“Në Lushnjë numri i anëtarësimeve të reja do të jetë 10 për qind më i lartë”
Fluksi i madh i anëtarësimeve dhe vështirësitë teknike të përcjelljes nga degët e PD-se në zonat e thella drejt bazës, duket se është shkaku kryesor i shtyrjes së afateve me një javë kohë të procesit të rifreskimit të bazës së të dhënave të anëtarësisë në Partinë Demokratike. Sipas koordinatorit të PD-së për qytetin e Lushnjës, Fatbardh Kadilli, kjo është një shenjë pozitive për opozitën shqiptare që në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së majtë, shumë të rinj shohin mbështetje apo të ardhmen e tyre në Partinë Demokratike.
“Ky është një lajm shumë i gëzuar për ne si forcë politike sepse 5-6 muaj pasi kemi rënë në opozitë shoh sidomos nga rinia që afrohen me Partinë Demokratike dhe na shohin si instrumentin politik që realizon qëllimet e tyre. Përtej anëtarësimeve të reja dhe rifreskimit natyrisht ka edhe vështirësitë e prekjes së terrenit me gjithë zonat e thella, zona më urbane të cilat kanë specifikat dhe veçori të tilla që kanë vështirësi të ndryshme. Jemi në përfundim të fazës së parë të rifreskimit dhe përpunimit të informacionit. Dokumentacioni dhe informacioni më i saktë do të jetë në fund të javës maksimumi, pra nuk ka një shtyrje të afatit, ka një vazhdim normal të procesit”, – u shpreh Kadilli në një prononcim për “News 24”. Pas mbylljes së fazës së rifreskimit të bazës së të dhënave në PD, kjo forcë politike pritet të kalojë në procesin e analizës së zgjedhjeve të shkuara parlamentare. disa javë më parë kryetari i Partisë Demokratike ka përcaktuar edhe emrat e koordinatorëve që do të merren me këtë proces, emra në të cilën vihen re figura që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeverisjen e kaluar, por edhe figura si ish-deputetë të cilët nuk mundën të fitonin mandatin në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas ish-deputetit të PD-së, Fatbardh Kadilli, procesi i analizës së zgjedhjeve në selinë blu, do të kryhet njëherësh me zgjedhjen e strukturave përmes parimit “një anëtar një votë”. Gjithashtu Kadillo thotë se do të ketë një udhëzim më të detajuar nga kryetari i PD-së për mënyrën se si do të operohet në procesin e analizës dhe në procesin e zgjedhjeve. “Normalisht ato janë dy procese që shkojnë bashkërisht sepse nuk mund të ketë dy procese që shkojnë p.sh vetëm analizë e shkëputur nga projekti për të cilin ne po punojmë. Partia Demokratike është parti që jeton në opozitë, po bën opozitë dhe misioni i saj kryesor është të bërit opozitë”. Sipas Kadillit, në Lushnjë pritet që numri i anëtarësisë të jetë 10% më i lartë se ai ekzistues. “Procesi i riorganizimit brenda këtij konteksti kur opozita ka drejtuar pak a shumë aksionin politik të kohës ka qenë një favor goxha i madh pasi ka inkurajuar shumë më tepër bazën e anëtarësisë demokratike. Në qoftë se Partia Demokratike në Lushnjë ka pasur diku tek 3700 anëtarë unë vetë kam shpërndarë mbi 4500 formularë anëtarësimi. Do të thotë se do të jetë një numër 10% më i lartë se sa numri i anëtarësisë ekzistuese”, – theksoi koordinatori i PD-së për qytetin e Lushnjës, Fatbardh Kadilli.
Reagon opozita
PD: Krimi sundon, policia tregon forcën me protestuesit paqësorë
Arben Ristani: Tritoli, grabitjet dhe trafiku i drogës sunduan edhe javën që po mbyllim
Situata e rendit bëhet sërish pjesë e kritikave të opozitës ndaj qeverisë. Deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani theksoi një ditë më parë se tritoli, grabitjet dhe trafiku i drogës sunduan edhe javën që po mbyllim. Sipas tij, Partia Demokratike nuk do reshti në komunikimin e saj me shqiptarët për gjendjen e kriminalitetit në vend dhe për të gjitha problemet që shqetësojnë shoqërinë tonë. Ristani e shpjegoi këtë qëndrim me vendosmërinë e opozitës që nëpërmjet këtij komunikimi të tërheqë sadopak vëmendjen e qeveritarëve për situatën e sigurisë me të cilën po përballet vendi.
Jemi në një atmosferë të rënduar kriminale, Shteti duket sikur nuk ekziston në raport me krimin. Policia e udhëhequr, tashmë jo ligjërisht, nga Ministri i Brendshëm, tregon gjithë forcën e saj me protestuesit paqësorë të furgonëve që kërcënohen për bukën e gojës nga qeveria, ndërkohë që krimi merret në mbrojtje. Tirana është nën një tronditje të vazhdueshme për shkak të atentateve me tritol që po lënë të vdekur e të gjymtuar. Tirana është nën pasigurinë e grabitjeve, ku vetëm dje kanë rënë pre e maskave të armatosura një koncesionar makinash e një pikë karburanti. Çdo ditë grabiten njësi tregtare në kryeqytet. Dhe kush është përgjigja e Kryeministrit, ai tregon muskujt ndaj protestuesve të bukës së gojës dhe i kërcënon ata. Ndërkohë, situata e rendit dhe e sigurisë është më e përkeqësuar në rrethe”, – deklaroi deputeti Ristani.
Sipas deputetit të opozitës, Partia Demokratike ka një javë që ka publikuar fakte dhe foto që tregojnë lidhjet e forta të trafikantëve të drogës me Ministrin e Brendshëm dhe me Kryeministrin dhe për këtë nuk ka marrë ende asnjë reagim. Ristani tha se përgjigja vjen nga Italia dhe Greqia ku droga me origjinë shqiptare po sulmon përditë kufijtë e tyre.
“2 tonë marijuanë janë kapur dje në brigjet e shtetit fqinj. Bëhet fjalë për dy tonë dhe disa trafikantë shqiptarë që janë lejuar nga policia e Saimir Tahirit, ta mbledhin marijuanën, ta paketojnë dhe ta transportojnë në territorin tonë, drejt Italisë. Partia Demokratike, në interes të gjithë shqiptarëve, i bën edhe një herë thirrje Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të reflektojë për situatën kriminale dhe për pasigurinë që ndjejnë qytetarët e vendit, të rikthejnë pavarësinë e Policisë së Shtetit nga politika, ta dekriminalizojnë atë nga njerëzit e lidhur me krimin dhe të vendosin në krye të detyrës profesionistët”, – deklaroi Ristani. Në fund të fjalës deputeti i Partisë Demokratike e mbylli deklaratën e tij duke thënë se është koha për një mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe social kundër krimit.
PD: Marrëveshja me Fondin pozitive, qeveria të tregohet e përgjegjshme
Partia Demokratike e ka konsideruar pozitive marrëveshjen me FMN. Sipas PD-së kjo marrëveshje është në të mirë të ekonomisë, por qeveria duhet të tregohet e përgjegjshme.
“Partia Demokratike përshëndet marrëveshjen që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë me qeverinë shqiptare, si një veprim të përgjegjshëm nga ana e këtij institucioni në një moment mjaft të vështirë për ekonominë shqiptare. Kjo marrëveshje vjen në një kohë kur qeveria po e rrokullis ekonominë në honet e recesionit, kur ka mungesë vizioni e programi, kur kanë degraduar masat e ndërmarra, kur Shqipëria ka taksat më të larta në rajon. Të gjithë këta faktorë, kombinuar me mungesën e rendit dhe të sigurisë kanë sjellë rënien ekonomike drejt niveleve më të ulëta të periudhës së tranzicionit. Për herë të parë, ekonomia jonë ka rënie në nivelin e kreditimit në minus 3 %”,- bëhet me dije nga PD. Partia Demokratike thekson se qeveria duhet të fillojë axhendën e duhur të reformave. “Ne shpresojmë që me këtë marrëveshje dhe me monitorimin rigoroz të FMN, qeveria të fillojë të zbatojë axhendën e duhur të reformave. Por duke parë kursin e deritashëm, ekziston frika se qeveria nuk do të dijë të përfitojë nga kjo zemërgjërësi e Fondit Monetar.
Ne dyshojmë se vullneti i mirë i Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk do të mund të gjejë partneritetin e duhur tek qeveria shqiptare, e cila ka si tipar të sajin papërgjegjshmërinë, revanshin politik dhe arbitraritetin”,- bëhet me dije nga PD.
Huaja 330 mln euro
Shefi i FMN-së, Ilahi: Ja plani me qeverinë
Bordi i Drejtorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka miratuar kredinë prej 330 milionë eurosh për Shqipërinë, duke vënë në zbatim marrëveshjen 3-vjeçare të bashkëpunimit me Shqipërinë. Sipas qeverisë shqiptare ky miratim i marrëveshjes është prova e parë e besimit nga partnerët ndërkombëtarë për modelin e ri ekonomik qe kjo qeveri solli. Ndërkohë në një intervistë për Zërin e Amerikës, shefi i FMN në Shqipëri Nadeem Ilahi u shprehe se fondet nuk kanë një destinacion të caktuar, duke theksuar se kjo asistencë është dhënë për të paguar borxhin e lartë. “Duhet të kemi një plan sipas të cilit qeveria të paguaj detyrimet dhe të ul borxhin përmes asaj që ne e quajmë rregull fiskal. Një nga çështjet që diskutuam me qeverinë shqiptare gjatë misionit të fundit është se ekonomia është e dobët për një numër arsyesh që mund ti radhis por në thelb ne po operojmë në një ekonomi që nuk po tregon shumë besim dhe në një kohë të tillë në se bën rregullime fiskale ato nuk duhet të jenë të fuqishme. Këtë kemi diskutuar me qeverinë për buxhetin e vitit 2014 që kanë njoftuar”, tha ai. Ndërkohë ministri i Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë e Sipërmarrjes Arben Ahmetaj përdhëndeti dje marrëveshjen me FMN duke e vlerësuar tepër të rëndësishme, duke theksuar se,: “Marrëveshja parashikon mbështetjen e ekonomisë përmes angazhimit të rreth 457 milionë dollarëve. Marrëveshja i hap rruge mbështetjes financiare dhe institucionale për ekonominë shqiptare, qeverinë shqiptare dhe sipërmarrjen shqiptare, dhe mbështetjes së BB dhe BE”, deklaroi Ahmetaj.





