Dosja “Frroku”/ Dëshmitari okular telefonoi në polici pas krimit

Anxhela Tato

 

 

Prokuroria: Numri i dëshmitarit është lokalizuar në vendin e ngjarjes në momentin e vrasjes

 Telefonata në sallën operative, vetëm pak minuta pas ekzekutimit të kryekomisarit Dritan Lamaj

 

ARBEN FRROKU_3Dëshmitari okular i dosjes “Frroku” sapo ka parë krimin, ka njoftuar policinë. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se dëshmitari ka telefonuar duke treguar skenën e krimit. Nga të dhënat e dosjes zbulohet se pasi ka parë krimin, ai ka bërë një telefonatë në sallën operative dhe ka njoftuar duke treguar me detaje vrasjen e kryekomisarit Lamaj. Prokuroria, pas ngjarjes, ka verifikuar nëse numri që ka telefonuar sallën operative ka qenë apo jo në atë zonë dhe ka rezultuar nga bërthamat se dëshmitari ka qenë vërtet okular, pasi celulari i tij ka qenë në atë zonë. Me këto detaje Prokuroria hedh poshtë spekulimet e pafundme se dëshmitari është thjesht një shpikje apo sajim. Nga të dhënat e organit të akuzës numri i telefonit të dëshmitarit është lokalizuar në zonën ku ndodhi krimi dhe pak minuta më pas ka mbërritur thirrja në sallën e operative. Dëshmitari i mbrojtur ka përshkruar me detaje atë çka ka parë në skemë e krimit. Një provë tjetër e rëndësishme për Prokurorinë është edhe gjetja e grimcave të barutit në rrobat e Arben Frrokut, çka tregon se i pandehuri ka qëlluar para se të arrestohej në Greqi.

 

Dëshmia

 “Ditën e ngjarjes, mbaj mend ka qenë data 24.2.2013, ditë e diel. Unë atë ditë rreth orës 18:00 po bëhesha gati për të dalë nga shtëpia për të bërë një xhiro me bashkëshorten time në këmbë deri tek diga e Liqenit Artificial. Kur isha duke u veshur, mbaj mend që ikën dritat dhe kanë vonuar rreth 5 minuta, që kanë ardhur përsëri. Pasi erdhën dritat, unë kam dalë nga shtëpia së bashku me gruan time. Nuk kisha as pesë minuta që isha larguar nga pallati im dhe kisha arritur tek rruga ku ka ndodhur vrasja e Dritan Lamajt. Po tentoja të kaloja nga njëri trotuar i rrugës në tjetrin, kisha kaluar një kabinë elektrike apo interneti që ndodhet në trotuar dhe kisha mbërritur pranë dy shtyllave, karshi me supermarketin që i thonë supermarketi i korçarit, në trotuarin në krah të kundërt të supermarketit. Në këtë kohë kam dëgjuar breshëri krismash arme zjarri. Fillimisht kam dëgjuar 4 a 5 të shtëna breshëri e pas saj një breshëri tjetër më të gjatë. Kam parë zjarrin e armës të dalë nga krahu i shoferit të një makine tip “BMW”, por nuk jam i saktë të them nga dera e shoferit apo pasagjerit të tij. Ndodhesha rreth 15 metra larg autoveturës tip “BMW” metalizato ngjyrë gri me targë të Durrësit DR 19 44 F, të cilën e kam të fiksuar nga ajo ditë. Kur përfundoi breshëria, makina “BMW” erdhi në drejtimin tim. Unë u shmanga nga rruga dhe u futa në mes të dy makinave të parkuara. “BMW”-ja startoi me shpejtësi dhe të madhe dhe mori drejtimin për të dalë tek kryqëzimi i “Shijaksburgut”. Në kthesë pranë vendit ku ndodhesha unë kam parë që nga shpejtësia e madhe goma e parë e krahut të djathtë të makinës ka goditur trotuarin dhe pastaj ka hyrë përsëri në rrugë dhe ka vazhduar me shpejtësi në atë drejtim lëvizjeje. Edhe sot dallohet shenja e gomës e lënë në trotuarin e rrugës. Në momentin kur makina ka kaluar pranë meje, unë kam dalluar që në automjet kanë qenë tre persona” ka deklaruar dëshmitari. Personi që ishte ulur pasagjer në vendin e parë të makinës ishte me maskë të zezë në fytyrë dhe në trup mu duk shumë i vogël. Edhe personi që ishte ulur në sediljen e pasme të makinës ishte me maskë të zezë në fytyrë. Edhe ky m’u duk i vogël në trup. Shofer ishte një person, i cili fytyrën e kishte të pambuluar me maskë. Në kokë do të ketë pasur një kapuç ose një maskë të ngritur, por di të them që fytyrën e kishte të zbuluar në momentin që e kam parë unë. Ky person ishte i madh në trup dhe i shëndetshëm. Fytyrën e tij e mbaj mend shumë mirë. Unë këtë person e njoh shumë mirë dhe di të them se është Arben Frroku. U habita që ky person të bëjë një veprim të tillë, pasi di që është biznesmen i fuqishëm dhe i shoqërisë”.

 

 

Plagosi 20-vjeçarin se i ngacmoi motrën, në kërkim autori

 Një djalë rreth të 20-ve është plagosur me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij pas një konflikti të nisur muaj më parë. Sipas burimeve policore, i plagosuri është Hashim Luca, rreth 20 vjeç, i cili u qëllua në një lokal pranë Kthesës së Kamzës, Tiranë. Policia sqaron se shkak i konfliktit mes të rinjve nisur muaj më parë dhe dje degradoi deri në përdorimin e armëve, është se i plagosuri Hashim Luca i kishte ngacmuar të motrën autorit. Policia ka identifikuar autorin. Ai është një 20-vjeçar i shpallur në kërkim. Ndërkohë i plagosuri është transportuar në spital për të marrë mjekimin e duhur. Nga ana e forcave të policisë janë duke vijuar kërkimet për autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, ndërsa pritet që të merret në pyetje “molla e sherrit” e kësaj ngjarjeje si dhe të afërm të të plagosurit.

 

 

Makina përplas babë e bir, në gjendje të rëndë djali

 Një aksident me pasojë dy të plagosur ka ndodhur rreth orës 19:21 të mbrëmjes së djeshme në zonën e njohur si Rruga e Re në Sauk. Sipas policisë një automjet tip “Mercedes-Benz” me targë EL 9965 B ka përplasur babë e bir teksa këta të fundit ishin duke kaluar rrugën. Policia bën me dije se djali, identiteti i të cilit ende nuk dihet, ndodhet në gjendje të rëndë ndërsa babai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Blutë e kryeqytetit ndodhen në vendin ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërkohë që të plagosurit janë nisur drejt spitalit.

 

 

Shkodër, tenton të grabisë argjendarinë, trembet nga sirenat e policisë

 Tentohet të grabitet një pikë argjendarie në qytetin e Shkodrës. Ngjarja u shënua paraditen e djeshme, ndërsa një person ende i paidentifikuar ka hyrë i armatosur dhe maskuar në një argjendari në qendër të qytetit, në zonën e tregut të këmbimit valutor, duke tentuar të vjedhë bizhuteritë që tregtoheshin aty, nëpërmjet presionit ndaj pronarit të dyqanit. Duke qenë se bëhet fjalë për një zonë të frekuentuar, skena është para nga shumë persona, të cilët kanë njoftuar policisë. Sirena e makinës së policisë, ka bërë që autori të tërhiqej duke mos arritur te grabisë asgjë nga argjendaria. Policia është vënë në kërkim të autorit të ngjarjes.

 

 

Greqi, grabiste turistët, në kërkim shqiptari

 Policia greke publikoi gjeneralitetet dhe fotografitë e shqiptarit që grabiste turistët në Akropol të Athinës, teksa i ndiqte ata këmba-këmbës. Mediet greke njoftojnë se u hartuan dispozitat përkatëse nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë, duke u publikuar identitetet dhe fotot e 25-vjeçarit Ervis Skënderaj, nga Shqipëria. Mediat greke raportojnë gjithashtu se sipas policisë, ky anëtar i bandës plaçkiste këmbësorë dhe turistë në Gurit të Shenjtë në Akropoli, në kodrën Filopapou. Shqiptari 25-vjeçar është arrestuar së bashku me dy të mitur si bashkëpunëtorë.

Share it :