Barcelona me PSG arratisen, Siti dhe Leverkuseni japin lamtumiren

Skuadra e Tata Martinos arriti që ta menaxhonte mirë rezultatin dhe mori një triumf përballë një kundërshtari shumë të rëndësishëm

 PSG në fushën e saj ka bërë vetëm detyrën, duke fituar 2-1 kundër Leverkusenit

 

 

BARCA-VS-MAN-CITY-9Liga e Kampioneve dhuroi dje edhe dy skuadrat që kalojnë në fazën tjetër. Në të dyja ndeshjet u zhvillua një lojë e fortë dhe me temp të lartë. Ndryshe nga ndeshjet e para si Siti ashtu edhe Leverkuseni bënë një lojë më të fortë, faktor ky që ndryshoi pa lojën dhe i vuri në vështirësi dy favoritet e tjera. Mirëpo si katalanasit ashtu edhe parisienët nuk e vunë në dyshim kualifikimin gjatë ndeshjes. Katalanasit zhvilluan lojën e tyre tipike në fillim me mbajtjen e topit për të shkuar në sulm, ndërsa mysafirët përpiqeshin të provonin fatin e tyre me kundërsulme. Barça arriti të shënonte një gol me anë të Nejmarit, pas pasit të Hordi Alba, mirëpo arbitri e anuloi golin për pozicion jashtë loje. Skuadra angleze u angazhua më shumë në çerekun e fundit të pjesës së parë, mirëpo spanjollët arritën ta menaxhonin shumë mirë presionin. Raste pati nga të dyja palët, por rrjetat nuk u prekën në gjysmën e parë. Mysafirët e filluan mirë pjesën e dytë, por ishte Leo Mesi, që goditi shtyllën, duke drithëruar anglezët. Menjëherë pas kësaj Xeko bëri një goditje të mrekullueshme me kokë, por Valdes u tregua i jashtëzakonshëm duke e ndaluar. Rastet e Sitit vazhduan të shtoheshin gjithnjë e më shumë, ndërsa blaugranët vazhduan ta bllokonin lojën e tyre dhe të shfaqnin rrezik në sulm. Një gabim në fazën mbrojtëse të skuadrës angleze e shfrytëzoi Mesi për ta shënuar golin e shumëpritur nga tifozët në “Camp Nou” në minutën e 67-të. Ky ishte goli i 67-të i argjentinasit në Ligën e Kampioneve dhe në këtë mënyrë e ka kaluar Raulin me golat e shënuar për një klub në garën prestigjioze. Në minutën e 78-të gjërat do të ndërlikoheshin për skuadrën e Mançesterit, pasi Zabaleta do të dilte me të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Por pavarësisht nga kjo “citiziens” nuk do të lëshonin pe dhe do të barazonin me anë të Kompanit në minutën e 89-të. Mirëpo për fitoren e Barcelonës u përkujdes Dani Alvesh në minutat shtesë pas një pasi të dhënë nga Iniesta. Ndërsa në sfidën PSG-Bajer Leverkusen kishte një fat tjetër. Do të ishte një fillim shumë i mirë për gjermanët me Sam që realizoi pas gjashtë minutash lojë duke çuar skuadrën e vetë në epërsi, por pas golit të “aspirinave” do të ishte Markinjos ai që u përgjigj me një gol në minutën e 13-të duke barazuar lojën. Gjermanët u treguan agresive në lojë, duke mos e nënvlerësuar sfidën. Në pjesën e dytë do të vinte edhe nokauti për ekipin mik, që do të ndëshkohej nga Laveci që i dha kështu fitoren skuadrës së tij dhe një biletë për fazën tjetër të ligës.

 

 

Bekenbauer: Bajerni pas disa vitesh, i mërzitshëm

Franc Bekenbauer ka deklaruar se ekipi gjerman do të bëhet i bezdisshëm sikur Barcelona, nëse vazhdohet me këto skema. Bavarezët mbesin të pamposhtur në Bundesligë nën spanjollin dhe kanë një vend në tetë ekipet më të mira të Ligës së Kampioneve. “Në fund, ne do të jemi të bezdisshëm për t’u shikuar sikur Barcelona. Ata do të pasojnë shumë në mbrojtje dhe këtë do ta bëjnë në vijë të golit. Vizioni im është i ndryshëm. Nëse unë kam mundësinë për të goditur në distancë, sidomos para një mbrojtje të stërmbushur, unë do ta bëja këtë. Është mënyra e futbollit më efektiv të mundshëm”, – u shpreh Kajzeri.

 

 

Venger: Ozili, dëmtim serioz

Probleme për skuadrën e Arsenalit. Kjo, pasi përveç eliminimit nga Liga e Kampioneve do të duhet të shikojë jashtë fushe edhe lojtarin e saj më të mirë. Tashmë topçinjtë duhet t’i bëjnë llogaritë edhe pa turko-gjermanin Mesut Ozil. Tekniku i topçinjve Arsen Venger, siç lexohet në faqen zyrtare të klubit londinez, ka thënë: “Mesut ka një problem në tendinë që duket serioz. Nuk e di sa kohë do qëndrojë jashtë”. Ish-lojtari i Realit të Madridit u dëmtua në ndeshjen kundër Bajernit të Mynihut, ndërkohë që në fundjavë Arsenali luan derbin kundër Totenhemin, ndërsa një javë më pas kundër Çelsit.

Share it :