Nga Violeta Murati
Kronikat e teatrit në dyert e Kuvendit gjithmonë kanë qenë nga më të vështira për të hyrë në binarët shtetërorë. Rezultati është: 24 vjet teatri dhe aktorët me çengel në qafë prej politikës. Rasti i djeshëm i diskutimit në Komisionin e Medias përmbi dy çështje si: propozimi për shkrirjen e Qendrës së Artit pranë Ministrisë së Kulturës, si dhe ndryshimi i emërtimit të Teatrit të Komedisë – kanë qenë vetëm grimca, pas të cilave fshihet një situatë kakofonike se si funksionon kjo hallkë e kulturës.
Krejtësisht e varur, sipas “humorit” të politikës që zë kolltukun; kështu tingëlloi të paktën edhe dje, kur për të disatën herë shohim përballë deputetëve të njëjtët aktorë të teatrit duke diskutuar, me të njëjtën frymë si dy vite më parë, si tri vite më parë, si 15 vite më parë.
Ka qenë një nga diskutimet më maratonë të bëra deri tani për këto çështje, zgjatur prej orës 10:00-13:30, me të njëjtin skenar, veçse tani ndryshim krahësh: nga e djathta në të majtë!
Por me ndryshim nga herët e tjera, debati i djeshëm në Komisionin e Medias dhe Informimit (që mbulon edhe çështjet e kulturës) ka zotëruar inkompetencën e plotë në dijeni të respektimit të koncepteve mbi teatrin, nga ana e deputetëve. Rasti është propozimi për të ndryshuar konceptin e funksionimit të Teatrit të Komedisë, si dhe dijenisë mbi Qendrën e Artit Skenik të ngritur në fundin e saj nga qeveria e djathtë, që la pushtetin më 23 qershor.
Për katër orë fryma e debatit si në çdo rast tjetër anonte politikisht, krahët mbronin njëri-tjetrin – pa marrë vesh se mbështetja apo kundërshtimi s’kishte të bënte me elektoratin, por me zhvillimin e teatrit. Ndonëse kjo psikozë ende e gjallë, fenomen i politizimit të skajshëm këtu, nuk mundi asnjë moment dhe në frymën e djeshme të çlirohej për të diskutuar seriozisht për teatrin. Të gjithë si politikanë (deputetë) dhe aktorët e drejtues teatri, dhe më tej akoma dhe vetë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në asnjë moment nuk kanë arritur të artikulojnë politikën mbi teatrin. Kjo do të thotë se prej piramidës shtetërore, teatri procedohet si “pronë” shteti, dhe jo publike, njëra anë, dhe çfarë e ka zhytur në krizë është mbajtja nën “thundrën” e politikës, duke u varur financiarisht nga shteti, pa asnjë mundësi apo lehtësi fiskale për të pasur një konkurrencë të lirë. Le pastaj kur i dëgjon të thonë se u dhimben të rinjtë që mbarojnë akademinë e përfundojnë kamerierë e talenti u shpërdorohet!!!
Mungesa e këtij artikulimi gjithmonë ka çuar në debate shterpë mbi teatrin dhe ligjin e tij. Kur vetëm dje është bërë blofi se në debatet ligjore duhen ftuar edhe subjektet private, d.m.th. nëse ekzistojnë kompani private teatrore. Përgjigjja ishte fatale: s’ka asnjë kompani teatri private deri tani.
Të gjitha diskutimet e tjera, pavarësisht nga kronika që do të japim më poshtë, i takojnë politikës së ditës, ajo që është mazhorancë, ligjvënëse në mënyrë arbitrare pa iu referuar një perspektive apo vizioni mbi teatrin. Eksperienca e 15 viteve të fundit, të paktën, e tregon këtë.
Megjithatë, dje, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka qenë e përgatitur t’i propozojë Komisionit të Medias çfarë ka publikuar para pak kohësh se është e vendosur të shkrijë Qendrën e Artit Skenik pranë MK-së, si dhe të ndryshojë konceptimin e Teatrit të Komedisë, në propozimin e zëvendësimit me Teatrin Eksperimental.
Shkrirja e Qendrës së Artit. Po borxhet artistëve?!
Në ironi me problemin e deputetëve se nuk kanë ku parkojnë dhe një letre të rënë në duart e Genc Pollos gati ishin arsye të mosprocedimit të Komisionit kur përballë ishte thërritur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
Në disa minuta mes deputetëve ka pasur përplasje jo për arsye kulture as teatri, por qëndrimit të tyre politik. Ishte këmbëngulja e deputetëve të PS-së që të rikthehej debati te Ministria e Kulturës. Fjalët e para të ministres, si gjithë struktura e qeverisë, lidhen me borxhet e mbartura për vitin 2012-2013. Më konkretisht, Kumbaro është ndalur në propozimin për shkrirjen e Qendrës së Artit Skenik, ngritur si strukturë e re më 2010, por që nisi të funksiononte më 2012. Vetëm për Qendrën, ministrja ka llogaritur një borxh prej 30 milionësh lekë të reja, që deri në tetor të 2013-ës, është dyfishuar. “Kjo është shkelje e ligjit”, – ka reflektuar nga analiza Kumbaro, duke shtuar se precedenti i mbartjes së projekteve siç ka funksionuar në MK është kthyer në rregull! Ministrja ka përmendur disa raste të artistëve që kanë trokitur në Ministri, të cilëve ende nuk u është shlyer detyrimi financiar. Para deputetëve, u argumentua se si dikasteri i lartë i kulturës ka funksionuar i dubluar, me dy struktura: Qendra e Artit dhe Drejtoria për Programet Artistike në MK. Dy zyra që kanë ndarë para të pamonitoruara. “S’kemi asnjë statistikë për këto projekte”, – tha Kumbaro. Për këto arsye ka kaluar direkt në propozimin para Komisionit: Të shkrihet Qendra!
Ka shtuar edhe emërtesën e Teatrit të Komedisë, të kthehet në teatër eksperimental quajtur “Kujtim Spahivogli”.
Përballë ministres kryetari i Komisionit për Mediat, Genc Pollo, ka caktuar dy relatore: Luiza Xhuvanin, deputete, anëtare e PS-së dhe Eleina Qirici, deputete, anëtare e PD-së.
Siç mund të shihet nga emrat, por edhe pozicionet, asgjë s’mund t’i shërbejë kulturës në kontekste politike. Pollo kërkonte nga Kumbaro që brenda vitit t’i premtonte sjelljen e dy projektligjeve në Komision; njërin për trashëgiminë dhe tjetrin për të drejtat e autorit.
Ndërsa “gratë” relatore do të kalonin në qendër të vëmendjes, duke mos lëvizur nga llogoret politike më shumë në mbrojtje të “bindjeve” sesa Teatrit, pavarësisht se Xhuvani është aktore.
Qirici u shpreh: “Nuk mund të shkrihet me një të rënë të lapsit një hallkë administrative. Duhet kushtuar mirëfunksionimit, por jo shkrirjes”.
Deputetja e PD-së ka kundërshtuar gjithashtu edhe ndryshimin e konceptimit të Teatrit të Komedisë, duke kërkuar nga Kumbaro se cilët kanë qenë grupet e interesat, me të cilët është konsultuar për këtë “ndryshim”, ku bazohet për emërtimin e fjalës “teatër eksperimental”?! Qirici i ka njohur deputetët edhe më një peticion të drejtorit të Teatrit të Komedisë drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës.
Në këtë seancë pyetjesh, ministrja e Kulturës ka mundur t’i përgjigjet me të njëjtin argument: ligji për artin e kulturës nuk ka “gjetur rehat”, është problematik. Në këta pesë muaj ka thënë Kumbaro është konsultuar me grupet e interesat, që mendohet aktorët, njerëz të skenës!! “Është situatë gangrenë dhe duhen ndryshime emergjente. Nuk është në dinjitetin e zyrave të shtetit të trokasin e të lypin njerëzit e famshëm lekë. Qendra e Artit nuk ka nënshkruar as të drejtat e autorit për projektet”. Debati nuk ishte i ashpër, por me fjalë boshe, për të njëjtat argumente, që nuk besojmë as në të ardhmen të gjejnë reflektim apo përgjigje. Ndonëse sipas anëtarëve të PD-së, modeli i reformës që ata propozuan për Qendrën e Artit ishte decentralizimi i fondeve publike, që ministri të mos jetë ekzekutor i parave; të drejtën që Ministrja i jep vetes. Ndërsa Kumbaro ka këmbëngulur, mbështetur nga anëtarë të PS-së, se arsyeja e ndërhyrjes ishte degradimi i këtij mekanizmi , si dublante e Drejtorisë së Arteve. Duke u trajtuar si çështje mentaliteti dhe jo institucionale, për këtë vendim pritet të ndërhyhet në ligj, deri në paraqitjen e një projektligji të plotë për artin e kulturën. Por deri në këtë kohë, Kumbaro është detyruar pas “ankesave” të deklarojë para Komisionit të Medias se deri në fund të 2014-ës do t’i shlyejë borxhet për projektet artistike të mbartura.
Teatri i Komedisë apo Eksperimental?!
S’kanë marrë përgjigjen e duhur përballë ministres për pyetjen që deputetët e Komisionit të Medias i bënë: Cilat janë grupet e interesit me të cilët është konsultuar për ndryshimin e emërtesës së Teatrit të Komedisë, krijuar si institucion nga qeveria “Berisha”, në një kohë që funksiononte vetëm një teatër në gjithë kryeqytetin.
Kjo ka marrë pjesën më të madhe të debatit, ku pas raportimit të Kumbaros, erdhën edhe disa anëtarë të bordit të Teatrit të Komedisë, bashkë me drejtorin Kastriot Çipi, këta shoqëroheshin dhe nga drejtori i Operas, Ilir Kerni, drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, si dhe regjisori Kiço Londo. Deputetët kishin të drejtë vetëm të pyesnin ministren.
Sipas Kumbaros, ndryshimi i emërtimit lidhet me dy arsye: hapjen e dimensionit të funksionit të teatrit dhe mundësi më të mëdha për të rinjtë. Nuk është diskutuar emërtesa e teatrit me emrin e aktorit “Kujtim Spahivogli”, si nismëtari i parë i teatrit të të rinjve. Kreu i Komisionit, Genc Pollo, i ka lexuar Kumbaros letrën-peticion nga një grup artistësh që e quanin arbitrare ndërhyrjen e ministres për të ndryshuar “identitetin” e Teatrit të Komedisë, duke kujtuar funksionim e këtij teatri që nga koha e ngritjes si institucion. Artistët janë shprehur se Kumbaro është treguar arrogante kur i kanë kërkuar takim, i ka refuzuar. Ministrja ka kundërshtuar: Emrat kanë konflikt interesi, janë anëtarë të bordit të Teatrit. Deputetët e PD-së kanë insistuar për “refuzimin” e dëgjimit nga ana e ministres, të të gjitha palëve të interesit për këtë projekt, duke implikuar se mund të ishte një propozim që ministres ia ka sugjeruar vëllai i saj Arben Kumbaro, regjisor i njohur – duke kujtuar se ishte i vetmi që ka kundërshtuar edhe krijimin e Qendrës së Artit. Nënshkruesit e peticionit kundër propozimit të Kumbaros janë: Enver Petrovski, Mihal Luarasi, Guljem Radoja, Milto Kutali, Kastriot Çipi etj. Deputetja Luiza Xhuvani, që herë pas here kujton katër vitet e politikës së saj në këtë Komision, tha se “ende nuk e kemi këtë privilegj të kemi një teatër zhanri”! A kemi nevojë për Teatrin eksperimental? Ky term ka konfuzuar dje deputetët që në ironi pati nga ata që thanë, se “për këtë të organizohet një tryezë shkencore”. Deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, do ta thjeshtësonte më shumë: “Mjafton një klik në Google dhe gjeni gjithçka për suksesin që ka në botë teatri eksperimental”. Aktorët kanë qeshur në ironi, të përcaktimit të termit nga deputetët. “Nuk shoh asnjë motiv për teatër eksperimental, pasi nuk ekziston; është absurde, e panevojshme”, – ka thënë regjisori Mihallaq Luarasi, ndër kundërshtarët e parë të kësaj ideje. Drejtori i Teatrit Kombëtar, i sapoemëruar, Hervin Çuli, e ka parë si çështje dublimi me Teatrin Kombëtar repertorin që ka Teatri i Komedisë. Ndërsa është parë situata dhe në aspektin politik (ndonëse politike e gjithë situata) se Kumbaro kërkon të justifikojë shkarkimin e Çipit, drejtorit të Komedisë.
Propozimi profesional i ka takuar Kiço Londos, i ulur disa herë në të njëjtin vend, pothuaj për të njëjtat probleme për teatrin. Sipas Londos, çështja e ngritjes së një institucioni të dytë për teatrin ishte novatore, por ka zgjeruar bisedën duke e shtrirë problematikën e teatrit në të gjithë Shqipërinë, duke propozuar që teatri të jetë “alternativ” jo “eksperimental”.
Drejtori i Teatri të Operas, Ilir Kerni, ishte jashtë çdo bisede, në ironi thotë: “Nëse problemet siç i shprehët janë të vërteta, reale, atëherë jam dakord të ndryshohen gjërat. Unë dua të flas për Operan, se aty kam probleme, për të tjerat s’kam qenë këtu dhe nuk i di”.
Nëse për Teatrin e Komedisë, sipas Xhuvanit, ekziston akoma mendësia e emërtimit, “për të qeshur”, për kolegët e saj, regjisorë koncepti i komedisë është: teatri i aktorit. Duhej ky sqarim që të mos dilnin nga binarët dhe deputetët, që gati rrëshqitën situatën se si e mendonin “teatrin eksperimental”, në tentativën për ta shpjeguar si një “klik”.
Londo do ta përmbyllte: “Na janë shembur themelet e teatrit, është rrëzuar përtokë. Ne vetëm flasim. Nuk ka elitë teatri. Teatri duhet të jetë alternativë për të rinjtë. E rëndësishme është institucioni”. Nganjëherë deputetët duhet të lënë politikën e ta dëgjojnë edhe këtë zë, në mos të hapin veshët kur nuk janë kompetentë!




