Gëzim Saliu
Kreu i opozitës: PD mbron kolonat e demokracisë, shtetin ligjor dhe institucionet e pavarura
Deputeti gjerman: Mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë, por s’duhen lënë pas kriteret
Askush nuk perligjet të dalë mbi shtetin ligjor i cili është dhe mbetet i vetmi kuadër brenda të cilit mund të funksionojë veprimtaria e shtetit dhe e qeverisë. Kështu bëri të ditur dje deputeti i Bundestagut gjerman Johannes Selle në takimin që zhvilloi me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke theksuar se shteti ligjor mbetet parimi e standardi i panegociueshëm që duhet ruajtur dhe respektur me çdo kusht. “Jo vetëm sepse përben kërkese themelore për procesin e integrimit por dobësimi i shtetit ligjor krijon pasiguri dhe largon investimet e zhvillimin ekonomik, duke mos i shërbyer interesave te Shqipërisë dhe qytetareve te saj”, tha Selle në emër të delegacionit të deputetëve të Bundestagut gjerman që e shoqëronin në takimin me kreun e opozitës.
Basha
Në takimin me delegacionin e Bundestagut gjerman, kreu i opozitës shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur dhe interesin e vazhdueshëm që Gjermania, i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë si në bashkëpunimin dypalësh ashtu dhe në projektin e integrimit në Bashkimin Europian. “Partia Demokratike mbështet dhe inkurajon çdo nismë bashkëpunimi dypalëshe, në veçanti investimet e rëndësishme të sipërmarrësve gjermane në Shqipëri”, tha Basha. Në këtë linjë, deputeti i Bundestagut Johannes Selle u shpreh se Gjermania dhe Bundestagu gjerman do të vijojnë të mbështesin të gjitha përpjekjet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke nënvizuar se, : “Edhe Shqipëria duhet të bëjë më shumë punë jo vetëm për ruajtjen e standardeve të arritura deri në këtë moment por edhe për t’u përqendruar në parapërgatitjen e kritereve në të gjithë kapitujt që kërkon procesi”. Ndërkohë Basha e njohu delegacionin me shqetësimet e opozitës shkaktuar nga zhvillimet e fundit në vend, ku lidhur me to, deputeti Selle u shpreh se askush nuk perligjet të dalë mbi shtetin ligjor i cili është dhe mbetet sipasa tij i vetmi kuadër brenda të cilit mund të funksionoje veprimtaria e shtetit dhe e qeverisë. Duke ndarë këtë qëndrim parimor, kreu i PD-së i konfirmoi delegacionit gjerman qëndrimin e Partisë Demokratike, e cila theksoi Basha,: “Do të jetë gjithmonë në mbrojtje të kolonave kardinale të demokracisë, shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura si dhe për të mbështetur pa kushte procesin e integrimit europian të vendit”. Opozita ka shprehur shqetësime të vazhdueshme lidhur me veprimet dhe vendimet e ndërmarra nga qeveria e mazhoranca e majtë, të cilat sipas saj shkelin parimet e shtetit ligjor, pavarësinë e institucioneve dhe Kushtetuën e vendit. PD ka kundërshtuar hapur ndryshimin e ligjit të Nëpunësit Civil, largimet nga puna të punonjësve të administratës, shkarkimin e kryetares së ILDKP-së Zana Xhuka si dhe vendimet e qeverisë për ekonominë. Po ashtu, opozita ka pohuar se me anë të këtyre veprimeve, mazhoranca e majtë po vë në rrëszik sërish marrjen e statusit të vendit kandidat në qershorin e këtij viti.
Situata në Ukrainë
Berisha: Agresioni i Putinit ndaj Ukrainës njësoj si ai i Hitlerit ndaj Çekosllovakisë
Ish-kryeministri Berisha ka kundërshtuar hapur vendimin e Rusisë për të ndërhyrë në Krime. Sipas tij, agresioni i Putinit ndaj Ukrainës, është i njëjtë me atë të Hitlerit dhe Brezhnievit ndaj Çekosllovakisë. “Pushtimi i Krimese nga Putini të kujton pushtimin e Çekosllovakisë nga Hitleri dhe më vonë nga Brezhnievi. Ju ftoj ta dënojmë këtë agresion ndaj një vendi të lirë me forcën tonë më të madhe. Ky agresion është një dhunim flagrant i ligjit ndërkombëtar, kartës së OKB, OSBE dhe memorandumit të Budapestit për Ukrainën të firmosur nga SHBA, Britania e Madhe por dhe vetë Rusia”, shkruante Berisha në rrjetin social “facebook”. Sipas ish-kreut të qeverisë,: “me agresionin kundër Ukrainës dhe pushtimin e territoreve të gjëra të saj, Kremlini hapi siparin e pushtimeve të tjera për rikthimin e perendorisë ruse”. Ndërkohë një ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shprehu shqetësimin e saj për përshkallëzimin e situatës në Ukrainë. “MPJ beson se respektimi i së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjeve të nënshkruara dhe evitimi i përdorimit të forcës, që sjell me vete efekte destabilizuese për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare, është kuadri i vetëm që ofron zgjidhje të situatës. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh besimin se një veprim i sinkronizuar dhe vendimtar i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për stabilizimin e situatës dhe për krijimin e frymës së besimit”, thuhej në reagimin e Ministrisë së Jashtme.
Mesazhet në facebook
Doda apel Prokurorisë: Keqpërdorim i mjetit të komunikimit për kërcënim të minorenëve
Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda i bën apel Prokurorit të Përgjitshëm të nisë hetimet për keqpërdorim të komunikimit elektronik për kërcënim të minorenëve. Në një postim në faqen sociale facebook, deputetja demokrate shpreh shqetësimin për fjalorin e përdorur, kërcënimet dhe mënyra se si disa njerëz i përdorin rrjetet sociale për të dëmtuar të tjerët. “Një prej anëtarëve të FRESSH-it, ka kërkuar të bëj tag fotot e mia familjare duke fyer dhe kërcënuar përveç gjithë të tjerëve edhe fëmijët e mi. Unë nuk mundem të heq fyerjet dhe kërcënimet e bëra në adresë të familjes sime sepse me sa duket maskarenjtë kane marre masat që unë të mos mundem ta heq këtë aktivitet të tyre. Ftoj Prokurorin e Përgjithshëm të nisë hetimin për keqpërdorimin e komunikimit elektronik për kërcënim të minorenëve dhe ftoj kryetarin politik të këtyre maskarenjve dhe keqbërësve të gjejë fajtorin që e ka mes militantëve të vet”, shkruante deputetja e PD-së Mesila Doda.




