Florenc Drizari
Kukan: Shqipëria do merret në konsideratë, kur Qeveria të bëjë detyrat e saj
Çështja e statusit të vendit kandidat, duket se do të mbetet pezull deri në javët e para të qershorit, afat i cili është lënë nga Bashkimi Evropian për t’i dhënë një tjetër mundësi Shqipërisë përballë vendeve skeptike që u shprehën jo marrjes së statusit në dhejtorin e kaluar. Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Europën Juglindore, Eduard Kukan e quajti një shenjë të mirë interesimin e opozitës shqiptare për marrjen e statusit te vendit kandidat, por sipas tij, Bashkimi Europian do të marre ne konsiderate Shqipërinë, atëherë kur qeveria te beje detyrat e saj. Anëtarësimi nuk është një proces i një qeverie të vetme, duke shtuar se kjo çështje shkon shumë përtej një mandati qeverisës. Sipas eurodeputetit Kukan, këtë javë pritet edhe një takim ndërparlamentar Shqipëri-PE.
Eduard Kukan
“Ne po ndjekim me shumë vëmendje situatën në vend. Ne do zhvillojmë dy takime të rëndësishme për Shqipërinë. Së pari, dialogu i nivelit të lartë, ku komisionieri Füle mori pjesë. Ky dialog përbën një mundësi për të gjithë politikanët shqiptarë, që të provojnë, se ata janë vërtet të interesuar për marrjen e statusit të vendit kandidat. Së dyti, javën e ardhshme do të zhvillojmë takimin ndërparlamentar Shqipëri-Parlament Europian. Kjo është një tjetër mundësi që të diskutojmë në thellësi çështjet që përbëjnë problem. Ne jemi informuar që ka disa çështje për të cilat opozita ka përplasje me qeverinë. Kuptojmë që opozita nuk aprovon atë që po bën qeveria. Por së paku, ka dialog. Ne nuk presim që gjithçka të shkojë pa kundërshtime. Është normale që opozita të thotë fjalën e saj në një proçes demokratik. Por, ne duam të shohim se sa të thella janë ndryshimet e qëndrimeve midis palëve. Ne së bashku me komisionerin Füle duam të ndihmojmë të dyja palët që të arrijnë një kompromis racional në çështjet ku ka dallime, në mënyrë që vendi të ecë përpara. Në samitin e dhjetorit, shtete anëtare konstatuan se gjërat po shkonin mirë në Shqipëri lidhur me procesin zgjedhor dhe tranzicionin e butë të pushtetit. Por ne kemi nevojë që kjo tendencë pozitive të konfirmohet. Vendit I kërkohet një gjurmë provash për reformat kyçe të integrimit deri në qershor dhe pas qershorit”, deklaroi Kukan në një intervistë për AbcNeës.
Pyetjes se a mund ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat në muajin qershor, Kukan tha se përtej optimizmit sipërfaqësor, “Shqipëria duhet të përmbushë kushtet dhe ketë rezultate konkrete bindëse, atëherë institucionet europiane duhet ta marrin këtë në konsideratë. Cilido që të jetë konteksti, kryeni detyrat tuaja, përmbushni kriteret dhe kjo do të vlerësohet në fund”.
Pak ditë më parë në Shqipëri u mbajt edhe një takim i nivelit të lartë mes Komisionerit për Zgjerimin Stefan Füle, qeverisë shqiptare dhe opozitës. Në këtë takim u theksua tek domosdoshmëria për realizimin e reformave, si një garanci për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor. Sipas eurokomisionerit Füle, Shqipëria ka ecur përpara në rekomandimet e BE-së, por që përmbushja e reformave do t’i japë asaj një përgjigje më të sigurt për vendet skeptike që u shprehën në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Füle: Jo konfrontimit politik
Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Füle, gjatw njw takimi tw nivelit tw lartw qw zhvilloi pak ditw mw parw nw Shqipwri, kwrkoi më tepër angazhim nga forcat politike për të përmbushur reformat për integrimin. Pas përfundimit të kwtij takimi, eurokomisioneri ka deklaruar në njw konferencë tw përbashkët me Kryeministrin Rama se gjithëpërfshirja është kyç për integrimin e vendit në strukturat evropiane. “Reagimi ynë për përpjekjet tuaja të mëtejshme është për më tepër angazhim. Kam theksuar se konfrontimi nuk ndihmon në integrimin e vendit dhe kulturën e bashkëpunimit dhe të gjithëpërfshirjes në Parlament por edhe jashtë tij sepse ndihmon për integrimin. Gjithëpërfshirja është thelbësore në këtë proces. Ashtu si jam i bindur si qeveria dhe opozita mbeten të angazhuara për integrimin dhe dua ti bëj thirrje që të tregojnë frymë kompromisi dhe gjithëpërfshirje për t`u bërë ballë sfidave për integrimin e vendit në BE”, – ka thënë Füle.
Siguria dhe rendi publik, Topalli thërret në interpelancë Kryeministrin Rama
Kryeministri Edi Rama pritet të raportojë mbi situatën e fundit në rendin dhe sigurinë publike. Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka thirrur në interpelancë kreun e qeverisë lidhur me çështjet e sigurisë. Kërkesa e Topallit është bërë disa ditë më parë, ndërkohë që kjo çështje është përfshirë në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit. Gjatë seancës së sotme plenare pritet që Kryeministrit t’i përgjigjet pyetjeve të Topallit për rendin e sigurinë, ndërkohë që në debatet e fundit mes tyre, ka pasur shkëmbime akuzash për emërimet në polici dhe lidhjet të zyrtarëve të lartë me krimin. Më herët përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar një sërë shpjegimesh nga krerët e qeverisë lidhur me emërimet e fundit në policinë e shtetit. Për këtë çështje Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar edhe kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentare për të verifikuar emërimet në polici, komision i cili ka filluar prej disa javësh punën. Ky komision drejtohet nga opozita, deputeti Arben Ristani, ndërsa mazhoranca ka shumicën. Konkluzionet e këtij komisioni hetimor pritet t’i dorëzohen Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas të votohen, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe përplasjet mes deputetëtë të PD-së dhe PS-së. Përfaqësuesit e opozitës kanë ngirtur shqetësimin se nuk i është vënë në dispozicion dokumentacioni i kërkuar, ndërsa pala tjetër i ka quajtur këto qëndrime politike për të sulmuar qeverinë.




