Anxhela Tato
Shkëlqim Topalli prej vitesh ishte transferuar në Proptisht, kishte konflikte pronësie
Autorët kërkuan Luan Elezin, ka një lokal afër banesës së viktimës dhe jeton në Greqi
Ekzekutohet në derën e banesës 47-vjeçari Shkëlqim Topalli, i cili doli të sqaronte autorët se kishin ngatërruar person. Madje, viktima është ofruar i gatshëm që në rast problemi shëndetësor të zgjonte bashkëshorten infermiere. Sapo është fikur drita e ballkonit janë dëgjuar breshëri të shtënash dhe britmat e 47-vjeçarit Topalli. Autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa familjarët të terrorizuar kanë njoftuar policinë. Ende asnjë gjurmë nga dy vrasësit me pagesë, të cilët kërkonin Luan Elezin. Sipas dëshmive dy persona qëndronin para ballkonit të viktimës duke thirrur: “O Luan, dil o Luan”. Pasi ka dëgjuar zërat, viktima ka ndezur dritën dhe ka dalë në ballkon, ku ka parë dy burra. I është përgjigjur se ai quhej Shkëlqim dhe banesa e Luanit ndodhej pak metra më tutje. Ndërsa i ka pyetur se mos kishin ndonjë shqetësim shëndetësor, pasi mund të zgjonte gruan që t’i dërgonte në spital. Por autorët kanë refuzuar dhe e kanë falënderuar. Sapo viktima ka fikur çelësin e dritës dy persona e kanë ndjekur nga pas, duke hapur zjarr. Nga zhurma e të shtënave është zgjuar bashkëshortja, e cila ka gjetur të gjakosur burrin e saj. E tronditur nga skena ka ulërirë dhe kanë qenë fqinjët që kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë. Por ka qenë e kotë, pasi Shkëlqim Topalli kishte vdekur. Trupi i pajetë është transportuar në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, që do të ndihmojë policinë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërsa nga të dhënat e para rezulton se viktima prej disa vitesh ishte transferuar nga një fshat tjetër në Proptisht. Ka dyshime se viktima ka mbartur me vete konfliktet e pronësisë, por ende nuk ka asgjë konkrete nga policia.
Hetimet
Një konflikt i hershëm për pronën dyshohet se ka qenë shkak i ekzekutimit më armë zjarri të një 47-vjeçari në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Proptisht të Pogradecit rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm. 47-vjeçari Shkëlqim Topalli është ekzekutuar me armë zjarri tip automatik në banesën e tij. Sipas familjarëve të viktimës, “autori i ngjarjes e thirri me emër tjetër 47-vjeçarin, duke e qëlluar me automatik në ballkon Shkëlqimin”. “Shkëlqimi doli se mos kishin nevojë për ndihmë. Pasi u tha se nuk ishte ai që kërkonin, tentoi të futej në shtëpi, por ata e qëlluan me armë”, – thonë familjarët. Familjarët e 47-vjeçari thonë: “Dyshojmë se ngjarja ka lidhje me konflikt pronësie të ndodhur para 5 vitesh. Ndërsa shprehen se kërkojnë të vendoset drejtësi. Por kjo nuk është e vetmja pistë ku janë përqendruar hetimet. Pasi Luan Elezi është një biznesmen i njohur në zonën ku ka ndodhur krimi. Ky ka qenë emri që është thirrur nga autorët. Mësohet se Luan Elezi ka një lokal në këtë zonë, i cili është ngjitur me banesën e viktimës. Ndërsa banesa ku jeton familja e Luanit ndodhet pak metra më tutje vendit të ngjarjes. Luani prej vitesh jeton në Greqi dhe policia ka dyshime që krimi mund të ketë qenë një porosi.
Greqi
Prokuroria dëbon studentin shqiptar, refuzon kërkesën e Unionit të Mësuesve
Prokuroria e qytetit të Larisës nuk ka pranuar kërkesën e Unionit të Mësuesve të Arsimit të Mesëm dhe ka urdhëruar dëbimin e një studenti shqiptar, i cili jeton në këtë qytet prej disa vitesh, pa dokumente. Bëhet fjalë për Aleksandër Ahmetaj, nga qyteti i Kukësit, i cili në 2009, kur ishte 18 vjeç, ka kaluar kufirin në këmbë dhe pas disa ditësh ka mbërritur në Larisa, te xhaxhai i tij. Në fillim është regjistruar në shkollën e natës dhe, pasi e përfundoi, ka kaluar në Liceun Teknik, ku studion edhe sot në degën e Instalimeve Kompjuterike, në klasën e dytë. Siç dëshmon, Alfons Lupi, nxënës shqiptar edhe ai në të njëjtën klasë, drama e shokut të tij të ngushtë filloi para një jave, kur gjatë një kontrolli rutinë të makinës së xhaxhait të tij, ai është gjetur pa dokumente, është arrestuar dhe, pasi është mbajtur tri ditë në rajonin e policisë, është liruar, duke pasur vetëm një jave afat për t’u larguar nga Greqia. Ndërkohë profesorë të liceut, ku ai studionte, dhe të sindikatës së mësuesve të qytetit, që negociojnë prej mesditës së të martës me policinë, u kanë kërkuar organeve të rendit shtyrjen e afatit të dëbimit, në mënyrë që të paktën të mbarojë sezonin shkollor, pasi po të dëbohet do të humbasë gjithë vitin. Nëse kërkesa nuk pranohet dhe 23-vjeçari nuk largohet deri në 12 Mars, përballet me dënim 6 muaj burg dhe gjobë 6000 euro. E pyetur, drejtoresha e Liceut Teknik të Larisës, Katerina Delkou, ka deklaruar se po bëhen të gjitha përpjekjet me Ministrinë e Rendit, Ministrinë greke të Arsimit dhe Unionin Kombëtar të Mësuesve, në mënyrë që nxënësit shqiptarë, përveç lejes së qëndrimit t’i aprovohet një leje studimi e menjëhershme nga Ambasada greke në Tiranë, që të mos humbasë vitin shkollor. Me ndihmën e profesorëve dhe rrethit të tij shoqëror, pritet që 23-vjeçari t’i drejtohet përsëri gjykatës për ndryshimin e urdhrit të dëbimit. Për ngjarjen është sensibilizuar edhe shtypi lokal, ndërsa edhe gazeta “Ethnos”, e së martës, bashkë me shumë agjenci kombëtare lajmesh kanë trajtuar këtë histori, që ka shkaktuar reagime në opinionin publik të vendit.
Tiranë
Plagoset në këmbë punonjësja e call-centerit, u konfliktua me një parukiere
Një vajzë 29-vjeçare e identifikuar si Alma Beqa, dyshohet se ka mbetur e plagosur në një ngjarje që ka ndodhur pak pas ish-ekspozitës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 minuta. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një pallat pranë Gjykatës së Shkallës së Tiranës në një call center. Mësohet se e reja është plagosur në këmbë. Nga të dhënat e para bëhet me dije se 29-vjeçarja ishte konfliktuar me një parukiere, e cila nuk e ka kapërdirë dot ofendimet. Dyshohet se autori i plagosjes është një i afërm i parukieres. 29-vjeçarja Beqa është dërguar për në spitalin e Traumës ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie që kanë nisur hetimet në lidhje me ngjarjet.
Tiranë
Parandalohet vrasja për hakmarrje, pranga autorit
Shërbimet e komisariatit numër 6 të policisë së Tiranës kanë parandaluar një vrasje në Yzberisht, teksa kanë ndaluar një person që hynte me automatik në makinë për të vrarë personat me të cilët ishte në hasmëri. Muhamet Dorzi, është kapur me një automatik kallashnikov me fishekë në fole gati për të qëlluar, si edhe me qytë të hequr për ta maskuar armën lehtësisht nën xhup. Sipas policisë, Dorzi ka parë pjesëtarë të familjes Kusi, të cilët i akuzon për vrasjen e të vëllait qershorin e vitit 2009 dhe ka marrë armën për t’i ekzekutuar. Patrullat e Komisariatit numër 6 të Policisë, janë gjendur në vendin e duhur kur Dorzi hipte në makinë për ta arrestuar. Arma e sekuestruar ka mjaftuar që policia ta arrestojë dhe mbajë në qeli Dorzi, dhe t’i japë kohë policisë për të dokumentuar akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Vëllai i tij, Ramazan Dorzi, i njohur edhe si Shkëlqim Dorzi, u ekzekutua qershorin e vitit të kaluar dhe në atë kohë policia e motivoi ngjarjen me hakmarrjen mes grupeve të Yzberishtit.




