Paketat fiskale nuk ndalojnë dot “hemorragjinë” e kreditimit bankar

Ervin Kaduku

 

Huadhënia për ekonominë ra me 1.22% me bazë vjetore në 2013-ën, rezultati më negativ në dekadën e fundit…

 

KrediaKredia e bankave për ekonominë shqiptare arriti në 544 miliardë lekë në fund të janarit 2014, duke shënuar një rënie prej 0.6% në raport me dhjetorin 2013, teksa në muajin e fundit të vitit huadhënia për ekonominë kishte shfaqur sinjale gjallërimi, duke u rritur me 1.28%. Të dhënat u bënë të ditura nga statistikat mujore të Bankës së Shqipërisë, që ka publikuar dje të dhënat, si për dhjetorin 2013, ashtu dhe janarin 2014.

Në fund të muajit dhjetor, huaja për ekonominë arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar një rënie vjetore prej 6.8 miliardë lekë, apo 1.22%. Ritmet e rënies janë ngadalësuar në raport me 11 mujorin (kur ky tregues ishte 2.4%), si rrjedhojë e shtimit të ndjeshëm të huadhënies në dhjetor.

 

Kredia e keqe

Bankat që operojnë në vendin tonë kanë lejuar një situatë të pashembullt në kreditimin që kanë bërë për biznesin dhe individët gjatë 5 viteve të fundit. Shqipëria është radhitur si vendi me nivelin më të lartë të kredive me probleme (hua joperformuese – NPL) në të gjithë Evropën Qendrore e Lindore. Niveli i huave të pakthyera në afat janë afërsisht sa 25% e totalit të kredive. Këto të dhëna u bënë të ditura në raportin më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Evropën Qendrore Lindore dhe Juglindore. Sipas kë tij raporti, fillimi i krizës është ndjekur me një rritje të shpejtë të nivelit të NPL-ve në shumë vende. Për sa i përket rajonit, niveli i NPL-ve është mesatarisht 14%. Zgjerimi shumë të fortë të kredidhënies në periudhën 2003-2008, që u ndërpre në mënyrë të papritur me krizën financiare globale 2008-2009, u pasua me rritjen e NPL-ve. Përpara vitit 2008 niveli i NPL-ve në Shqipëri ishte 6%.
Ndërsa sot ky tregues është rreth 10 pikë përqindje më i lartë se mesatarja e të gjithë rajonit. Ndërkaq sipas disa gjetjeve të një grupi pune të Nismës së Vjenës për huatë e pakthyera në afat, një rritje me 10 pikë përqindje e NPL-ve redukton rritjen e huave me 4%. Banka e Shqipërisë e ka pranuar këtë situatë në raportet e saj, ku janë parashtruar se efektet e krizës ekonomike janë përkthyer në vështirësi për kthimin e kredive. Me qëllim ristrukturimin e kredive me probleme për individët dhe biznesin, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë përmes paketave rregulluese.
Në mënyrë që të lehtësojë situatën Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në politikën monetare duke ulur normën bazë të interesit për lekun. Pak ditë më parë, këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që të ulë normën bazë të interesit me 0.25%. Tashmë norma e interesit është 3.25%. E gjitha kjo ka për qëllim nxitjen e rritjes së ekonomisë, që është ndikuar nga kreditë me probleme.

 

Kreditimi për individët

Ndërkohë, kredia për individë është përkeqësuar më tej në muajt tetor dhe nëntor, raporton Banka e Shqipërisë. Pas

rikuperimit të rritjes në tremujorin e dytë të vitit, ajo u ngadalësua në tremujorin e tretë të tij dhe në këta muaj shënoi sërish tkurrje në terma vjetorë.

Në fund të muajit nëntor, portofoli i kredisë për individë ishte 0.3% më i ulët se një vit më parë. Sipas raportimeve të bankave, kërkesa e individëve për kredi ka qenë e ulët gjatë tremujorit të katërt të vitit, pavarësisht lehtësimit të kushteve të kreditimit për individë nga ana e tyre.

Kërkesa e dobët e individëve për financim lidhet sipas BSH me hezitimin e këtyre të fundit për të shpenzuar dhe investuar dhe orientimin e tyre drejt kursimit, në reflektim të besimit të ulët konsumator dhe mungesës së optimizmit për ecurinë e financave të tyre në të ardhmen.

Në total, për muajt tetor dhe nëntor, reduktim të tepricës ka shfaqur si kredia hipotekare ashtu edhe ajo konsumatore, por më shumë kjo e fundit. Kredia konsumatore është tkurrur më shpejt në terma vjetorë, dhe në muajin nëntor ajo është 3.3% më e ulët se një vit më parë. Ndërkohë, rritja vjetore e kredisë hipotekare shënoi mesatarisht 0.7% në këta dy muaj, duke vijuar luhatjen në vlera të ulëta pozitive.

 

Faktorët

Rritja e ngadaltë e ekonomisë është faktori kryesor i rritjes së rrezikut të kredisë në bilancet e bankave. Pasiguria rreth zhvillimit ekonomik, kushtet e dobëta të tregut të punës, luhatshmëria e remitancave dhe të ardhurave dhe problemet strukturore janë disa nga faktorët, që sipas raportit, kanë ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së kredisë, si për individët ashtu dhe për bizneset.

Sektori bankar është më shumë i ekspozuar ndaj rrezikut të kredisë për huatë në monedhë të huaj dhe ato që i janë dhënë sektorit privat. Stoku i kredisë në monedhë të huaj, ku të ardhurat e huamarrësit janë në monedhën vendase llogariten për 31.1% të huasë totale.

Huatë e pakthyera në afat u rritën me një shpejtësi të madhe në vend, që nga 2008-a, kur ato ishin vetëm 6.5%, duke nxjerrë në pah si krizën që preku bizneset e individët ashtu dhe dhënien e huave të pastudiuara mirë.

Me nivelin e kredive me probleme (NPL), që po i afrohet 25% të totalit, Shqipëria paraqitet në krye të listës së vendeve me tregues të lartë të NLP-së.

Sipas të dhënave të publikuara nga BERZH, i vetmi shtet në të gjithë Evropën Qendrore e Lindore, që i ka NPL-të më të lartë se Shqipëria, është Kazakistani, me 36.7%.

 

 

Share it :