Blutë e Londrës do të kenë përballë turqit e Mançinit, që kanë treguar më së miri se bëjnë surprizën atëherë kur nuk pritet
Galaktikët do të kërkojnë që të marrin edhe suksesin e radhës pas fitores së thellë që i morën Shalkes në Gjermani
Sot në mbrëmje luhen ndeshjet e dyta të Ligës së Kampioneve. Përballë janë vënë londinezët e Çelsit që do të sfidojnë Gallatasarajin, ndërsa në Spanjë Reali do të kërkojë fitoren e radhës kundër Shalkes, që pas humbjes së thellë në fushën e vet, do të kryejë një ndeshje për të vënë në vend nderin. Të dyja sfidat do të dhurojnë emocione, pasi luajnë futboll shumë të bukur dhe japin spektakël.
Real Madrid-Shalke
Një sfidë që i dihet fati, por që kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë lojë të bukur. Shalke përsëri do të sfidojë atë që është skuadra më e frikshme e momentit. Në ndeshjen e kaluar ishin madrilenët ata që arritën të mposhtnin lehtësisht skuadrën e kaltër, që nuk pati se çfarë të bënte përballë makinerisë galaktike. Me Ronaldon në krye skuadra gjermane pësoi një humbje 6 me 1. Ndërsa sfida në “Santiago Bernabeu” duket më shumë si një ndeshje formale. Megjithatë, gjermanët gjithmonë japin maksimumin dhe e kanë treguar sa herë e kanë pasur mundësinë. E tregoi Bajer Leverkusen me PSG-në një javë më parë, duke u shfaqur mjaft agresiv. E njëjta gjë pritet edhe nga Shalke që me Drakslerin dhe Huntelarin do të mundohen të luajnë një sfidë nderi. Pritet që Ançeloti të mos luajë me të gjithë ekipin e parë në sfidë, pasi përpara ka sfidën ndaj Barcelonës, të cilën nuk e ka lehtë, duke parë edhe formën që katalanasit shfaqën në fundjavë, kështu që italiani mund të futet në fushë edhe me disa lojtarë nga stoli për ti lënë të qetë senatorët.
Çelsi-Gallatasaraji
Ndeshja që komentohet më shumë, është sfida midis bluve të Londrës dhe turqve të Gallatasarajit. Të dyja skuadrat dolën barazim në Stamboll, duke mos e lënë të qartë fituesin. Në letër më shumë mundësi për të fituar ka skuadra e Murinjos. Kjo, pasi barazimi në fushën e kundërshtarit i favorizon anglezët. Por sfida e kthimi luhet në “Stanford Bridge” dhe faktori fushë ndikon pozitivisht për ekipin e portugezit. Por në fushë gjërat nuk do jenë kaq të thjeshta. Këtu mjafton që të kujtojmë lojën e bërë nga Gallatasaraji kundër Juventusit. Mançini njihet gjithmonë si një trajner që është i aftë që të bëjë mrekullinë. Italiani ka futur te skuadra një frymë fitimtari dhe tashmë turqit janë të rrezikshëm për gjithkënd. Fitorja ndaj torinezëve është një paralajmërim për Murinjon se çfarë mund të bëjë skuadra portokalli. Barazimi 1 me 1 nuk është shumë i favorshëm, kur e mendon se një gol i shënuar nga turqit mund ta kthejë në një makth për blutë. Një ndeshje e veçantë do të jetë për Drogbanë, i cili kthehet te skuadra që i ka dhënë shumë. Lojtari ka pasur një problem me teknikun italian në fundjavë. Kjo, pasi Mançini vendosi ta ndërronte lojtarin nga Bregu i Fildishtë. Një dalje nga loja që nuk e gëzoi lojtarin që e shfryu inatin te shishet e ujit. Një problem ky për Gallatsarajin që i duhet lojtari kyç për një sfidë delikate si kjo.
Benzema i gatshëm për “El Clasico”
Tekniku Ançeloti ka bërë të ditur se Karim Benzema do të jetë në dispozicion të skuadrës për derbin e madh “El Clasico” që zhvillohet të dielën në “Santiago Bernabeu”. Strategu italian ka thënë se sulmuesi francez nuk do të luajë ndaj Shalkes të martën në kuadër të Ligës së Kampionëve, si pasojë e një dëmtimi që mori në ndeshjen ndaj Malagës. Mbretërit tashmë e kanë siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve pas triumfit prej 6-1 në Gelsenkirshen, ashtu që nuk do të kenë nevojë për shërbimet e 26-vjeçarit. Mirëpo, ai do t’u nevojitet në përballjen e madhe kundër Barcelonës. “Benzema nuk mund të luajë nesër por jemi të bindur se do të jetë në dispozicion për të dielën”, – ka thënë Ançeloti në një konferencë për media.
Bogdani: Në qershor largohem nga futbolli
Erion Bogdani ka folur për të tanishmen dhe atë që do të vijë në muajt në vazhdim, duke ditur që ka 7 muaj pa luajtur. “Gjithmonë jam pranë futbollit dhe ndonjë kontakt me ndonjë skuadër të mirë e kam pasur, por kam vendosur ta lë futbollin. Në qershor ‘var këpucët në gozhdë’ dhe do të marr licencën e trajnerit”, – është shprehur Erion Bogdani. Siç ka deklaruar edhe vetë, ai ka “varur këpucët në gozhdë”. i mbetur pa ekip pas merkatos së verës, Bogu ka vendosur për të ardhmen. Ai ka refuzuar oferta që i kanë ardhur nga Shqipëria, si dhe të tjera nga ekipe jashtë Italisë. Tanimë ai nuk është më pjesë e futbollit të luajtur, pas një karriere të gjatë të nisur në vitin 1994 me Partizanin, më pas në Turqi, Kroaci dhe në fund në itali, me 7 skuadra të ndryshme mes Serisë A dhe E. Bogdani ka luajtur 73 ndeshje me 19 gola të shënuar me fanellën kuqezi.
Vidal: Nuk largohem nga Juventusi
Kiliani Arturo Vidal ka përsëritur se nuk është i interesuar të kalojë te Barcelona. Bashkëkombësi i tij, Aleksis Sançez, e ka ftuar 26-vjeçarin në “Camp Nou” duke e konsideruar si njeriun e nevojshëm për Blaugranët. “Më pëlqen ta ndaj dhomën me të, e njohim njëri-tjetrin që nga fëmijëria. Ai ka cilësitë e nevojshme, do të rezultonte i suksesshëm në cilëndo skuadër. Sançez dëshiron të luajë me mua? Ne po e bëjmë këtë qe një kohë të gjatë te ekipi kombëtar”, – ka deklaruar Vidal. Mesfushori edhe më herët ka mohuar largimin nga Juventusi drejt Real Madridit apo Barcelonës. Një deklaratë kjo që ngroh Konten i cili i duhet në sezonin tjetër mesfushori. Kjo pasi Vidal është një ndër pikat më të mira ku mbështet ekipi.
Berluskoni: Sedorf, i paprekshëm
Silvio Berluskoni i ka dalë në mbështetje Klarens Sedorfit pas fillimit jo të mirë të karrierës si trajner në San Siro. Holandezi zuri vendin e Masimiliano Alegrit të shkarkuar, për ta rimëkëmbur skuadrën, mirëpo detyra nuk është aq e thjeshtë sa duket. Ditët e fundit janë ngjallur pakënaqësi të mëdha te tifozët pas eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe pas humbjes prej 2-4 nga Parma në shtëpi. “Sedorf nuk është temë diskutimi, ai do të jetë trajner i yni edhe në vitin e ardhshëm”, – është shprehur ish-kryeministri italian për ANSA. Më tej, ai ka theksuar se arsyeja e dështimit të kuqezinjve këtë sezon është se “skuadra e Milanit është ndërtuar keq”.
Hazard: Murinjo dhe unë për histori
Eden Hazard ka lavdëruar ndikimin e Hoze Murinjos në karrierën e tij dhe shpreson që ata të dy të shkruajnë “një kapitull bukur” së bashku te Çelsi. “Kur një person si Murinjo thotë gjëra të mira për ju, dëshiron të nxjerrë më të mirën dhe gjithmonë është një gjë e mirë. Kjo tregon se ju jeni në rrugë të duhur dhe se ende keni shumë për të arritur, pasi talenti është i mirë, por mund t’ia dilni më mirë. Më takon mua të punoj fuqishëm me qëllim që të arrij nivelin më të mirë të mundshëm, dhe kjo mund të arrihet përmes stërvitjeve dhe ndeshjeve. Nuk është se ai më bën të përmirësohem ose diçka. Ai i lejon vetë njerëzit të bëjnë gjërat e veta, u jep shumë vetëbesim lojtarëve, na motivon me fjalime të shkurtra, fjali të shkurtra në gazeta ose fytyrë më fytyrë. Mendoj se unë po ia kthej këtë në fushë. Siç them shpesh, shpresoj se kjo do të zgjatë pasi ne kemi një histori për të shkruar së bashku”, – ka thënë Hazard
Iniesta: Triumfojmë ndaj Realit
Andres Iniesta beson se Barcelona mund ta fitojë përballjen e së dielës kundër Realit të Madridit dhe ta ngushtojë diferencën e pikëve në krye të La Ligas. Dy gjigantët e futbollist spanjoll dhe botëror do të ndeshen në “Santiago Bernabeu” dhe katalanasve do t’u shërbente fitorja, pasi janë katër pikë prapa liderit. Këtë javë, Blaugranët e shkelën Osasunën me rezultat 7-0 dhe ky triumf do t’u shërbejë si motivim për derbin e madh. “Tashmë vjen ndeshja më e vështirë e sezonit, por njëherësh edhe më e bukura. Duam që të bëjmë diçka të mirë në “Bernabeu” dhe besojmë se mund të fitojmë atje. Takimi Real-Barça është një luftë në futboll, por ajo që ka ndodhur në të kaluarën, i takon të shkuarës”, – ka deklaruar mesfushori spanjoll.





