Anxhela Tato
Rrëfimi i besimtarit të xhamisë së Unazë së Re: Imami Balla predikonte për Sheriat, akuzat, sulm kundër fesë
Besmir Sula: Shqiptarët në Siri luftojnë për grupin Al Nusra, që kërkon shtetin fetar dhe islam
Për besimtarët e dy xhamive të Unazës së Re dhe Mëzezit, lufta në Siri është xhihad. Ata rrëfejnë se dy imamët kanë predikuar për xhihad dhe për luftë në Siri, por nuk është e vërtetë akuza se kanë marrë njerëz dhe i kanë çuar për të luftuar. Zgjedhja për t’iu bashkuar luftës është një çështje personale dhe kërkon plotësimin e disa kritereve, si për shembull marrja e lejes nga prindërit. Njëri nga besimtarët e xhamisë së Unazës së Re rrëfen se Genci Balla ishte një person shumë i përkushtuar pas fesë islame dhe Kuranit, duke u qëndruar rreptësisht fjalëve të Allahut dhe profetit Muhamed. Ai rrëfen se shqiptarët që shkojnë në Siri luftojnë për grupin e Al Nusras, që kërkojnë vënien e sistemit të Sheriatit. Të pakët janë shqiptarët që bashkohen me ushtrinë e luftëtarëve për liri, të cilët janë për një sistem ligjor demokratik. Ndërsa mohon që në xhami të ketë pasur shkollë, por vetëm leksione feje që mbaheshin çdo ditë të premte në darkë. Për besimtarin Besmir Sula, xhihad do të thotë të marrësh armën dhe të dalësh në mbrojtje të vëllezërve myslimanë në Siri, të cilët po vriten dhe po mposhten nga sistemi i Bashar Al Asadit. Për të, sulmi i policisë është një aksion kundër fesë islame. I njëjti qëndrim mbahet edhe nga Hysen Allkoçi, sipas të cilit imami nuk ka bërë thirrje dhe as nuk ka kontribuar në dërgimin e njerëzve për luftë.
Rrëfimi i Besmir Sulës
“Genci Balla ka qenë imam i kësaj xhamie dhe ai jepte leksione feje. Ai ka qenë shumë i përkushtuar në fenë islame dhe predikonte fjalën e Allahut dhe atë çka thuhej në Kuran. Ai ishte shumë i devotshëm ndaj fesë islame dhe ne madje fjalët që ai na thoshte i gjenim edhe në Kuran, edhe në librat e shenjtë. Është e vërtetë që Genci Balla ka përmendur edhe luftën për xhihad, por zgjedhja për të vajtur është personale. Lufta në Siri është xhihad, pasi vëllezërit tanë myslimanë po shtypen dhe po vriten andej. Xhihad do të thotë që të marrësh edhe armën dhe të luftosh, pasi ai regjim po na i vret dhe po na i sulmon vëllezërit tanë mysliman. Siç thotë edhe një shprehje, vëllazëria myslimane është si një trup i vetëm dhe aty ku ka dhembje, duhet të bashkohen të gjithë. Por vajta në luftë është diçka personale, është një zgjedhje që duhet ta ndjesh. Xhihadi kërkon plotësimin e disa kushteve, si p.sh. duhet autorizimi i prindërve. Unë nuk kam vajtur, pasi nuk i plotësoj kushtet”.
Lufta
“Në luftën në Siri janë të përfshirë disa grupe si luftëtarët e lirisë që duan demokracinë dhe grupe si Al Nusra, që kërkojnë Sheriatin. Pra, të dyja këto grupe janë kundër Bashar Al Asadit, por kërkojnë gjëra të ndryshme. Kryesisht shqiptarët që shkojnë në Siri, luftojnë për Al Nusrën dhe shumë pak mund të jenë shqiptarë me ushtrinë e luftëtarëve të lirisë. Nuk e di se si funksionon andej apo se çfarë ndodh. Nuk e di as mënyrën se si ikin këta persona, por mund të them se disa herë i patëm thënë Genci Ballës se me këto deklarata që bënte, çudi si nuk e kishte arrestuar policia. Ai bënte thirrje për xhihad e luftë dhe ishte për Sheriat, që do të thotë feja islame mbi ligjin. Kjo është diçka që e pretendon dhe e kërkon çdo mysliman që të arrihet, por nuk e di se si kishte menduar ai që ta arrinte”.
Xhamia
“Nuk ka shkollë, çdo të premte leksione feje”
Këtu nuk ka pasur ndonjë shkollë, por thjesht kurse feje dhe mësime rreth fesë së Islamit. Ne i qëndrojmë strikt asaj që ka thënë i lavdishmi profeti Muhamed dhe që gjendet në Kuran. Pra, Genci Balla predikonte fjalën e pastër që vinte direkt nga Kurani, pasi ka disa degëzime të fesë islame, siç është islami perëndimor, që është më i butë dhe më liberal. Ndërsa ne jemi me bindjen e një feje më strikte që zbaton në përpikëri fjalët që ka thënë Allahu në Kuran. Leksionet e fesë mbaheshin të premten në darkë, ku përcillej fjala e profetit Muhamed. Nuk është se Genci bënte thirrje për xhihad, por ai thjesht e ka përmendur disa herë çështjen e xhihadit, por asnjë nga akuzat nuk është e vërtetë.
Hetime
Shqiptarët luftojnë për Al Nusran, grup terrorist i lidhur me Al Kaedën
Grupi i terroristëve ka funksionuar si rrjet që prej vitit 1999, duke u financuar nga fondacione të ndryshme dhe celula radikale, të cilët janë të lidhura me grupin e Al-Kaedës. Nga hetimet, është provuar se të gjithë besimtarët myslimanë të dërguar nga Shqipëria për të luftuar në Siri nuk luftojnë në krah të ushtarëve të lirisë, opozitës siriane kundër regjimit të Bashar Al Asadit. Ata luftojnë në krah të grupit militant të lidhur me Al-Kaedën dhe njihet me emrin Al Nusra. Ky grup drejtohet nga emiri Abu Mohammad al-Jawlani dhe përbëhet nga muxhahedinë islamikë sunitë. Qëllimi i tyre është për të përmbysur qeverinë e Asadit dhe për të krijuar një shtet mbarislamik në bazë të Sheriatit (kodi moral dhe ligji fetar i Islamit) dhe ka për qëllim për të rivendosur Kalifatin. Ky grupim është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, SHBA-ja, Australia dhe Britania si organizatë terroriste.
Xhamia e Mëzezit
Besimtari Hysen Allkoçi: Nuk ka pasur armë xhamia, unë kam firmosur procesverbal
Dy xhamitë e Unazës së Re dhe e Mëzezit vijojnë të jenë të hapura për besimtarët, të cilët si çdo ditë shkojnë për t’u falur. Ndonëse ka kaluar vetëm një javë nga arrestimi i imamëve, besimtarët e cilësojnë këtë sulm të policisë si një akt kundër fesë islame dhe një bashkëpunim me Amerikën. Ndërsa mohojnë në mënyrë kategorikë që në xhami të jenë gjetur armë dhe tritol, duke mohuar që imamët indoktrinonin të rinj për t’i çuar luftëtarë në Siri. Për ta lufta që po zhvillohet është pjesë e fjalës xhihad, që do të thotë të marrësh armën kur vëllai yt mysliman është nën rrezik. Hysen Allkoçi tregon se ka firmosur procesverbal në polici për çka është gjetur dhe sekuestruar në xhami. Ai shpreh frikën se policia mund të kamuflojë provat. “Imamin Bujar Hysa e arrestuan dhe akuzat janë të pavërteta. Unë kam firmosur me dhjetë procesverbale në polici, që në këtë xhami nuk ka pasur armë, por të gjitha procesverbalet janë në polici dhe unë nuk kam asnjë kopje. Kam frikë se mund të manipulohen provat. Bujari ishte pro xhihadit, pasi në Siri ka xhihad, po sulmohen myslimanët. Nuk është e vërtetë që Bujari gjente njerëz dhe i çonte në Siri apo t’i ndihmonte për të vajtur në Siri. Zgjedhja për të vajtur në luftë në Siri është diçka shumë personale dhe jo e detyrueshme. Unë nuk kam vajtur në Siri, nuk kam kushte. Ky sulm i policisë është kundër fesë islame”.
Besimtari nga Dibra
“Kisha dëgjuar fjalë që imami çonte njerëz në Siri; nuk më donte, se kisha mendime të ndryshme”
“Unë falem në këtë xhami, por nuk kam qenë dakord me idetë që kishte Bujari. Unë vetëm kam mbaruar Institutin dhe kam punuar edhe 30 vjet mësues dhe kisha një mendim tjetër. Duke qenë se nuk kemi pasur përputhje idesh, Bujari nuk më mbante afër dhe nuk e dija se çfarë bënte, edhe pse jam falur me të dhe babain e tij, por ka tre persona nga kjo zonë që kanë vajtur në Siri. Një nga viktimat, Hasani, iku një herë dhe u kthye sërish për të marrë familjen me vete, ai mori djalin. Këtu nuk ka mbetur asnjë nga familja e Hasanit, i cili ka vdekur në Siri. Ndërsa një djalë tjetër iku së bashku me gruan dhe vdiq atje. Kur familja shkoi të kërkonte gruan, nuk ia dhanë, pasi i thanë që ajo ka vajtur për të luftuar, dhe jo për qejf. Ka disa raste dhe kisha fjalë pas faljes se Bujari merrej me këto gjëra dhe bënte thirrje për luftë dhe ndihmonte persona që të shkonin në Siri, por nuk di asgjë me siguri, pasi ishin vetëm thashetheme”.




