Ervin Kaduku
Depozitat bankare, sa të sigurta janë shumat deri në 2.5 milionë lekë?
Gati për diskutim projektligji i ri për sigurinë e depozitave; çfarë parashikon për mbulimin nga shteti në rast falimenti të një institucioni bankar të caktuar
Qytetarët shqiptarë kanë një besim total ndaj institucioneve bankare që funksionojnë në vendin e tyre. Megjithatë, jo e gjithë shifra që depozitohet në këto banka sigurohet nga shteti se do të kthehet në rast falimenti të bankës. Sidomos, të rrezikuara janë shifrat e larta të depozitimit. Në fakt, një gjë e tillë ka bërë që skema e sigurimit të depozitave të rishikohet, çka pritet të bëhet në kuadër të ndryshimeve ligjore, që mendohet të propozohen në Kuvend brenda tremujorit të parë të vitit 2014. Projektligji që rregullon funksionimin dhe administrimin e skemës së sigurimit i është dorëzuar qeverisë shqiptare, pasi iu është nënshtruar konsultimeve me FMN dhe Bankën Botërore, Bankën e Shqipërisë dhe grupet e interesit. Sipas relacionit, projektligj i ri “Për sigurimin e depozitave” (ASD) ka qëllim të përmirësojë procedurat e pranimit të subjekteve në skemë, mirëqeverisjen e Agjencisë, administrimin e mjeteve financiare, por edhe të rrisë autonominë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe llogaridhënien e saj si institucion publik. Risi e projektligjit është zgjerimi i bazës së depozituesve që përfitojnë sigurim të depozitave të tyre, si pasojë e përfshirjes në skemë të Shoqërive të Kursim-Kreditit.
Kjo masë, që nuk u realizua dot përmes ndryshimeve ligjore të vitit 2012, për shkak të mosplotësimit të kushteve teknike nga SHKK-të, synon mbrojtjen financiare të depozituesve të këtyre subjekteve, për të kontribuar më tej në stabilitetin financiar të vendit. Sipas projektligjit, është parashikuar një nivel mbulimi deri në 1 milion lekë për çdo depozitues në SHKK.
ASD vlerëson se ky nivel mbulimi siguron plotësisht mbi 90% të depozituesve të SHKK-ve. Projektligji iu është dërguar për shqyrtim dhe konsultim institucioneve të tjera të lidhura, si dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Integrimit për të verifikuar përputhshmërinë me direktivat e Bashkimit Evropian.
Skema e sigurimit të depozitave funksionon në Shqipëri që prej vitit 2002. Bazuar në këtë skemë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave siguron në masën 100% çdo depozitë individuale, por vetëm deri në shumën prej 2.5 milionë lekësh, në çdo bankë që operon në Republikën e Shqipërisë. Kjo shumë mbulon plotësisht pothuajse 95% të individëve depozitues në banka. Një pakicë prej 5 për qind të depozituesve mbajnë në bankë shifra prej më shumë se kjo shifër.
Ç’do të thotë të sigurosh depozitat?
Në një ekonomi tregu, bankat mund të falimentojnë. Falimentim do të thotë që banka nuk ka para të mjaftueshme për të paguar depozituesit e saj. Në këtë mënyrë, pasojat që sjell falimentimi shoqërohen me humbjen e kursimeve të qytetarëve.
Për të parandaluar pasojat financiare që sjell falimentimi i një banke tek depozituesit, si dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve ndaj bankave, janë krijuar sistemet e sigurimit të depozitave. Projektimi i tyre është bërë i tillë, që të sigurojë kompensimin e pjesës më të madhe të depozituesve të një banke që falimenton. Të sigurosh depozitat do të thotë të mbrosh kursimet e qytetarëve nga rreziku i një falimentimit të mundshëm të bankave.
Institucioni
Në rast se një bankë falimenton pa i paguar të gjithë depozituesit e saj, mund të lindë rreziku i humbjes së përgjithshme të besimit të qytetarëve ndaj bankave në veçanti dhe sistemit financiar në tërësi, e si pasoje, vendi mund të përfshihet nga një krizë financiare e përgjithshme. Sistemet e sigurimit të depozitave në përgjithësi e përqendrojnë vëmendjen në mbrojtjen maksimale të depozituesve. Kjo ndodh meqenëse këta depozitues nuk janë në gjendje që në çdo kohë të vlerësojnë bankën ku kanë investuar kursimet e tyre, pasi kanë njohuri të kufizuara për aktivitetin financiar dhe për operacionet financiare dhe bankare.
Tek ne ekziston një institucion i posaçëm, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, e cila u krijua për të siguruar kursimet e qytetarëve. Ajo nuk siguron depozitat e kompanive dhe të biznesit që përdoren në funksion të aktivitetit prodhues, tregtar, të shërbimit etj. Kjo kategori e klientëve të bankës është më shumë e lidhur me aktivitetin bankar dhe ka shumë mundësi dhe informacion që të ndjekë me kujdes ecurinë e aktivitetit të bankës ku janë vendosur llogaritë e tyre.
Në përgjithësi, thelbi i misionit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave është të krijojë besimin e publikut të gjerë në sistemin bankar në veçanti dhe në sistemin financiar kombëtar, në përgjithësi. Nisur nga ky mision, Agjencia e Sigurimit të Depozitave njehsohet edhe me simbolin e besimit.
Me krijimin e ASD, për herë të parë kursimet e qytetarëve edhe në Shqipëri sigurohen nga rreziku i falimentimit të bankave.
Pra, roli kryesor i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave konsiston në: mbrojtjen e depozituesve nga falimentimi i bankës u kanë vendosur kursimet e tyre; kompensimin e depozitave të tyre deri në nivelin dhe sipas dispozitave të ligjit; pozicionin e saj si një nga faktorët kryesore në qëndrueshmërinë e sistemit financiar të vendit tonë.
Çfarë sigurohet?
Bazuar në ligjin nr. 8873, datë 29.3.2002 “Për sigurimin e depozitave“, i ndryshuar me ligjin nr. 10 106, datë 30.3.2009 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8873, datë 29.3.2002 “Për sigurimin e depozitave“, Agjencia e Sigurimit të Depozitave siguron depozitat e klientëve që mbajnë kursimet e tyre në bankat e nivelit të dyte, pra në të gjithë subjektet që licencohen nga BSH, për kryerjen e aktivitetit bankar. Gjithashtu, duhet theksuar se Agjencia siguron dhe kompenson, mbi bazën e njohjes së pronësisë, vetëm depozitat e individëve, pra të qytetarëve, jo të bizneseve.
Çfarë nuk sigurohet?
Përsëri duke ju referuar ligjit ”Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, ASD nuk siguron:
a) pjesën e depozitës mbi 2.500.000 lekë ose shuma e barasvlershme me të (kundërvlerën), në monedhë të huaj;
b) depozitat e çdo shoqërie tregtare, personi fizik ose personi tjetër juridik;
c) depozitat e drejtorit, të administratorëve, të debitorëve të bankës së siguruar ose të çdo depozituesi tjetër, me të njëjtin status në personat juridikë të lidhur me bankën në fjalë;
ç) depozitat e çdo personi që zotëron, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të drejtën e pronësisë të një aksioneri në masën 5 për qind ose më shumë në kapitalin e bankës së siguruar ose të aksioneve me të drejtë vote të lidhur me bankën në fjalë;
d) depozitat e personave, të cilët kryejnë detyrën e auditimit dhe certifikimin e llogarive kontabël në bankat e siguruara, si dhe depozituesit me të njëjtin status në shoqëritë e tjera të të njëjtit grup;
dh) depozitat e çdo depozituesi të bankës së siguruar, që gëzon më shumë se 20 për qind interes preferencial, të ndryshëm nga interesi i zbatuar sipas kushteve të punës për të gjithë depozituesit e tjerë të kësaj banke;
e) depozitat e çdo personi në bankën e siguruar, që përdor llogarinë depozitë për veprimtari kriminale;
ë) depozitat jonominative, përfshirë depozitat në letrat me vlerë të prurësit;
f) depozitat në degën e bankës jashtë Shqipërisë;
g) depozitat e vendosura në bankën e siguruar gjatë dhe pas ditës së ndërhyrjes në këtë bankë.
Dështojnë edhe eksportet: Rënie 1.5% në janar 2014, nga +35% në janarin e një viti më parë
Eksportet shënuan rënie me bazë vjetore në janar 2014, pas performancës tepër pozitive që ato shënuan gjatë vitit të kaluar, por edhe në vitet e fundit. Më 2013 atu u rritën me 16%. Në kahun tjetër, importet janë rritur ndjeshëm, duke thelluar në këtë mënyrë deficitin tregtar. Sipas të dhënave të publikuara nga Doganat (të dhënat e INSTAT pritet të publikohen sot), eksportet rezultuan 17 miliardë lekë në vlerë malli në janar, me një tkurrje prej 1.5% me bazë vjetore. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, zgjerimi ishte 35%. Tre grupet që kanë ndikuar në rënie janë “Lëndë të djegshme”, “Minerale, skorie dhe hi” dhe “Hekuri dhe çeliku”, ndërkohë që sektori i vetëm me rritje ka qenë ai i fasonit. Importet arritën në 37 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 8.4% në raport me janarin 2013. Një vit më parë ato ishin tkurrur me 7.6%. Interesant është fakti që importet e grupit “Aeroplanë, anije kozmike dhe pjesët e tyre” u rritën me 4.170% në janar të vitit 2014, duke arritur në 2.1 miliardë lekë, nga vetëm 50 milionë lekë në janar 2013. Të dhënat bëhen të ditura nga Drejtoria e Doganave. Ky zë ka ndikuar në 72% të rritjes të importeve gjatë muajit janar. Importet e këtij zëri, zunë gati 6% të importeve në janar, nga një peshë e papërfillshme, afër zeros në të njëjtin muaj të një viti më parë. Rritja e ndjeshme e importit të avionëve lidhet me zhdoganimin e helikopterëve të ministrisë së Mbrojtjes, apo zhvillimet në tregun e fluturimeve ajrore, pas hyrjes në treg të operatorëve të rinj, si “Fly Albania” etj apo zgjerimit të atyre ekzistuese.




