Dosja “Gjika”/ Avokati kërkon pushimin e çështjes, janë shkelur afatet hetimore

Sonja Caka

 

 

Reagon Gjika: Procesi gjyqësor, i montuar për qëllime politike

 Gjykata shtyn gjyqin, vendimi për kërkesën e avokatit, më 10 mars

 

shpetim gjikaJava e dytë e procesit gjyqësor në Gjykatën e Tiranës ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, është shtyrë sërish. Kësaj radhe ka qenë avokati i Gjikës ai që është bërë shkak për shtyrjen e gjyqit, jo për mungesën e tij në Gjykatë, por për kërkesën drejtuar trupës gjyqësore të drejtuar nga gjyqtari Arben Micko. Avokati Ardian Leka kërkoi nga gjykata pushimin e çështjes për shkak se Prokuroria ka shkelur afatet e hetimeve. Pas kërkesës të avokatit të Gjikës dhe avokatëve të të pandehurve të tjera për të pushuar çështjen, prokurori kërkoi kohë për t’u shprehur dhe gjykatësi Arben Micko caktoi datën 10 mars për seancën e radhës ku do të dëgjohen pretendimet e organit të akuzës. Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, akuzohet për “Ffalsifikim të dokumenteve zyrtare” dhe “Dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjet”. Shpëtim Gjika akuzohet se në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim ka falsifikuar përmbajtjen e dy proces verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24.3.2010 dhe 15.7.2010.

 

Reagimi

 Pas përfundimit të gjyqit, në mjedisset jashtë Gjykatës ka reaguar edhe kryebashkiaku Gjika. Ai deklaroi se procesi gjyqësor ndaj tij është i montuar thjesht për qëllime politike dhe kërkon pushimin e çështjes. “Sot jam prapë në seancë për gjykim. Do të quhet “çdo të hënë me Shpëtim Gjikën”. Ky proces i iniciuar nga Prokuroria është një proces i montuar. Një proces i cili është nisur thjesht dhe pastër për qëllime politike, prandaj unë jam i qartë dhe i pastër në ndërgjegjen time dhe jam në paqe me moralin tim, sepse e di si ka filluar, për çfarë arsyesh ka filluar dhe pse është hetuar. Prokuroria e ka filluar çështjen që në shkurt të vitit 2013 dhe për gati 1 vit e gjysmë nuk ka respektuar asnjë nga llojet e procedurave. Gjithsesi, kjo është çështje teknike. Unë do të vazhdoj të mbroj në gjyq moralin tim, karakterin tim prej gati 12 vjetësh, sepse jam një qytetar në Vlorë, një qytetar i barabartë dhe i zgjedhur nga bashkëqytetarët e mi dhe nuk i kam turpëruar dhe s’kam për t’i turpëruar asnjëherë”, – u shpreh Gjika për mediat e interesuara lidhur me zhvillimin e procesit gjyqësor. Më tej ai shtoi se kishte bërë një mal me dosje dhe kërkonte një javë kohë që të njihet me procedurat e hetimit. “Edhe unë që nuk marr vesh nga gjykatat apo nga procedurat e hetimit, është diçka që jo vetëm skandalizon, por të bën të ndihesh keq. Sot që ky proces filloi sigurisht që unë jam i mbrojtur nga avokati im dhe patjetër që tagrin për të mbrojtur në proces gjyqësor do ta ketë avokati. Në kushte kur unë do të kem punë, të cilat nuk mund t’i neglizhoj dot, besoj nuk do të jem një Gjykatë, në raste te tjera do të jem dhe do të paraqitem”.

 

 

 Vendimi

I dënuar për tragjedinë e Gërdecit, lirohet me kusht Ylli Pinari

Lirohet me kusht Ylli Pinari. Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e tij për pezullimin e dënimit me burg dhe lënien nën monitorim të Shërbimit të Provës për kohën e mbetur të dënimit, për dy arsye. Së pari, se ka nënën sëmurë dhe së dyti, edhe pse vetë nuk është mirë nga gjendja shëndetësore, për shkak të ndërhyrjeve në zemër. Gjyqtari Petrit Çomo, pasi ka shqyrtuar pretendimet e të dënuarit Ylli Pinari, ka llogaritur kohën e kryer në burg dhe sa i ka mbetur dhe pasi ka marrë edhe vlerësimet e juristit të burgut dhe Shërbimit të Provës, ka pranuar kërkesën për lirim me kusht. Sipas gjykatës, Ylli Pinari kishte shlyer 2/3 e dënimit dhe në dhjetor do të përfundonte dënimin. Ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore MEICO ishte dënuar për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec ku humbën jetën 26 vetë, u plagosën mbi 300 të tjerë e u shkatërruan me mijëra biznese e banesa. Më 13 shkurt 2013 Gjykata e Apelit e Tiranës dha vendimin përfundimtar duke e dënuar me 15 vjet burg Ylli Pinarin. Një pjesë e këtij dënimi ishte kryer gjatë qëndrimit në burg dhe në masën e “Arrestit shtëpiak”, që gjykata e Tiranës kishte caktuar për ish-drejtorin e MEICO Ylli Pinari. Duke përllogaritur këto ditë Ylli Pinarit i ngeleshin pa kryer edhe 3 vjet e 7 muaj burg. Pinari ka marrë 2 herë ulje dënime dhe për 2 vjet e 2 muaj i përfundon krejt dënimi. Kërkesa ishte depozituar në datën 13 dhjetor 2013 dhe mbante numrin 1934, ndërkohë që gjyqtar ishte zgjedhur me short Petrit Çomo. Tashmë, pas lirimit të Pinarit, më herët u lirua Delijorgji, i vetmi që ka mbetur në burg është ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, Dritan Minxholli.

 

Korçë

Vjedhja e llogarive të klientëve, Gjykata ndryshon masat për 3 punonjësit

 

Gjykata e Korçës ka ndryshuar masat e arrestit për 3 punonjësit e bankës së Bilishtit, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”, konkretisht për Julian Kushon, Florenc Ballon e Kimet Hoxhën. Sipas Gjykatës, për Kushon dhe Hoxhën masat ndryshuan për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa për Ballon ranë akuzuat e ngritura nga Prokuroria. Ndërkohë, avokatët kanë kërkuar dje gjykim të shkurtuar për të pandehurit Blendi Topalli, ish-drejtori i bankës dhe Ervis Xhaxhi, pronar i një pike bastesh sportive, të cilët akuzohen për vjedhjen e 2.5 milionë euro nga llogaritë e klientëve në bankën që drejtonte Topalli. Gjykata vendosi vetëm pë rlirimin e tre punonjësve të bankës, duke pranuar kërkesat e avokatëve të tyre.

 

 

 

 

 

Share it :