Gëzim Saliu
Strategjia e sigurisë kombëtare, Presidenti: Ja 9 ndryshimet që duhet të pësojë
Me kërkesën e Presidentit të Republikës u mblodh dje Këshilli i Sigurisë Kombëtare, ku çështje kryesore e diskutimit ishte rishikimi i strategjisë së sigurisë, dokument të cilin Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, nuk e ka rinovuar që prej vitit 2004, si dhe reforma e mbrojtjes. Në takimin e zhvilluar në Presidencë, i cili zgjati për rreth 1 orë e 10 minuta, merrnin pjesë krerët e lartë të shtetit si edhe kreu i opozitës Lulzim Basha, për të cilin kreu i shteti vlerësoi praninë në kuadër të gjithëpërfshirjkes dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë kombëtare. Interesante ishte edhe mënyra e vendosjes së anëtarëve të Këshillit në tryezë, ku në krahun e majtë qëndronin Kryeministri Edi Rama e në krah të tij ministrat Bushati, Tahiri e Haxhinasto. Ndërkohë, përballë tij, në krahun tjetër të tryezës, në krye qëndronte kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e pas tij lideri i opozitës, Lulzim Basha. Pjesë e tryezës ishin gjithashtu ministrat e kabinetit qeveritar, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, kryeprokurori si edhe krerët e Komisioneve të Sigurisë e Integrimit.
Takimi
Pas fjalës publike të kreut të shtetit, Nishani, takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare është zhvilluar me dyer të mbyllura. Nga burime pranë palëve pjesëmarrëse në takim, mësohet se Presidenti ka kërkuar që strategjia e re për sigurinë, por edhe reforma e mbrojtjes, të marrë mbështetje të gjerë nga spektri politik, duke kaluar kufijtë përtej qeverisë. Mësohet gjithashtu se në këtë tryezë nuk ka pasur debate, porse në fjalën e tyre krerët e shtetit, ministrat po ashtu edhe kreu i PD-së, Basha, kanë dhënë mbështetjen për hapin e hedhur nga Nishani për një dokument të ri të strategjisë kombëtare. Në referimin e tyre me dyer të mbyllura mësohet se ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dikasteri i të cilit drejton procesin e hartimit të strategjisë së sigurisë kombëtare, është fokusuar tek metodologjia që do të ndiqet, afatet dhe detyrat konkrete të çdo institucioni. Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, mësohet se ka referuar për zhvillimin e reformës së ristrukturimit të forcave të armatosura. Ndërkohë, në pjesën ku mbledhja u zhvillua në prani të mediave, Presidenti vuri theksin tek rëndësia jetike që ka bashkëpunimi mes palëve për çështjet e sigurisë. Në këtë kontekst, kreu i shtetit bëri të ditur nëntë hapat që janë të domosdoshëm për strategjinë e re kombëtare të sigurisë, ku theksoi se reformat e mbrojtjes duhet të paraprihen dhe mbështeten me ndryshimet përkatëse ligjore. “Mendoj se duhet të arrihet një mbështetje më e gjerë politike dhe publike për reformat e mbrojtjes; vlerësoj se krahas përpjekjeve për formulimin e Strategjisë së Sigurisë së RSH-së, duhet të përgatiten edhe dy dokumentet strategjikë të reformës së mbrojtjes; në gjykimin tim vëmendje kryesore duhet t’i kushtohet zhvillimit të kapaciteteve prioritare për përmbushjen e misionit të FASH; duhet të rishikohet struktura e Forcave të Armatosura bazuar në konceptin e ri të mbrojtjes strategjike të vendit të bazuar në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes RSM-2013; modernizimit të forcës duhet t’i jepet një vëmendje e veçantë në strukturën e re të FASH; sistemi i Arsimimit, Trajnimit, Stërvitjes dhe Vlerësimit të FASH kërkon një reformim të kujdesshëm; reformave të mbrojtjes në planin afatmesëm duhet tu alokohet një mbështetje financiare e pranueshme si edhe menaxhimin me kujdes maksimal të çështjeve sociale të reformës se mbrojtjes”, – pohoi Presidenti.
Strategjia e re kombëtare
Hartimi i një dokumenti të ri të sigurisë kombëtare është kërkuar prej Aleancës së Atlantikut të Veriut. Strategjia e re sigurisë pritet të përfundojë në fund të muajit maj, ku ajo do të konsultohet nga ekspertë të fushës dhe shoqërisë civile. Projekt-dokumenti do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave, Kuvendit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe miratimi pritet të bëhet jo më vonë se korriku i 2014-ës. Ky afat i paraprin samitit të NATO-s në Britani në shtator të këtij viti, ku Shqipëria do të mund të paraqesë një dokument të ri, që tregon panoramën e sigurisë së brendshme për t’iu përgjigjur detyrimeve të anëtarësimit tonë në NATO.
Takimi
Rama me fasonët: Vende të reja pune, gati paketa fiskale me 42 pika
Qeveria premton të hapë vende të reja pune në industrinë fasone. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur dy biznese fason në qytetin e Krujës për të prezantuar masat e reja të paketës së re fiskale në mbështetje të këtij sektori. “Tani po bëjmë një paketë të posaçme, siç e kemi premtuar, sepse jemi në kushtet që mund të përfitojmë realisht jashtëzakonisht shumë si vend. Ne shkojmë në 1500 vende të reja pune vetëm me këto dy biznese brenda Krujës. Ne e shohim këtë sektor me shumë perspektivë, sepse nga një anë, investimet janë të shpejta, nga ana tjetër, punësimi është i shpejtë”, – tha Rama. Ai informoi se paketa e re, që përmban 42 masa të reja, pasqyron kërkesat e sugjerimet këtij biznesi dhe së shpejti kalon për miratim. Sipas kreut të qeverisë, industria fason ka një peshë specifike në eksportet shqiptare dhe në punësim. “Ne po përgatisim një paketë të plotë për industrinë fason, sepse duam të shfrytëzojmë edhe faktin që është një mënyrë investimi shumë e shpejtë dhe punësimin e ka shumë të shpejtë. Ky sektor mund të ketë punësim në shifra shumë të larta, ndërkohë që përballemi me shumë kërkesa edhe nga bizneset që duan të shtrihen, edhe nga jashtë po shtohet interesi”, – u shpreh ai, duke theksuar se kryerja e ciklit të mbyllur të prodhimit, edhe në referencë të paketës së re të masave mbështetëse, vlerësohet një objektiv i rëndësishëm i kësaj industrie, çka do t’i jepte asaj edhe një tjetër avantazh konkurrues. “Tani jemi në fazën finale që t’i kthejmë në një paketë të re masash, për të mbështetur industrinë fason dhe për të bërë të mundur që nga njëra anë, bizneset ekzistuese të shtrihen e të zgjerohen dhe të mund të shkojnë drejt ciklit të mbyllur, siç e keni ju, nga ana tjetër, edhe ata që janë të interesuar të vijnë, të mos kenë pengesa burokratike”, – deklaroi kreu i qeverisë, Rama.




