Atentati/ Eksploziv biznesmenit në mes të Vorës

Anxhela Tato

 

200 gr C4 makinës së viktimës Baki Xhabafti, pronar i një servisi dhe i një punishteje guri në Selitë

 Policia: Në momentin që viktima ka hipur në makinë, është aktivizuar lënda plasëse

 

tritoli-vore-305x230Ende pa kaluar 24 orë nga krimi i rëndë ku mbeti i plagosur biznesmeni Armando Ceka, një tjetër atentat trondit kryeqytetin. Këtë herë shënjestër ka qenë Baki Xhabafti, i cili ka mbetur i vdekur nga shpërthimi i C4 në makinë. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 17:15 përballë Bashkisë së Vorës. Kalimtarë të tmerruar nuk kanë mundur dot të nxjerrin trupin e karbonizuar të viktimës, por kanë tentuar të fikin flakët. Sipas të dhënave të bluve shpërthimi ka ndodhur në momentin që viktima është futur në automjetin tip “Renault” dhe ka ndezur motorin. 40-vjeçari Xhabafti, baba i 2 fëmijëve, ka qenë i papunë prej disa kohësh, ndërsa është pronar i dy subjekteve të vogla tregtare në zonën e Selitës. Makina e shpërthyer në mënyrë të telekomanduar është përfshirë nga flakët dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikëseve për të neutralizuar flakët. Një nga pistat e hetimit është edhe hakmarrja. Fillimisht u dyshua edhe për 2 persona të plagosur për shkak të forcës së shpërthimit, por në fund rezultoi se e vetmja viktimë ishte Baki Xhabafti.

 

Eksplozivi

 Sipas policisë, dyshohet se në makinë ishte montuar një sasi prej rreth 150-200 gramë lëndë plasëse plastike C4. Nga hetimet e grupit hetimor mësohet se lënda eksplozive ishte vendosur në pjesën e poshtme të automjetit. Detonatori ka qenë i lidhur me një kartë telefoni, e cila në momenti që viktima ka hipur në automjet, është aktivizuar duke i marrë jetën 40-vjeçarit Xhabafti. Automjeti, i cili është djegur tërësisht nga flakët do t’i nënshtrohet ekspertizës shkencore me shpresën e gjetje së ndonjë gjurme gishtash që mund të çojë në identifikimin e autorit. Gjithashtu trupi i pajetë i 40-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Sipas dyshimeve të policisë, viktima duhet të ketë qenë gjatë gjithë kohës në vëzhgim dhe veprimet e tij i janë raportuar autorit të krimit, i cili në momentin që 40-vjeçari është futur në automjet ka aktivizuar C4. Por në rastet e shpërthimeve të tilla është shumë e vështirë gjurmimi i autorëve, pasi fuqia e lëndës plasëse shkatërron gjurmët. Ndërsa karta SIM rezulton në pjesën më të madhe të rasteve në emër të personave të vdekur ose të pronarëve që prej kohësh nuk e kanë më në përdorim.

 

Viktima

 Sipas policisë, Xhabafti nuk rezulton person me precedentë penalë, ndërsa është pronar i dy subjekteve të vogla tregtare në zonën e Selitës, një servis makinash dhe një punishte për punime guri. Prej disa muajsh viktima ishte transferuar me banim në Vorë. Pista kryesore e hetimit dyshohet se janë konfliktet me familjen Ymeri ose Avdillari. Konfliktet mes familjeve Xhabafti dhe Ymeri kanë nisur që në vitin 1995 dhe që nga ajo kohë si pasojë e konfliktit janë shënuar 10 të vrarë. Baki Xhabaftit i kanë vrarë 4 të afërm, ndërsa edhe familjes Ymeri i janë vrarë 5 persona. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, si dhe kanë filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkaq, pistat të tjera hetimi janë edhe një konflikt i hershëm pronësie, si dhe probleme të mbartura nga jashtë vendit.

 

Dëshmitarja

“Njerëzit e fikën zjarrin me ujë, para se të vinte zjarrfikësi”

 Një dëshmitare në Vorë rrëfen se çfarë ka ndodhur në momentin kur automjeti i viktimës Xhabafti u përfshi nga flakët. Sipas saj, banorët e zonës kanë mundur të shuajnë flakët para se të mbërrinte zjarrfikësja. “Rruga nuk kishte njerëz kur ndodhi shpërthimi. Makinën e vura re kur ishte e shpërthyer. Njerëzit e fikën zjarrin në makinë me ujë para se të vinte zjarrfikësi, por ka qenë e pamundur të shpëtohet, pasi trupi ishte djegur”, – tha ajo.

 

Vrasjet

Familja Xhabafti, në hasmëri me familjet Ymeri dhe Avdillari

 Prej afro 21 vitesh, dy familjet Ymeri dhe Xhabafti janë në hasmëri. Kjo hasmëri ka sjellë viktima nga të dy palët. Në familjen Ymeri janë vrarë dy djem, ndërsa një i tretë është vrarë nga policia. Po si nisi hasmëria mes familjeve Ymeri dhe Xhabafti. Pikënisje ka qenë një sherr mes Genci Ymeri dhe Ylli Xhabaftit në vitin 1992 për një borxh parash mes tyre. Moskthimi i borxhit solli edhe përplasje mes tyre, derisa nga ana e Xhabaftëve nisën edhe kërcënimet me jetë ndaj tij. Këto kërcënime të vazhdueshme bënë që Genci Xhabafti të niste serinë e vrasjeve mes dy familjeve, duke vrarë Ylli Xhabaftin. Ylli humbi jetën, Genci u largua nga Shqipëria duke lënë hasmërinë pas, çka solli marrjen e jetëve të dy 22-vjeçarëve, Xhevair dhe Florenc Ymeri. Shkëlqim Xhabafti do të betohej se do merrte hak për vrasjen e vëllait të tij Yllit dhe katër vite më pas e realizoi atë, duke vrarë më 30 gusht 1996 vëllanë e Gencit, Xhevair Ymerin, vetëm 22 vjeç. Pa mbushur ende dy vjet nga vrasja e Xhevairit, në janar të vitit 1998 vritet djali i xhaxhit të tij, Florenc Ymeri, 22 vjeç. Ndërkohë që, më 31 tetor të vitit 1999, në portën e shtëpisë së Ymerëve, policia qëlloi për vdekje vëllain e Xhevair Ymerit, Arturin. Ndërkohë që në vitin 1998 është arrestuar një tjetër nga familja Ymeri, Eduardi, i cili prej këtij viti ndodhet në burg duke vuajtur dënimin prej 25 vitesh burg. Ndërkohë që në vitin 1998 është vrarë edhe Shkëlqim Xhabafti, 30 vjeç, i cili përflitet të jetë ekzekutuar nga vëllezërit Avdillari, të njohur si të fortit e Yzberishtit. Pas vrasjes së Çim Xhabaftit, familja Xhabafti ka qenë në hasmëri edhe me familjen Avdillari nga Yzberishti. I njohur si i forti i Selitës, Shkëlqim Xhabafti është vrarë në fillim të vitit 1998, nga rivalët e tij të bandës së Yzberishtit dhe konkretisht nga krerët e saj, vëllezërit Avdillari. Këta i kishin grabitur makinën një biznesmeni grek dhe ky i fundit i kërkon ndihmë Xhabaftit. Kapoja i Selitës, së bashku me një inspektor rendi ka shkuar te rivalët, për të biseduar se si mund t’ia kthenin makinën grekut. Por, në bisedë e sipër, gjakrat janë nxehur me vëllezërit Nazmi e Ilir Avdillari dhe këta të fundit e kanë vrarë.

 

 

 

 

Share it :