Zgjedhjet në KMSH / Zgjidhet kreu i ri i Komunitetit Mysliman

Skënder Bruçaj, drejtuesi i ardhshëm i myslimanëve

 Selim Muça: Jam i sëmurë, prandaj nuk kandidova

 

93_bigSkënder Bruçaj do të jetë kreu ri i Komunitetit Mysliman në Shqipëri. Zgjedhjet janë zhvilluar ditën e djeshme, mes 4 kandidaturave kanë nxjerrë fitues Skënder Bruçajn me 88 vota. Ndër kandidaturat e tjera që fituan të drejtën për të garuar për këtë post ishin: Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH-së; Skënder Bruçaj, nënkryetar i KMSH-së; Dorian Demetja, drejtor i Burimeve Njerëzore pranë KMSH-së. Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Nga 101 anëtarë që ka Këshilli i Përgjithshëm, në votim morën pjesë 99 vetë. Kryetari në detyrë, Haxhi Selim Muça, në fjalën e tij falënderoi bashkëpunëtorët e ngushtë dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për mbështetjen e vazhdueshme në përmbushjen e kësaj detyre. “Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që më keni dhënë në çdo moment. Të njëjtën gjë shpresoj ta bëni edhe me pasuesin tim në këtë detyrë të shenjtë e fisnike”, – u shpreh Muça. Këshilli i Përgjithshëm e shpalli H. Selim Muçën Kryetar Nderi dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, me motivacionin: “Për kontributin e vyer në konsolidimin e vlerave fetare dhe atdhetare në shoqërinë shqiptare”. Selim Muça i dorëzoi në shenjë simbolike kryetarit të ri çallmën dhe xhyben e tij, duke i uruar suksese dhe mbarësi në këtë mandat pesëvjeçar. Më pas, Bruçaj, me dorë mbi Kuran, bëri betimin sipas statutit përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm. “Betohem në emër të Allahut se do të vazhdoj me besnikëri e përkushtim urdhrat e Islamit, do të punoj me ndërgjegje të plotë islame për lartësimin e fesë së Allahut, do të zbatoj me përpikëri statutin dhe rregulloren e Komunitetit Mysliman dhe do të punoj me ngulm për forcimin e ndjenjës kombëtare e atdhedashurisë ndër myslimanët e Republikës së Shqipërisë. Allahu më ndihmoftë!”, – ishte betimi që bëri drejtuesi i ri Skënder Bruçaj. Selim Muça prej 10 vitesh ka qenë kreu i Komunitetit Mysliman, por për arsye shëndetësore ai nuk preferoi të ishte kandidat në zgjedhjet e djeshme.
Kush është Skënder Bruçaj

Skënder Bruçaj ka lindur në rrethin e Malësisë së Madhe, më 22 qershor 1976. Është i martuar dhe ka dy djem. Pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar në vendlindje, ai u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga KMSH-ja drejt Turqisë në vitin 1992. Kështu, më 1996 ai kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll, Turqi. Më pas ai ndoqi studimet në Institutin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Bosforit, ku pasi mbrojti gjuhën angleze, vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale – dega Psikologji. Gjatë viteve 2000-2011 kreu studimet pasuniversitare, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studimet për doktoraturë me temë “Menaxhimi i cilësisë në arsim”. Për disa vite ka punuar si konsulent për disa kompani të huaja. Në vitin 2008 është emëruar drejtor i Qendrës së Planifikimit të Karrierës në Universitetin “Epoka”. Në shtator 2008 është emëruar nga Komuniteti Mysliman si kryetar i Komisionit të Hartimit të Dosjes për hapjen e Universitetit “Hëna e Plotë-Bedër”. Me hapjen e universitetit ai fillon të japë leksione si pedagog në Fakultetin e Shkencave Humane në Departamentin e Shkencave Islame dhe atë të Drejtësisë në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe turqisht. Në periudhat shtator 2011-dhjetor 2013, krahas lektorit në lëndët Psikologji Sociale dhe Psikologji Islame në Universitet, ai ka qenë gjithashtu përgjegjës i Departamentit të Drejtësisë dhe zv.dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Bedër”. Skënder Bruçaj ka qenë gjithashtu drejtor i Qendrës për Edukim të Vazhduar dhe Formim Profesional në Universitetin “Bedër”. Duke parë përgatitjen e tij të gjerë akademike, Kryesia e KMSH-së, në dhjetor 2013 e emëron atë nënkryetar të KMSH-së. Z. Bruçaj ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si referues në emër të Universitetit “Bedër” dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

 Tkurren kreditë, ndërtimi penalizohet nga bankat

Kredia për biznesit ka ardhur duke u tkurrur nga viti në vit. Sipas një studimi të kryer nga “Open Data Albania” mbi ecurinë e kredisë për bizneset sipas aktivitetit ekonomik, vihet re se ndërtimi është sektori më i penalizuar nga bankat, me ulje të kreditimit. Sipas “Open Data Albania” në fund të vitit 2013, huaja në total arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 6.8 miliardë lekë, apo 1.22%. Ndërkohë kredia për biznesin në 2013 shënoi vlerën 393,6 miliard lekë, duke shënuar gjithashtu rënie kundrejt vitit pararendës me vlerë 7.2 miliard lek. Sipas studimit, kredia për ndërtimin ra ndjeshëm duke zbritur në 53.8 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor 2013. Kundrejt një viti më parë kredia për sektorin e ndërtimin u tkurr me 15.2% duke shënuar kështu vitin e dytë radhazi me rënie të kreditimit për këtë degë të rëndësishme të ekonomisë vendase. Në vitin 2013 është rritur ndjeshëm kreditimi për subjekte biznesi që punojnë në sektorin e prodhimit, shpërndarjes së energjisë elektrike, gazit dhe e ujit. Në fund të 2013-ës kreditimi për këtë sektor arriti në afro 50 miliard lekë duke përafruar me huanë që është dhënë për ndërtimin dhe duke u renditur në sektorin e katërt më të kredituar nga bankat. Kundrejt vitit 2012 kredia për sektorë të energjetikës është rritur me 7.5% por ndërkohë në raport me vitin 2007 ajo është katërfishuar. Edhe kreditimi për biznese që veprojnë në sektorin e pasurive të patundshme, dhënie me qira etj. ka pësuar ulje në kreditim kundrejt vitit pararendës, kjo hua zë një peshë shumë të vogël në totalin e kredisë për biznese. Dega me një rritje të vazhdueshme në kreditimin bankar është bujqësia, e cila ka shënuar një zgjerim me 7% në vitin 2013 kundrejt një viti më parë. Bujqësia zë ende një peshë minimale në totalin e kredisë bankare për bizneset, vetëm 2%.

 

 

Leje qëndrimi me pikë, nisin verifikimet për emigrantët në Itali

Kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së integrimit dhe tani emigrantët duhet të tregojnë se kanë mbajtur angazhimet e marra në çastin e vënies së firmës. Dhe vetëm kush mbledhë një numër të caktuar pikësh mund të qëndrojë në Itali. Të huajve “u janë dhuruar” 16 pikë në fillim, që mund të jenë shtuar apo pakësuar në bazë të sjelljes dhe të njohurive të mbledhura. Nëse pas dy vjetësh, pikët janë të paktën 30 pikë, marrëveshja konsiderohet e respektuar dhe e mbyllur. Kush ka nga 1 deri në 29 pikë konsiderohet “i mbetur në klasë” dhe i jepet një vit tjetër për përmbushjen e marrëveshjes dhe nëse nuk ka asnjë pikë të huajit i jepet dekreti i dëbimit. Sportelet Unike për imigracionin do t’u kërkojnë të interesuarve të paraqesin dokumentacionin që provon përparimet e bëra deri tani, si për shembull dëshmi të ndjekjes së një kursi të gjuhës dhe edukatës qytetare, kontratën e qirasë apo të blerjes së shtëpisë, që rrisin thesarin e pikëve. Ndërkaq Sporteli unik nuk do të detyrojë të huajin të mbledhë dokumente që tregojnë se ka bërë shkelje që i ulin numrin e pikëve: do të verifikojë vetë përmes kartotekës së gjykatës, komunave, agjencisë së tatim-taksave nëse të huajit i duhet hequr ndonjë.

Kush nuk ka dokumente lidhur me njohjen e gjuhës dhe të kulturës qytetare mund t’i kërkojë sportelit unik për imigracionin një takim për mbajtjen e testit. Kërkesa paraqitet në internet përmes faqes http://açordointegrazione.dlci.interno.it/, duke shkuar në butonin “Richiesta prenotazione” e duke u futur me kodet që i janë dhënë të huajit në çastin e nënshkrimit të marrëveshjes. Sipas llogarive të ministrisë së Brendshme në Itali, vetëm 26 mijë të huaj do të verifikohen gjatë gjithë vitit 2014. Relativisht pak. Dhe në këtë aspekt, luan rol të rëndësishëm fakti që hyrjet për punë kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit, dhe që kush ka ardhur për bashkim familjar, edhe po të mbetet pa pikë, është i padëbueshëm ndaj edhe për të nuk verifikohet përmbushja marrëveshjes së integrimit.

 

Share it :