Përgjimi i SHISH-it/ Imami Bujar Hyska njoftoi vdekjen e 2 shqiptarëve në Siri

Anxhela Tato

 

 

Hetimi, viktima Hamit Muslija u frymëzua nga Genci Balla, tërhoqi edhe familjen në Siri

 Biseda e përgjuar: Nga muxhahidët shqiptarë që janë në Siri, ka rënë shehid (dëshmor) vëllai mysliman Hamit Muslija

 

 

bujar Asllan HysaImami i vetëshpallur i xhamisë së Mëzezit njoftonte herë pas here besimtarët për shqiptarët që vriteshin në Siri. Për Bujar Hyskën viktimat ishin dëshmorë ose, siç thuhet në gjuhën arabe “shehid”. Sipas burimeve të Prokurorisë, në një nga përgjimet e Shërbimit Informativ Shtetëror rezulton se më datë 10 tetor 2013 imami i ka njoftuar besimtarët për vdekjen në Siri të Hamit Muslisë, i cili njihej ndryshe me emrin Ebu Enesi. Ky i fundit është frymëzuar nga imami i Unazës së Re, duke iu bashkuar kështu luftës siriane. Madje Hamit Muslija ka tërhequr edhe familjen e tij në Siri, e cila ende nuk është kthyer në Shqipëri. Një rast tjetër është ai i Hasan Korvafajt, i cili është shoqëruar deri në Rinas nga vetë imami Bujar Hyska.

 

Viktima Hasan Korvafaj

 Të gjitha materialet i janë referuar organit të akuzës nga ana e SHISH-it. Ka rezultuar se viktima Hamit Muslija është indoktrinuar nga fjalët e imamit të vetëshpallur Genci Balla, duke zgjedhur luftën në Siri. Muslija mësohet se ka udhëtuar drejt Turqisë më 28 janar 2013 dhe në korrik ai ka tërhequr drejt Sirisë edhe gruan dhe 4 fëmijët, të cilët ende nuk janë kthyer. Të njëjtin fat pati edhe familja e Hasan Korvafajt i njohur mes besimtareve me emrin Ebu Muhamed. 58 vjeç, baba i tre fëmijëve, mendohet se u vra në janar 2014 dhe familja e tij ende nuk është kthyer nga Siria. Hasan Korvafaj frekuentonte rregullisht xhaminë e fshatit Mëzez, ku edhe dyshohet se është frymëzuar për të luftuar në Siri. Imami Bujar Hyska, sipas raportit të SHISH-it, e ka shoqëruar më 21 nëntor 2012 Hasan Korvafajn deri në Aeroportin e Rinasit. Udhëtimi, ka thënë Korvafaj në Rinas, ishte për arsye shëndetësore. Disa muaj më vonë, në mars të 2013-ës drejt Turqisë udhëtoi edhe familja e tij. Në Prokurori ka deponuar kallëzimin edhe i vëllai i Hasan Korvafajt, i cili mendohet se ka dhënë me detaje të gjitha njohjet që vëllai i tij kishte me të arrestuarit dhe bisedat e bëra mes tyre, pas lajmit për vrasjen e vëllait të tij në Siri. Edhe për vrasjen e Anri Maliqajt, me origjinë nga Lezha, Prokuroria ka marrë konfirmimin zyrtar të vrasjes së tij në fillim të nëntorit 2012. Maliqaj mësohet se ishte frekuentues i xhamisë së Unazës së Re në Tiranë, ku është imam Genci Balla. Maliqaj, sipas dosjes, është shqiptari i parë i vrarë në Siri së bashku me një shtetas nga Librazhdi, që rezulton i humbur. Sipas të dhënave të prokurorisë, zyrtarisht rezultojnë të vrarë 6 shqiptarë, tre të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe 12 janë plagosur dhe kthyer në Shqipëri.

 

Përgjim

 “…nga muxhahidët shqiptarë që janë në Siri, ka rënë shehid (dëshmor) vëllai mysliman me emrin fetar Ebu Enesi nga Lapraka dhe është vëllai mysliman Hamit Muslija. Inshalla Ebu Enesi ka rënë shehid e ne duhet të gëzohemi për këtë gjë, të gëzohemi për të që Allahu ia mundësoi xhenetin (parajsën) si shehid. Ne duhet të mërzitemi për vetet tona që Allahu nuk na e ka mundësuar shehidllëkun, e inshalla ia mundëson secilit prej nesh dhe çdo myslimani të devotshëm. Kjo është ajo që duhet të na mërzisë dhe jo vdekja e atij vëllait, se ai ka marrë gradën më të lartë te Allahu, shehid inshalla…”

 

 

 

Vlorë

E dënuar me 13 vjet burg për mashtrim, prangoset Alda Kacaj

 Një 28-vjeçare nga Vlora, e dënuar nga Gjykata e Tiranës me 13 vite burg për mashtrim, është arrestuar ditën e djeshme. Alda (Elda) Kacaj mashtronte qytetarët me vizat amerikane, duke i marrë para kundrejt nxjerrjes së vizave për në SHBA. Arrestimi i 28-vjeçares është bërë paraditen e djeshme rreth orës 10:30 në vendin e quajtur Skelë, në Vlorë, nga seksioni i Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Kacaj ishte dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 13 vjet burgim për veprën penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda me shumë së një herë”. Ndaj 28-vjeçares Alda Kacaj u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

 

Lezhë

Gjueti e paligjshme, arrestohen 3 shtetas italianë

 Tre gjuetarë italianë janë vënë në pranga nga policia e Lezhës, pasi janë kapur duke gjuajtur në mënyrë të paligjshme në lagunën e Kun-Vainit në Lezhë. Gjithashtu të arrestuar janë edhe disa shqiptarë, të cilët akuzohen si bashkëpunëtor të italianëve. Policia e Lezhës bën të ditur se arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit “Laguna” në Vain të Lezhës, ku janë kapur në flagrancë Rodolfo Tardi, Andrea Skarpi, Paolo Traski. Të tre këta persona, qytetarë italianë, po bënin gjueti të paligjshme në bashkëpunim me Pashk Ndokën, Meraldo Ndoka, Arlind Kolecaj, Gjek Dedën, Ndue Kolën të cilët ishin shoqërues dhe strehuesit e tyre. Gjatë arrestimit, atyre u janë bllokuar në cilësinë e provës materiale disa armë gjuetie, municion dhe imitues të zërave të zogjve që shërbenin për gjuetinë e paligjshme. Pas arrestimit të këtyre personave, dosja me materialet hetimor i ka kaluar Prokurorisë Lezhë për veprime të mëtejshme. Këto janë ndalimet e para të bëra nga policia që kur në Shqipëri u vendos moratoriumi 2 vjeçar që bllokon gjuetinë e të gjitha llojeve.

 

 

Zvicër

Gjendet trupi i pajetë i një shqiptari, dyshime se është vrarë

 Trupi i pajetë i një shqiptari është gjetur mëngjesin e djeshëm pranë Kolegjit të Shëndetësisë në Gjenevë. Hetuesit dyshojnë se ai ishte vrarë. “Duket se është rrahuar për vdekje”, – kanë thënë ata për median. Prokuroria e Gjenevës informoi dje se bëhet fjalë për një shqiptar rreth 30-vjeçar. Vendi ku është gjendur trupi i pajetë është i njohur si vend i përdoruesve të drogës. Zyra e prokurorit në Gjenevë ka nisur hetimet nën dyshimin për vrasje. Trupi u zbulua të hënën (17 mars 2014), në orën 7 të mëngjesit poshtë një peme, nga një grua që ishte duke shëtitur me qenin e saj.

 

 Tiranë

Ngacmuan dhe përndoqën 2 femra, në pranga autorët

 Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë, të akuzuar për përndjekjen e bërë ndaj dy femrave. Bëhet fjalë për dy raste të ndryshme, ku rasti i parë ka të bëjë me 36-vjeçarin Edmond Çakmashi me banim në Shkozë të Tiranës, i cili është denoncuar nga një grua. 35-vjeçarja me inicialet A. C. ka denoncuar në polici Çakmashin, duke thënë se prej një viti është përndjekur, kërcënuar dhe frikësuar nga ky i fundit. Për rrjedhojë nga ana e uniformave blu u bë ndalimi i tij, ndërsa vijojnë hetimet për të zbuluar shkaqet e një veprimi të tillë. Ndërkohë, rasti i dytë ka të bëjë me Besnik Dervishajn, me banim në Shkallnur të Durrësit, i cili ditën e djeshme është kapur në flagrancë, duke ngacmuar me anë të veprimeve të përsëritura dhe duke i shkaktuar gjendje ankthi dhe frike një femre. Ka qenë ndihma e kërkuar nga kjo e fundit që ka çuar në arrestimin e tij, ndërsa vijojnë veprimet hetimore ndaj 35-vjeçarit.

 

 

Share it :