Sonja Caka
Prokuroria: Falsifikuan dokumentet, shndërruan tokat kënetore në toka bujqësore dhe ua dhanë banorëve të Shëngjinit, dy në pranga dhe 4 në shtëpi. Po hetohen edhe zyrtarë të tjerë
Pesë zyrtarë, mes të cilëve edhe një kryetar Komune, janë marrë në hetim nga Prokuroria e Lezhës për abuzim me disa terrene, të cilat kanë qenë këneta dhe asnjëherë tokë bujqësore. Nga këta zyrtarë, gjykata ka vendosur të lërë në burg dy prej tyre, dy me “Arrest shtëpie”, dy me “Detyrim paraqitje” dhe për dy të tjera “Pezullim nga detyra. Burime zyrtare bëjnë me dije se pesë zyrtarë lokalë, në Shëngjin të Lezhës, përfshirë edhe kryetarin e Komunës, si edhe tre topografë, janë marrë nën akuzë nga Prokuroria e këtij qyteti, të akuzuar për veprat penale “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shpërdorim detyre”. Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet, duke shndërruar tokën kënetore në zonën turistike të Kunes, në Shëngjin, në tokë bujqësore dhe ua kanë shpërndarë disa banorëve. Të njëjtat burime zyrtare bëjnë me dije se në dokumente kanë shënuar se këto prona u janë kthyer vite më parë, por realisht dokumentet janë bërë tani, pasi në atë zonë nuk ka pasur asnjëherë tokë bujqësore. Gjithsesi, këta banorë, të cilët janë bërë “pronarë” me dokumentet e hartuara nga këta zyrtarë, kanë nisur ta mbushin me inerte për t’i justifikuar si toka bujqësore ose troje për ndërtim. Këto prona, pasi u janë shpërndarë banorëve, një pjesë u janë shitur të tretëve, duke krijuar në këtë mënyrë një seri shkeljesh ligjore.
Masat e Gjykatës
Menjëherë ka nisur hetimi për këto shkelje dhe në kuadër të këtij hetimi, pas kërkesës së Prokurorisë, nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, janë vendosur masat e sigurimit për pesë zyrtarët. Gjykata ka vendosur masë “Detyrim paraqitjeje” për kryekomunarin e Shëngjinit, Salvador Kaçaj; “Arrest me burg” për shtetasin me inicialet N. Prelaj, me detyrë ish-kryetar i fshatit Ishull-Shëngjin (masë e cila është ekzekutuar dje nga Policia e Shtetit); po “Arrest me burg” edhe për shtetasin me inicialet F. Liçaj, me detyrë shefi i sektorit të Kadastrës, pranë Komunës Shëngjin (masë e ekzekutuar dje nga Policia e Shtetit); “Arrest shtëpie” për shtetasin me inicialet L. Palokaj, me detyrë topograf; “Detyrim paraqitjeje” për shtetasen me iniciale A. Mali, me detyrë topografe; si dhe “Arrest shtëpie” për topografen tjetër, shtetasen me inicialet D. Marku. Ndërkohë, masa “Pezullim nga detyra” është dhënë për shtetasen Gj. Mandreca me detyrë arkiviste pranë Këshillit të Qarkut Lezhë, me detyrë topografe dhe L. Mirukaj me detyrë specialiste pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Lezhë, me detyrë topografe.
Hetimi
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, më datë 2.11.2012, ka regjistruar procedimin penal nr. 621 për veprat penale të parashikuara si të tilla nga nenet 186/3 dhe 248 të Kodit Penal, në bazë të materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Departamenti kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda Tiranë. Sipas materialit kallëzues, ekzistonin të dhëna se nga drejtuesit vendorë dhe persona të tjerë përgjegjës që kanë në administrim zonën turistike Kune, Shëngjin, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve është bërë shpërndarja e sipërfaqeve të konsiderueshme toke të fondit pyjor (tokë e pafrytshme, këneta, liqene etj.), duke e trajtuar si tokë bujqësore dhe duke e ndarë më pas sipas ligjit 7501. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar ndër të tjera se në zonën turistike Kune, Shëngjin, në hapësirat kënetore të cilat janë toka pa fryt apo liqene e këneta, janë regjistruar pasuri, si toka bujqësore, në emër të disa banorëve të fshatit Ishull-Shëngjin, ku një pjesë e këtyre banorëve kanë vendosur kufijtë në këtë hapësirë dhe kanë filluar të sjellin inerte për t’i kthyer këto sipërfaqe kënetore në shesh ndërtimi. Këto pasuri të regjistruara në mënyrë të kundërligjshme janë regjistruar në parcelat me nr. 14, 47 dhe 12, që i përkasin zonës kadastrale nr. 1987. Aktet e marrjes së tokës në pronësi janë plotësuar kohët e fundit, për llogari të viteve të mëparshme. Këto akte janë lëshuar me numër me fraksion, si shtesë tapie. Më pas, këto dokumente janë përpunuar, konfirmuar dhe nënshkruar në kundërshtim me ligjin nga Komuna Shëngjin. Të gjitha këto akte janë hartuar me data të mëparshme, si dhe nuk mbajnë numra protokolli apo nëse i kanë, janë të paqena apo të paregjistruara në librat e protokollit të Komunës dhe më tej janë vulosur me vulën e Komunës Shëngjin. Megjithatë, sipas akuzës, ka raste që edhe vulat janë të falsifikuara. “Këto praktika të paligjshme dokumentesh janë paraqitur pa protokoll tek sektori i Mbrojtjes dhe Administrimit të Tokës, në Qarkun Lezhë, ku pasi janë konfirmuar, janë dërguar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, e cila i ka regjistruar dhe ka lëshuar certifikata pronësie”, – bën të ditur akuza, duke shtuar më tej se “vlen të theksohet se edhe afishimi publik i fillimit të regjistrimit fillestar të këtyre pronave është bërë fiktivisht dhe pa u protokolluar apo regjistruar”. Nga ana tjetër, sipas akuzës, vetë shtetasit që janë pajisur me tokë, nuk kanë dijeni se ku ndodhet kjo pasuri (të cilat janë të përmbytura nën ujë), si dhe nuk kanë caktuar asnjë topograf për matjen e tokës. Shumica e këtyre pronave, pasi janë regjistruar, janë shitur tek të tretët. Sipas akuzës, çështja është ende në hetim dhe po hetohet edhe veprimtaria e zyrtarëve të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale.
Masat për personat nën hetim
Salvador Kaçaj, kryekomunar i Shëngjinit, “Detyrim paraqitjeje”
N. Prelaj, me detyrë ish-kryetar i fshatit Ishull-Shëngjin, “Arrest me burg”;
F. Liçaj, me detyrë shefi i sektorit të Kadastrës, pranë Komunës Shëngjin, “Arrest me burg”
L. Palokaj, me detyrë topograf, “Arrest shtëpie”;
A. Mali, me detyrë topograf, “Detyrim paraqitjeje;
Gj. Mandreca me detyrë arkiviste pranë Këshillit të Qarkut Lezhë, me detyrë topografe, “Pezullim nga detyra”
L. Mirukaj me detyrë specialiste pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Lezhë, me detyrë topografe, “Pezullim nga detyra





