Florenc Drizari
Nasip Naço: Ndryshimet që ne propozojmë, kërkojnë rritjen e modernizimit në sistemin e burgjeve
Deputetët e Partisë Demokratike braktisën sërish mbledhjet e komisioneve parlamentare. Ata e justifikuan qëndrimin e tyre se mazhoranca nuk respekton institucionet e pavarura, ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Ashtu siç ishte paralajmëruar nga përfaqësues të opozitës pak ditë më parë, pakica parlamentare vazhdon të mos bëhet pjesë e diskutimeve në komisionet e Kuvendit, duke kërkuar rikthimin e konsensusit politik për disa vendime të fundit të qeverisë. Gjatë diskutimeve të djeshme në Komisionin e Ligjeve për projektligjin e ndryshuar për Policinë e Burgjeve, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, tha se nuk beson tek nisma e mazhorancës për respektimin e të drejtave të të burgosurve, pasi me shkarkimin e kryetares së ILDKP-së, tregoi se nuk zbaton ligjin. Ai tha se në një shtet ku nuk respektohet Presidenti i Republikës, Parlamenti, ligjet dhe Kushtetuta, është e pamundur të respektohen liritë themelore të të burgosurve.
Strazimiri
“Që unë të besoj se nëpërmjet këtij ligji ju do të respektoni të drejtat e të njeriut dhe veçanërisht liritë themelore të të burgosurve, në momentin kur nëpërkëmben kompetencat e Parlamentit, kur nëpërkëmben në mënyrë krejtësisht antiligjore të drejtat e zyrtarit të lartë siç ndodhi me rastin e kryetarit të ILDKP-së, ky është një atentat më shumë sesa në të drejtat personale të një individi, qoftë ky i rëndësishëm, por është një atentat në zemër të shoqërisë shqiptare dhe sistemit ligjor në vend”.
Pas kësaj deklarate, deputeti Strazimiri u largua nga salla e Komisionit, ndërkohë që përfaqësuesit e së majtës vazhduan mbledhjen, duke shqyrtuar në parim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.032, dt 11.12.08 “Për Policinë e Burgjeve”.
Ashtu si edhe dy ditë më parë, në mbledhjen e Komisionit ka qenë i pranishëm vetë ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Duke bërë një paraqitje se çfarë ndryshimesh propozohen në këtë projektligj, Naço tha se kërkohet modernizimi i rolit të policit të burgut dhe se sistemi aktual është potencialisht i korruptuar.
“Nëse kohë më parë oficeri i burgut ka pasur vetëm rolin e një gardiani të thjeshtë, i cili ka qenë i nevojshëm vetëm për të ruajtur sigurinë në burgje, sot me ndryshimet që ne propozojmë, kërkojmë rritjen e modernizimit në sistemin e burgjeve, që lind si një nevojë për rikonceptimin e figurës së oficerit të burgut, pra jo atij gardianit të djeshëm”, – tha ministri i Drejtësisë.
Sipas tij, ndryshimet kanë për qëllim krijimin e një shërbimi policor të qëndrueshëm të burgjeve. “Krijimin e një shërbimi policor profesional të barazuar në meritë, në integritet moral, në paanësi politike, gjithmonë dhe në çdo rast duke garantuar sigurimin e rendit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të të burgosurve”, – u shpreh Naço. Mbledhja më pas vazhdoi me diskutime dhe pyetje nga anëtarët e Komisionit për ministrin e Drejtësisë dhe drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. Relatori i këtij projektligji, deputeti Pirro Lutaj, propozoi që shqyrtimi nen për nen të shtyhej për një mbledhje tjetër, meqenëse pati diskutime për projektligjin. Komisioni miratoi propozimin e Lutajt, ndërkohë që projektligji u miratua në parim.
Dy ditë më parë, mazhoranca miratoi po në parim projektligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Edhe ky draft u votua me votat e mazhorancës, ndërkohë që deputetët e Partisë Demokratike braktisën mbledhjen. Diskutimet për këtë projektligj vunë përballë tyre edhe dy deputetët e LSI-së, Petrit Vasilin dhe ministrin Nasip Naço, të cilët replikuan për hartimin e draftit.
“Mazhoranca në konflikt me Presidentin”
Xhafaj: Presidenti ka shkelur Kushtetutën,
flet për pavarësinë e institucioneve
Presidenti: Çështjen e ILDKP-së do ta çoj në Gjykatën Kushtetuese
Shkarkimi i kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka, në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë, vazhdon të sjellë reagime të ndryshme si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca. Një ditë më parë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, theksoi se dekreti i kreut të shtetit ishte jashtë kritereve ligjore. Ndërkohë që emërimi i ish-kryeinspektores ishte bërë kundër ligjeve në fuqi, tha Xhafaj, Presidenti vazhdon ende dhe sot të flasë për institucionet e pavarura.
“Nuk e ka fajin ai që e ka cenuar, ai që e ka shkelur ligjin dhe në këtë rast shkelësi i ligjit dhe i Kushtetutës është mazhoranca e djeshme, opozita e sotshme. Presidenti i Republikës ka sjellë në Parlament një person që nuk plotësonte kriteret ligjore dhe flet sot për respektim të Kushtetutës dhe të ligjit, për respektim të institucioneve”, – deklaroi deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. Deklarata e tij u bë pas braktisjes që deputetët e opozitës i bënë Komisionit të Ligjeve në shenjë proteste për atë që pakica parlamentare e quan mosrespektim të institucioneve të pavarura në vend.
Më herët, mes kreut të shtetit dhe deputetëve të mazhorancës ka pasur edhe shkëmbime qëndrimesh në distancë. Ditët e fundit çështja më e debatuar ka qenë lëvizja e mazhorancës për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së. Në një intervistë të dhënë më parë, kreu i shtetit ka thënë se pas vendimit për emërimin në këtë post të Shkëlqim Ganajt, ai do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit e quan këtë moment një akt të rëndë dhe të patolerueshëm të shkeljes së Kushtetutës dhe Parlamenti, sipas tij, mori kompetencat e Presidentit të Republikës.
Sipas Nishanit, drejtimi në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje është jo vetëm në korrektesë të detyrës, por edhe në ndërgjegjen e tij qytetare, që nuk e lejojnë të mbetet indiferent.
Në lidhje me shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së, mazhoranca ka theksuar se ka zbatuar vetëm ligjin, pasi, sipas saj, dekreti i kreut të shtetit nuk përmbushte kriteret ligjore. Sipas përfaqësuesve të majtë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi kandidaturën e dytë të propozuar nga Presidenti i Republikës dhe të votuar vitin e kaluar.
Mes pozitës dhe opozitës ka pasur debate të ashpra në Kuvend, ku çështja e Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive ndaj zyrtarëve të lartë është bërë pjesë edhe e protestës së opozitës në mesin e javës së kaluar. Lidhur me këtë çështje, kreu i PD-së, Lulzim Basha, e ka parashtruar edhe në takimet e tij me ndërkombëtarët, duke ngritur shqetësimin se mazhoranca po tenton të kapë institucionet e pavarura të vendit.




