Fushë-Krujë/ Eksploziv makinës së policit të burgut, arrestohet Jetmir Ziri

Sonja Caka

 

Policia: Mes 24-vjeçarit dhe efektivit të burgjeve, Alfred Mema, ka pasur një konflikt, po hetohet edhe në pista të tjera

 

jetmir ziri i arrestuariAutomjeti i një polici burgu është bërë objekt shpërthimi në afërsi të burgut të Fushë-Krujës. Policia ka identifikuar brenda një kohe të shkurtër jo vetëm pronarin e automjetit të cilit iu vendos lëndë eksplozive, por edhe autorin e dyshuar të saj, i cili është vënë në pranga disa orë pas ngjarjes. Sipas policisë, makina tip “Golf 5”, pronë e Alfred Memës, ishte parkuar para ambienteve të burgut pranë një lokali, në kohën kur ka ndodhur shpërthimi, i cili tronditi zonën përreth, por krijoi panik, pasi ndodhi pranë ambienteve të burgut. Policia ka shoqëruar në polici për këtë ngjarje Jetmir Zirin, 24 vjeç, djali i pronarit të lokalit pranë burgut.

 

Ngjarja

Shpërthimi i automjetit ka ndodhur rreth orës 02:00 pas mesnate, duke u gdhirë dita e djeshme. Pas disa orë hetimesh, policia i vendosi prangat djalit të pronarit të lokalit përballë burgut, 24-vjeçarit Jetmir Ziri, i cili dyshohet se i ka vendosur lëndë eksplozive automjetit tip “Golf 5” të efektivit të burgut, Alfred Mema. Pas arrestimit të Zirit, policia sqaron se 24-vjeçari kishte konflikte me policin e burgut të Fushë-Krujës. Nga shpërthimi i automjetit fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit në automjet nuk kishte njeri, pasi Mema sapo ishte kthyer nga puna dhe e kishte lënë të parkuar. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës, pasi mësohet se 24-vjeçari kishte konflikte me punonjësin e burgut të Fushë-Krujës. Megjithatë, grupi hetimor vijon marrjen në pyetje të Zirit dhe policit Mema për të hedhur dritë mbi konfliktin mes tyre. 24-vjeçari Ziri është shoqëruar në komisariat, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.

 

Hetimi

 Pas ngjarjes, policia mori menjëherë në pyetje pronarin e automjetit të shpërthyer, i cili ka sqaruar edhe personin me të cilin kishte pasur një konflikt. Ky ishte djali i pronarit përballë burgut ku polici Mema punonte. Policia shoqëroi të riun Jetmir Ziri, si të dyshuar për këtë ngjarje. Ndërkohë që i riu është marrë në pyetje, grupi hetimor vijon të hetojë nëse Ziri është autori i vendosjes së eksplozivit, për shkak të ndonjë konflikti me efektivin e burgjeve apo porosia për vendosjen e eksplozivit është bërë nga brenda burgut për hakmarrje. Policia po heton nëse ka pasur bashkëpunëtor në këto veprime të kryera.

 

 

Vendimi

Akuza për shpifje ndaj vëllezërve Deda, Apeli rrëzon padinë e Skejës

Gjykata e Apelit rrëzoi dje padinë e ish-gardistit Fatos Skeja, i cili akuzonte për shpifje vëllezërit e protestuesit të vrarë më 21 Janar, Hekuran Deda. Trupa gjyqësore vendosi të prishte vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila më herët kishte dënuar me gjobë Hilmi Dedën dhe të rrëzojë si të pabazuar në ligj dhe në prova padinë e ish-gardistit Skeja. Ky i fundit nisi një betejë gjyqësore me familjen e të ndjerit Hekuran Deda, e cila e akuzoi gardistin se u kishte ofruar emrin e vrasësit të vëllait të vrarë me kushtin që të prisnin për ngushëllim Sali Berishën, në atë kohë Kryeministër i vendit. Por, ish-gardisti Skeja i konsideroi shpifje dhe kërkoi dëmshpërblim nga vëllezërit Deda, por ndërsa fitoi betejën në Gjykatën e Tiranës, padia e tij është rrëzuar në Apel. Aktualisht, Skeja ndodhet prapa hekurave, pasi dyshohet për gjobëvënie ndaj një biznesmeni, ndërsa është larguar nga radhët e gardës së Republikës. Gjykata e Tiranës dënoi Hilmi Dedën më 29 prill të vitit të kaluar me gjobë afro 1 milion lekë dhe detyrimin për përgënjeshtrim të lajmit në një televizion ku kishte dhënë më parë intervistën. Gjykata e argumentoi fajësinë e Dedës, duke u shprehur se “pala e paditur nëpërmjet “pushtetit viziv” ka përhapur në publik informacione dhe faktet e mëposhtme, ““…….më 23 janar 2011 në ora 11 e gjysmë të natës na erdhi në shtëpi. Piu dhe kafe, la dhe dhjetë mijë lekë, pasi doli në rrugë kërkoi të bisedonte me mua e me vëllain e madh dhe ishte dhe vëllai i vogël aty. Na premtoi një shume lekësh, pritni Berishën, pranoni Kryeministrin sepse kemi një shumë parash, i kam në makinë në valixhe dhe do t’ju tregoj fotografinë që ka qëlluar mbi Hekuranin vëllain tonë……… etj.”, fakte të cilat nga provat shkresore nuk rezultojnë të sakta dhe të vërteta. Gjithashtu, sipas gjykatës, i padituri gjatë shprehjes së lirisë së mendimit, të respektonte disa parametra. Informacioni i botuar dhe i transmetuar duhet të ishte i vërtetë dhe autentik, e cila nënkupton përputhshmëri midis fakteve që kanë ndodhur dhe fakteve që tregohen, të ketë interes publik në ato që tregohen, dhe korrektësi në botimin dhe transmetimin e fakteve në mënyrë që të parandalohet prekja e dinjitetit dhe personalitetit të individit. Ndërkohë që, krejt ndryshe ka menduar trupa gjyqësore e Apelit, e cila prishi vendimin e gjyqtares Elona Stavri dhe rrëzoi padinë e Fatos Skejës si të pabazuar në prova dhe ligj.

 

Share it :