhe Erjon Basha, i cili ka marrë me vete bashkëshorten dhe dy fëmijët. Po të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe Sherif Taushani nga Mollasi i Elbasanit, i cili është nisur në luftë së bashku me tre fëmijët dhe bashkëshorten. Me 5 fëmijë dhe bashkëshorten gjendet në frontin e luftës edhe Mehmet Stafasani i njohur si Ebu Usejd Albani me origjinë nga Mati, por me banim në Tiranë. Ai ka ikur nga Shqipëria në maj të 2013-ës, ndërsa familja i është bashkuar në korrik të vitit të kaluar. Po në korrik të 2013-ës Shyqyri Kaces, i njohur si Shukri, i janë bashkuar edhe gruaja dhe 3 fëmijët e tij. Kjo datë ka qenë edhe dita e udhëtimit për familjen e Hasan Korvafajt, që zyrtarisht thuhet se është vrarë gjatë luftimeve. Bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij ende nuk janë kthyer në Shqipëri. Të njëjtin fat kanë edhe 4 fëmijët dhe bashkëshortja e një tjetër personi të vrarë në Siri, Hamit Muslija, dhe po ashtu edhe djali dhe bashkëshortja e Diamant Rashës i vrarë nga snajper. Ndërkaq, ende nuk dihet për fatin e bashkëshortes dhe vajzës së personit që dyshohet se është vrarë, Bledian Hamza, nga Leshnica e Pogradecit. Edhe për imamin e xhamisë së Leshnicës, Almir Daci, që mendohet se është një nga drejtuesit e grupeve shqiptare në Siri, SHISH raporton se është larguar familjarisht. Sipas raportit, disa nga fëmijët të rritur në moshë u janë bashkuar forcave luftuese, ndërsa femrat kujdesen brenda kampit, duke u dhënë ndihmë të plagosurve. Ushtarët shqiptarë luftojnë përkrah dy grupeve në Siri, ku njëri prej tyre është etiketuar si pjesë e “Al-Kaedës”. Nga hetimet ka rezultuar se “Al Nusra” është grup terroriste pro së cilës luftojnë pjesa më e madhe e “ushtarëve shqiptarë”. Zv.komandant i tij është një djalë i skeduar nga Shërbimi Informativ Shtetëror me banim në Elbasan, që mes besimtareve njihet si Zeyd Al Albani. Ndërsa shumë pak shqiptarë bashkohen me ushtarët e lirisë, të cilët janë për demokracinë. Madje burime bëjnë me dije se këto dy grupe luftojnë kundër njëri-tjetrit.

 

 

Emrat e ushtarëve

Krenar Shuli me bashkëshorten dhe 2 vajzat

Shkëlzen Dumani me 2 fëmijët

Almira Kastrati me 2 fëmijët

Ervin Hasanaj me bashkëshorten dhe 2 fëmijët

Erjon Basha me bashkëshorten dhe 2 fëmijët

Sherif Taushani me bashkëshorten dhe 3 fëmijët

Mehmet Stafasani me bashkëshorten dhe 5 fëmijët

Shyqyri Kace me bashkëshorten dhe 3 fëmijët

Hasan Korvafaj (i vdekur) me bashkëshorten dhe 3 fëmijët

Hamit Muslija (i vdekur) me bashkëshorten dhe 4 fëmijët

Diamant Rasha (i vdekur) me bashkëshorten dhe djalin

Bledian Hamza (i pakonfirmuar) me bashkëshorten dhe vajzën

 

 

Sistemi SIM

Prova, në Siri janë larguar 13 shtetas shqiptarë

 Ndërsa konfirmohet se nga Shqipëria janë larguar drejt Sirisë për të luftuar 86 shtetas shqiptarë, për 13 prej tyre Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të dhëna të provuara edhe nga sistemi TIMS, se kanë marrë me vete bashkëshortet dhe fëmijët. Mosha më e vogël e një të mituri të marrë nga prindërit që ndodhet aktualisht në Siri, është një vajzë 2-muajshe nga fshati Gurras i Pogradecit, e cila rezulton të ketë lënë Shqipërinë në fund të tetorit 2013, së bashku me nënën e të atin, Krenar Shulin, si edhe me të motrën dhe të vëllanë, edhe këta te mitur. Prokuroria shton se ka dyshime të forta referuar daljeve nga kufiri shqiptar, se aktualisht ndodhen ne Siri 31 fëmijë, disa prej tyre tashme kanë mbetur vetëm me nënat, siç është rasti i fëmijëve të shtetasit Diamant Rasha, që pas vrasjes së tij ata janë vetëm me të ëmën. Një tjetër rast është edhe ai i shtetasit Hamit Muslija, i njohur si Ebu Enesi, i cili është vrarë, duke lënë katër fëmijët në Siri. Në Siri kanë mbetur edhe fëmijët e imamit Genci Balla, i njohur si Abdurrahim Balla, i arrestuar pak ditë më parë në Tiranë. Prokuroria e Krimeve të Renda aktualisht po vijon hetimet duke pyetur familjarë të të gjithë personave që ndodhen në Siri, disa prej të cilëve janë shfaqur të pakënaqur e kanë akuzuar të arrestuarit. Ndërsa disa të tjerë shprehen se nuk e dinin që të afërmit i kanë në lufte, por se janë të punësuar në Turqi apo Arabinë Saudite. Javën që vjen pritet të merren në pyetje disa nga personat që janë kthyer nga lufta në Siri, prej të cilëve 12 prej tyre janë të plagosur.

 

 

Lezhë

Vodhën kabullin elektrik të Kishës, pranga 2 personave

 Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Lezhës pasi akuzohen për një sërë vjedhjesh. Burimet zyrtare thanë se Alfons Balla dhe Serafin Frroku janë arrestuar për vjedhjen e antenave të telefonisë celulare në fshatin Bacel, ndërsa kanë pranuar edhe vjedhjen e 70 metra kabull. Sipas policisë, dy të arrestuarit në datën 24 janar 2014 kanë vjedhur kabullin elektrik të ndriçimit të kishës në fshatin Spiten. Gjithashtu ata akuzohen se kanë vjedhur edhe sistemin e ndriçimit të kalasë në Lezhë ngjarje e ndodhur në 15 shkurt 2014. Policia e Lezhës tha se, gjatë hetimeve ka zbuluar edhe vjedhje të tjera për të cilat akuzohen dy të arrestuarit. Kështu sipas tyre, është dokumentuar vjedhja e ndodhur në datën 2 shkurt 2014 ku është vjedhur porta hyrëse material hekuri tek banesa e Llesh Tukut.

 

 

Mirditë

Përfshihet nga flakët masivi pyjor, nuk ka të plagosur

 Një masiv pyjor në Mirditë është përfshirë në flakë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se zjarri ka rënë në pyjet që ndodhen mes fshatrave Fier dhe Rrastik. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka qenë e pa mundur për shkak të terrenit të thyer malor ndërkohë që banorët e zonës po përpiqen që të lokalizojnë dhe shuajnë flakët me mjete rrethanore. Shkaqet e rënies së zjarrit ende nuk dihen ndërkohë që policia ka nisur hetimet.

 

Share it :