Debatet për dëshmorët/ Agron Tufa: Po fryhet lista e të vrarëve në kohë lufte, ja lush janë heronjtë e shkurtit

I

agrom63 vjet më parë, në mesnatën e 26 shkurtit 1951, duke lyer ballin e Shqipërisë me gjakun e pafajshëm e fisnik të familjeve tuaja, pushteti terrorist i Enver Hoxhës i betohej për besnikëri skllavi Stalinit dhe stalinizmit. Me gjakun e pafajshëm të Sabiha Kasimatit, Pjerin Guraziut, Anton Delhysës, Zyhdi Herrit, Gafur Jegenit, Jonuz Kacelit, Manush Peshkëpisë, Mehmet Shkupit, Niko Lazes, Lluka Rashkoviqit, Haki Kodrës, Raiz Selfos, Myftar Jegenit, Thoma Katundit, Hekuran Trokës, Qemal Kasaruhos, Tefik Shehut, Gjon Temalit, Fadil Dizdarit, Petro Konomit, Pandeli Novës dhe Ali Qorralliut u forcua kursi, besnikëria dhe servilizmi politik ndaj stalinizmit, duke përhapur frymën e terrorit okult mbi mbarë inteligjencien. Ishin njerëzit më të emancipuara të elitës tonë kombëtare dhe listat e zeza të krimit komunist, herët a vonë, do t’i flijonin, me apo pa shkak, andaj, nuk ka peshë preteksti i ngjarjes që përbën zanafillën e tragjedisë: ajo që ngre peshë për logjikën terroriste të hierarkisë komuniste është projektimi i krimit me çdo çmim mbi kundërshtarët e vërtetë të kursit lindor, që po e kridhnin Shqipërinë në natën staliniste. Ndonëse asnjëri prej martirëve të pushkatuar në mesnatë, nuk përbënte ende asnjë akt publik e politik kundërshtimi të hapur ndaj regjimit diktatorial, vetë arrestimi dhe flijimi i tyre për ndër të Stalinit, flet shumë për atë, se sa të vetëdijshëm ishim hijerarkët e lartë të pushtetit për rrugën e përgjakshme që kishin zgjedhur drejt Lindjes, për divorcin rrënjësor të fateve tona me Perëndimin. Në psikikën komuniste, 22 martirët e pushkatuar pa gjyq në mesnatën e 26 shkurtit, janë spastrimi më i zellshëm e më masiv i atdheut nga çdo lloj biografie evropiane, nga çdo kujtesë e sistemit të vlerave, kulturës dhe qytetërimit evropian. Pushkatimi i tyre përbën njëkohësisht pushkatimin simbolik të lirive dhe kujtesës që na lidhte me Evropën, sepse në fakt, ky pushkatim, është njëkohësisht dhe obelisku më i parë, më freskët e më demonstrativ i ëndrrës evropiane të shqiptarëve.

II
Sot, pas 63 vitesh nga krimi i përbindshëm i mesnatës komuniste, është bërë shumëçka, kryesisht nga familjarët, miqtë e bashkëmendimtarët e tyre për kujtimin viktimave të pafajshme; është gjetur varri me eshtrat e martirëve, janë bërë konferenca, janë bërë emisione e filma dokumentarë, pllakë memoriale, është shkruar libër dhe shkruhen artikuj dhe, përgjithësisht, pranohet prej gjithkujt përmasa e krimit të pashembullt. Por ende jemi larg asaj që pritet nga një shtet i lirë modern që mëton standardet e lirisë evropiane; ende jemi larg si shoqëri, që t’u bëjmë vend këtyre martirëve në krizën e vlerave tona edukative e qytetare. Linja zyrtare e historiografisë sonë shtetërore, duhet ta kishte përfshirë me kohë këtë akt të pashembullt terrori në analet e drejtësisë botërore, për t’u treguar brezave të rinj dhe gjeneratave në vazhdim fytyrën e vërtetë të komunizmit, të zhyer me gjakun e pafajshëm e fisnik të familjeve tuaja. Vetëm atëherë, kur krimi masiv mbi 22 intelektualët të bëhej pjesë e pandarë e kurrikulave shkollore, vetëm atëherë do të mund të thoshim, se kujtesa jonë e dhimbshme dhe tragjedia e familjeve tuaja është fiksuar përfundimisht në memorien kolektive, se ajo përbën një shembull dhe model edukimi, që krimi të mos përsëritet kurrë.
Por, për fat të keq, përkundër kësaj detyre qytetare, në po shohim sot, se si politikanët më të lartë të trashëgimisë komuniste janë të shqetësuar për kujtesën e vrasësve e jo të viktimave. Ne po shohim sot, se sa të shqetësuar janë këto trashëgimtarë të komunizmit për jubiletë e paraardhësve të tyre vampirë. Ne po shohim me trishtim, se si pinjojtë e trashëgimisë më të errët të komunizmit bëjnë thirrje të na ndalojnë të shkrujmë mbi të vërtetat tona të përgjakura. Ata duan që dhimbja jonë të vijojë të mbetet e pagojë; që historia jonë të pranojë kujtesën e xhelatëve, portretet e diktatorëve. Kjo hipokrizi e ndërgjegjes së dyzuar e servile të trashëgimtarëve komunistë, ndërsa troket për t’u pranuar në dyert e Evropës, kërkon që të hyjë në dyert e saj tok me kriminelët, falsifikatorët dhe portretet e diktatorit, duke fshehur varret dhe pushkatimet e kryera prej tyre.
Sot ne dëgjojmë thirrjet publike të trashëgimtarëve të komunizmit për dëshmorët e 4 shkurtit, se kanë mbetur pa “rrugë”, por asnjëherë nuk ia bën zemra të flasë për 22 dëshmorët e lirisë që vranë ata më 26 shkurt 1951! A mund të krahasohet akti i hakmarrjes personale të ish-ministrit të brendshëm të kohës së pushtimit në vitin e luftës 1944, me festën e krimit shtetëror të kryer nga komunistët shqiptarë në kohë paqeje? Si për çdo gjë, komunistët dhe pinjojtë e tyre të trashëgimisë hiperbolizojnë dhe e tejfryjnë listën e 16 të vrarëve në kohë lufte duke e çuar në 100, ndërsa për 22 intelektualët e vrarë shtetërisht pa gjyq, nuk gjejnë të thonë një fjalë! Pra cilët janë dëshmorë të vërtetë të shkurtit dhe a kanë një përmendore apo një emër rruge? Përse kur nderohen të rënët e tejfryrë në numër në varrezat e dëshmorëve këta pinjoj që bëjnë ceremoni me portretet e diktatorit s’u bën zemra të vënë një kurorë me lule mbi varrin e përbashkët dëshmorëve të 26 shkurtit 1951, edhe pse varri i tyre gjendjet në hyrje?
Prandaj them se shumë është bërë e do të bëhet për nderimin e kujtimit të 22 martirëve tanë, por beteja më e madhe na pret përpara, derisa ata të ngulen në mënyrën më legjitime në zemrën e historisë së Shqipërisë, në tekstet shkollore! Prandaj borxhi ynë ndaj tyre ende nuk është shlyer, derisa ata të bëhen pjesë e memories kolektive të të gjitha brezave dhe e vërteta, sado e dhimbshme të dëshmojë në mënyrë paralajmëruese se “kështu ka ngjarë në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, atëherë kur Shqipëria fundosej në natën staliniste!
Dhe këtë do ta bëjmë (jemi duke e bërë), duan apo s’duan trashëgimtarët e vrasësve.
Lavdi të përjetshme kujtimit të martirëve tanë!
Shqipëria do t’i kujtojë me respekt të shenjtë!

 

 (Fjala e mbajtur dje para familjarëve të 22 martirëve të pushkatuar pa gjyq me 26 shkurt 1951)

 

 

Share it :