Nga fëmijët te të moshuarit, si të mbrohemi nga gripi. Këshilla nga specialistët

Gripi stinor transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri, nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose indirekt nga dhënia e dorës një personi të infektuar apo prekja e objekteve të ndotura me virusin e gripit stinor dhe më pas ata prekin sytë,gojën apo hundën

 

gripi0Gripi është një infeksion akut viral respirator (sëmundje) i shkaktuar nga viruset e gripit stinor. Çdo grip stinor përhapet nga viruse të ndryshme të tij dhe prek njerëz të ndryshëm në bazë të aftësisë së trupit të tyre për të luftuar infeksionin. Ekzistojnë disa tipa virusesh që shkaktojnë gripin si tipi A, B e C. Tipat e viruseve A dhe B janë shkaktarët më të shpeshtë të gripit. Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë japin një sërë këshillash, duke filluar që nga mënyra se si duhet të ruhemi deri te vaksinimi.

Si përhapet gripi?

Gripi stinor është një infeksion akut viral shumë ngjitës. Gripi stinor transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose indirekt nga dhënia e dorës një personi të infektuar apo prekja e objekteve të ndotura me virusin e gripit stinor dhe më pas ata prekin sytë,gojën apo hundën. Viruset përhapen në ajër dhe nëpërmjet grimcave të ajrit kalojnë në grykë e hundë, shtohen dhe mbas 1-4 ditë japin shenjat e gripit stinor.

Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?

Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit, por veçanërisht te fëmijët apo personat me imunitet të ulur, periudha infektuese mund të jetë pak më e gjatë.

Kush rrezikon prekjen nga gripi stinor?

Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit stinor dhe ta përhapë atë tek të tjerët, por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit stinor ose të bëjnë komplikacione nga gripi.

 

Në rrezik më të madh janë:

Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç

Njerëzit 65 vjeç e sipër

Gratë shtatzëna

Njerëzit me sëmundje kronike,si: astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e veshkave, sëmundjet e mëlçisë, sëmundjet e gjakut, sëmundjet me ulje të sistemit imunitar si HIV/AIDS, kancer etj.; kushte neurologjike, si epilepsia, distrofia muskulare, vonesa të rënda të zhvillimit etj.; njerëzit obezë; të rinj nën 19 vjeç që kanë përdorur gjatë aspirinën.

 

Çfarë mund të bëni për të mbrojtur veten nga virusi i gripit stinor?

Ju rekomandojmë tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, veprimet e përditshme parandaluese dhe përdorimin e saktë të barnave antivirale nëse mjeku i rekomandon. Mënyra më e mirë e parandalimit të gripit është vaksinimi me vaksinën antigrip. Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në mos përhapjen e gripit. Vaksinimi duhet të bëhet çdo vit pasi ka shumë lloje virusesh dhe çdo vit dalin vaksina të reja që mbrojnë nga nëntipa të rinj të virusit. Vaksina përmban dy nëntipa të virusit A dhe virusit B të gripit. Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt tetor-dhjetor. Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë mbas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit.

Injeksioni i vaksinës kryhet në pjesën e sipërme muskulare të krahut. Vaksina kundër virusit të gripit u rekomandohet sidomos: Fëmijëve mbi 6 muaj, personave mbi 50 vjeç, personave të grupit që kanë rrezik më të madh për të marrë virusin e gripit, personelit shëndetësor, grave shtatzëna.

Personave që jetojnë në kolektiv apo spitale kronike Personat kujdestarë për të tjerë si edukatoret e çerdheve, kopshteve, kujdestarët e moshave të treta etj.

Vaksina kundër virusit të gripit NUK u rekomandohet: Personave që kanë alergji nga veza

Gjendje akute me temperaturë

Sindroma Guillain–Barre

Personat që kanë pasur reaksion të mëparshëm

Fëmijët nën 6 muaj

A jep vaksina efekte të padëshirueshme?

Vaksina nuk jep efekte të padëshirueshme. Edhe nëse takohen janë me efekte lokale në vendin e injeksionit të cilat zgjasin 1-2 ditë si skuqje apo dhimbje.

 

Veprimet e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit stinor

Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me shami. Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni solucione duarsh me alkool Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës. Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë. Ushqehuni shëndetshëm Bëni aktivitet fizik Bëni gjumë të mjaftueshëm. Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni Konsultohuni me mjekun për mjekimin me ilaçe kundër gripit. Ilaçet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues,por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes. Kujdes antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut !!! Nëse jeni të sëmurë me grip apo keni të sëmurë në shtëpi duhet të mbani parasysh:  Qëndroni në shtëpi. Qëndroni veç nga të tjerët. Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë. Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini. Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtime. Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj. Evitoni kontaktet me njerëzit. Pastroni dhe dezinfektoni mjediset e banesës

Shenjat e zakonshme të gripit stinor janë:

Temperaturë e lartë

Kollë

Dhimbje fyti

Shenja të mundshme, sidomos për fëmijët:

Lodhje

Dhimbje koke

Të përziera

Diarre

Të vjella

Dhimbje barku

Rrjedhje të hundëve

Dhimbje muskujsh

Shenjat paralajmëruese për emergjencë.

Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë, POR drejtohuni menjëherë tek mjeku nëse:

Fëmijët shfaqin:

Frymëmarrje të shpejtë ose probleme me frymëmarrjen

Ndryshim të ngjyrës së lëkurës

Nuk konsumon lëngje të mjaftueshme

Nuk ka gjallëri ose nuk bashkëvepron

Bëhet nervoz sa që fëmija nuk dëshiron të mbahet

Rikthim të shenjave të gripit, por me ethe dhe kollë të keqe

Ethe me një skuqje të lëkurës

Forcim i qafës

Të rriturit shfaqin:

Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim

Dhimbje apo presion në gjoks apo bark

Marramendje papritur

Konfuzion mendor

Të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme

 

Share it :