Azili/ Dokumente të rreme për gjakmarrje, nën akuzë 12 persona

Anxhela Tato

 

Kryeplaku dhe sekretari i shoqatës lëshonin vërtetim false, me qëllim përfitim azili në Belgjikë

 Hetimet e Prokurorisë, janë të provuara 7 raste vërtetimesh të rreme, dëshmitarët mohojnë konfliktet dhe gjakmarrjen

 

gjykProkuroria e Shkodrës dërgon për gjykim kërkesën ndaj kryetarit të Komunës Postribë, Faz Shabaj; ndaj sekretarit të Shoqatës së Misionarëve të Paqes, Nikollë Shullani, tre kryepleq dhe 7 shtetas, të gjithë të akuzuar për falsifikim dokumentesh, me qëllim përfitimin azili në Belgjikë. Personat e mësipërm, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, kanë lëshuar vërtetime sikur kanë qenë të përfshirë në gjakmarrje. Nga hetimi ka rezultuar se faktet e paraqitura në dokumentacion janë të gjitha të pavërteta. Kryetari i Komunës Postribë dhe sekretari i Shoqatës së Misionarëve të Paqes akuzohen se e kanë kryer këtë vepër në të paktën 7 raste. Departamenti kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda Tiranë ka administruar informacion, sipas të cilit shtetas të ndryshëm shqiptarë kanë aplikuar në shtetin belg për të përfituar azil politik. Kërkesa e këtyre shtetasve është bazuar në akte të ndryshme administrative të lëshuara nga institucione shtetërore dhe jo shtetërore publike, të cilat nga verifikimet e para kanë rezultuar të falsifikuara. Ndër këto institucione shtetërore dhe jo shtetërore, të cilat nga të dhënat hetimore rezultojnë lëshuese të këtyre akteve, është përmendur dhe Komuna Postribë. Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal, nga shoqata “Misionarët e Paqes dhe Pajtimeve të Shqipërisë” janë dorëzuar kopje të njësuara me origjinalin të disa vërtetimeve të lëshuara prej kësaj shoqate dhe nga kryetarët e fshatrave dhe Komuna Postribë.

 

-Vërtetimi datë 22.9.2011, në të cilin thuhet: “Shtetasi A. Bajraktari, është në konflikt gjakmarrje me familjen e shtetasit M. H., për arsye konflikte pronësie. Shtetasi M. H. më datë 8.11.2010 ka goditur me mjete të forta babanë e A. Bajraktarit, shtetasin M. Bajraktari, por A… së bashku me babanë e tij për arsye vetëmbrojtje kanë vepruar dhe ka mbetur i plagosur shtetasi M. H. Në këto rrethana, duke pasur parasysh Kanunin e Lekë Dukagjinit që akoma ekziston në rrethinat dhe qytetin e Shkodrës, nga frika e hakmarrjes dhe e vrasjes, rrezikohet jeta e djalit të kësaj familje z. A. Bajrakatari, i cili ndiqet për t‘u vrarë nga hasmëritë e familjes se tyre. Krahas këtij vërtetimi nga shoqata “Misionarët e Paqes dhe Pajtimeve të Shqipërisë” është dorëzuar dhe një fotokopje e vërtetimit të datës 20.9.2011 të lëshuar nga kryeplaku i fshatit Kullaj, shtetasi Sait Bushaj dhe kryetari i Komunës Postribë, Faz Shabaj. Është pyetur si person që ka dijeni rreth veprës penale shtetasi M. Bajraktari (babai i A. Bajraktarit), i cili deklaron se shtetasin M. H. e ka komshi dhe se me këtë shtetas ka pasur konflikte pronësie, por se për sa është përshkruar në vërtetimet objekt hetimi të lëshuar nga shoqata “Misionarët e Paqes dhe Pajtimeve të Shqipërisë” dhe Komuna Postribë, ato nuk janë të vërteta, pasi konflikti mes tyre nuk ka kaluar në goditje me veprime fizike dhe se nuk është në hasmëri me këtë shtetas. Deklaruesi thotë se fjalët që janë shënuar në këto vërtetime nuk janë të vërteta, por ai ia ka thënë kryeplakut, pasi ka pasur si qëllim që të largoj djalin e tij nga konflikti.

 

-Vërtetimi datë 14.10.2011, në të cilin thuhet: “Shtetasi A. Brahimataj është në konflikt me shtetasin L. H. për probleme pronësie. Shtetasi A. Brahimataj banon ngjitur me banesën e shtetasit L. H. dhe prej vitesh këto dy familje kanë konflikt për një mur ndarës mes banesave. Shtetasi L. H. ka tentuar të prishë murin ndarës dhe më pas kanë debatuar ashpër. Shtetasi A. Brahimataj ka rrëmbyer kazmën dhe e ka goditur me forcë shtetasin L. H. dhe si pasojë i ka shkaktuar plagosje të rëndë. Ndonëse përpjekjeve të Shoqatës “Misionarët e Paqes dhe Pajtimeve të Shqipërisë”, dhe të kryepleqësisë së fshatit, nuk është arritur pajtimi i këtyre dy familjeve, pasi shtetasi L. H. kërkon të marrë gjak sipas kanunit të vjetër. Në këto rrethana shtetasi A. Brahimataj detyrohet të largohet nga Shqipëria për të shmangur rrezikun e vdekjes së tij dhe të familjes. Për sa është përshkruar në këto vërtetime është pyetur si person që ka dijeni rreth veprës penale shtetasi S. Brahimataj (babai i A. Brahimatajt), i cili deklaron se me shtetasin L. H. ka pasur konflikte për një mur avllie, por nuk është e vërtetë që të kenë pasur ndonjëherë konfrontim fizik mes tyre. Me poshtë sqaron se kur u hapën vizat ka dëgjuar që mund të shkohet jashtë shtetit, duke marrë vërtetim se je në konflikt me ndonjë person. Ai ka deklaruar se ka një djalë të vetëm dhe është në kushte shumë të vështira ekonomike dhe ka menduar se ndoshta mund ta stabilizoj jashtë shtetit. Ai ka shkuar tek k/plaku i fshatit dhe i ka kërkuar që t’i lëshojë një vërtetim me përmbajtje të tillë.

 

-Vërtetimi datë 30.9.2011, në të cilin thuhet: “Shtetasi P. Hasaj është në hasmëri me një familje tjetër nga Drishti dhe janë të ngujuar familjarisht për arsye gjakmarrje. Shkaku i kësaj hasmërie është se në vitin 1992 xhaxhai i P…, i quajtur R. Hasaj ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta për një ngatërresë të momentit shtetasin Q. D. nga fshati Drisht i Komunës Postribë. Për sa është përshkruar në këto vërtetime është pyetur si person që ka dijeni rreth veprës penale shtetasi M. Hasaj (vëllai i shtetasit P. Hasaj), i cili deklaron se çfarë është shkruar në këtë vërtetim nuk është e vërtetë, pasi shtetasi Q. D. është baxhanaku i P. Hasës, dhe se xhaxhai R. Hasani ka rreth 60 vite që ka vdekur dhe se as që i ka takuar që ta njoh shtetasin Q.D. Ai thotë se nuk është në dijeni të këtij vërtetimi dhe se vëllai i tij P. Hasaj se bashku me familjen e tij është në Belgjikë.

 

-Vërtetimi datë 9.10.2011, në të cilin thuhet: “Shtetasi A. Bibaj është në konflikt hasmërie me një familje tjetër dhe janë të ngujuar familjarisht për arsye gjakmarrje me familjen Hysaj nga fshati Myselim. Ngjarja prej vitesh rrezikon jetën e të riut A. Bibaj që në vitin 2006 kur babai i A…, shtetasi C. Bibaj ka plagosur shtetasin I. H. nga fshati Myselym. Në lidhje me këto rrethana shtetasi C. Bibaj (babai i A. Bibajt), ka deklaruar se kur u hapën vizat ka dëgjuar që mund të shkohet jashtë shtetit duke marrë vërtetim se je në konflikt me ndonjë person. Ai ka dy djem të papunë dhe në kushte shumë të vështira ekonomike, dhe ka menduar se ndoshta mund ta stabilizoi jashtë shtetit. Ai ka shkuar tek kryeplaku i fshatit dhe i ka kërkuar që t’i lëshojë një vërtetim me përmbajtje të tillë. Pasi këtë vërtetim e ka firmosur tek kryeplaku e ka firmosur edhe në komunë. Më pas këtë vërtetim e ka paraqitur dhe tek pajtimi i gjaqeve, ku i kanë lëshuar një vërtetim tjetër me përmbajtje të njëjtë me vërtetimin që ka marrë tek kryeplaku. Kur i ka tregova djalit për këto vërtetime, ai thotë se djali i tij A… i ka thënë se nuk i duhet gjë dhe nuk e ka marrë me vete jashtë shtetit. Më pas djali ka shkuar në Belgjikë dhe akoma është me qëndrim atje. E vërteta është se çfarë është shkruar në këto dy vërtetime është e pasaktë, pasi në të vërtetë shtetasi I. H. ka qenë babai i gruas (vjehrri), i cili ka vdekur para 6 vitesh për shkaqe natyrore nga pleqëria, dhe se me atë dhe familjen e tij nuk kanë pasur asnjë problem.

 

-Vërtetimi datë 7.10.2011, në të cilin thuhet: “Shtetasi A. Repaj është në konflikt me familjen e shtetasit G. J. nga fshati Boks, pasi në vitin 1995 xhaxhai i A… i quajtur A. Repaj ka plagosur me çifte për arsye pronësie shtetasin J. B., i cili ka vdekur pas disa ditësh nga plagët e marra”. Në lidhje me rrethanat e lartë përmendura shtetasi G. Repaj (djali i J. B.), deklaron se shtetasin A. Repaj e ka kushëri dhe se babai i tij J. B. nuk ka pasur ndonjë konflikt me shtetasin A. Repaj. Pasi është njohur me vërtetimin e lëshuar për shtetasin A. Repaj, ai ka deklaruar se ato që janë shkruar në këtë vërtetim nuk janë të vërteta, pasi nuk kanë pasur ndonjëherë konflikt me shtetasin A. Repaj dhe se me të kanë marrëdhënie shumë të mira. Babai i deklaruesit, shtetasi J. B. është gjallë dhe nuk ka vdekur. Në lidhje me këtë çështje është pyetur si person që ka dijeni rreth veprës penale dhe shtetasi A. Repaj, i cili deklaron se shtetasin J. Repaj e ka kushëri dhe se më të nuk ka pasur ndonjëherë konflikt.

 

-Vërtetimi datë 9.10.2011, në të cilin thuhet: “Shtetasi A. Hyseni i datëlindjes 1981 është i ngujuar familjarisht nga frika e kërcënimit për jetën e tij, pasi xhaxhai i A. Hysenit i quajtur H. Hyseni ka plagosur me çifte shtetasin R. B”. Në lidhje me këto fakte shtetasi A. Hyseni (djali i R. Hysenit), ka deklaruar se babai i tij R. Hyseni nuk ka pasur ndonjëherë konflikt me armë me shtetasin R.B. Ato që janë shkruar në vërtetimin e A. Hysenit janë krejtësisht të pavërteta.

 

-Vërtetimi datë 14.10.2011, në të cilin thuhet: “Shtetasi E. Hasaj është në hasmëri që prej 15 vitesh me familjen e shtetasit D. A., pasi shtetasi K. D. (xhaxhai i E. Hasaj) ka plagosur rëndë shtetasin D. A.”. Në lidhje me këto fakte shtetasi H. Hasaj (babai i shtetasit E. Hasaj), ka deklaruar se për sa është shkruar në këtë vërtetim, se vëllai K. ka plagosur rëndë shtetasin D. A. nuk është e vërtetë. Ata kanë pasur debate të ashpra, ndoshta dhe janë shtyrë me njëri-tjetrin, por jo që të jetë plagosur kush. Ai thotë se ky vërtetim është nxjerrë prej tij në vitin 2011 dhe se në kohën që ka nxjerrë këtë vërtetim, djali i tij E… ka qenë në Itali. Në të vërtetë ai thotë se djali nuk e kishte porositur për këto dokumente, por vet ai thotë se kishte dëgjuar se po të kishe dokumente të tillë mund të nxjerrësh leje qëndrimi për një kohë të gjatë jashtë shtetit. Djali në atë kohë ka qenë me dokumente të rregullta në Itali dhe aktualisht është në Itali së bashku me familjen. Këto dy vërtetime ai thotë se nuk ia ka dërguar djalit të tij E…, pasi nuk i hynin në punë.

 

Ekspertiza

 

Pasi janë marrë modele të lira dhe eksperimentale shkrimi dhe vulash të kryeplakut Lutfi Çelaj dhe kryetarit të Komunës Postribë, Faz Shabaj, janë dërguar për ekspertim grafik në I.P.SH Tiranë. Sipas aktit të ekspertimit date 29.4.2013 është arritur në konkluzionin se: 1-Nënshkrimi i gjetur tek rekuizita “KRYETARI I FSHATIT LUTFI ÇELAJ” që ndodhet tek vërtetimi i lëshuar shtetasit E. Hasaj (dokumenti objekt hetimi), nuk duhet të jetë nënshkrim origjinal i shtetasit Lutfi Çelaj, krahasuar me modelet e dërguara në emër të tij. 2-Vula, fotokopje e gjendur tek rekuizita “KRYETARI I FSHATIT LUTFI ÇELAJ” që ndodhet tek vërtetimi i lëshuar shtetasit E. Hasaj (dokumenti objekt hetimi), nuk është e njëjta me vulën e njomë në formë rrethore e dërguar si model krahasues. 3- Vula, fotokopje me tekst “REPUBLIKA E SHQIPËRISË KOMUNA POSTRIBË” e gjendur tek rekuizita “KRYETARI I KOMUNËS FAZ SHABAJ” që ndodhet tek vërtetimi i lëshuar shtetasit E. Hasaj (dokumenti objekt hetimi), duhet të jetë përftuar nga fotokopjimi i një vule me të njëjtën formë dhe tekst origjinal të kryetarit të Komunës Postribë, dërguar model krahasues.

 

 

 

Të pandehurit

 Faz Shabaj, me detyrë kryetar i Komunës Postribë, i hetuar pa masë sigurimi, nën akuzë “Falsifikimit të dokumenteve” gjashtë herë e kryer në bashkëpunim

Nikollë Shullani, me detyrë sekretar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Shqipërisë, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, shtatë herë e kryer në bashkëpunim

Sait Bushaj, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” e kryer në bashkëpunim

Shuaib Uraj, me detyrë kryetar i fshatit Mes, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” e kryer në bashkëpunim

Sait Shabaj, me detyrë kryetar i fshatit Boks, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” tre herë e kryer në bashkëpunim

Sadik Muhaj, me detyrë kryetar i fshatit Drisht, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” e kryer në bashkëpunim

Musa Bajraktari, hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”

Sait Brahimataj, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”

Caf Bibaj, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”

Faik Hyseni, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”

Hamza Repaj, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”

Halil Hasaj, i hetuar pa masë sigurimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”

 

Share it :