Fillon projekti “Pakti Territorial i Punësimit”

 Në dy vjet e gjysmë, Bashkia e Tiranës punësoi 20 mijë qytetarë në kryeqytet

 

Tirana-nga-lartPakti i Punësimit do të bazohet mbi 40 politika alternative për zgjidhjen e sfidave të punësimit të qytetarëve dhe arritjen e objektivave mbi çështje të tilla si, aftësimin e të rinjve, punësimi dhe formimi profesional dhe nxitja e krijimit të 1000 vendeve të reja pune me fokus të rinjtë

 

 

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, mori pjesë në workshop-in e organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare të Punës, ILO si agjencia drejtuese e Programit të Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të rinjve.

Nënkryetarja Xhindi theksoi se ndër prioritetet kryesore të Bashkisë së Tiranës në këto dy vite e gjysmë ka qenë punësimi i të rinjve, ku është bërë e mundur që 20 mijë qytetarë të punësohen në kryeqytet, kjo falë politikave të ndërmarra nga kjo Bashki. “Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare të Punës, ILO, si agjencia drejtuese e programit të Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të rinjve, sot po hedh hapat e parë drejt Paktit Territorial të Punësimit, një instrument i zhvilluar dhe shumë i suksesshëm në vendet e BE, dhe i lançuar në Shqipëri që në vitin 2010 nga qeveria shqiptare. Kjo është hera e parë që një instrument i tillë konsiderohet edhe për Tiranën, dhe kjo jo rastësisht, pasi dy vite e gjysmë më parë punësimi nuk ka qenë në fokus të Bashkisë dhe është prioritet i administratës aktuale të Bashkisë së Tiranës”, – përmendi Xhindi.

 

Pakti

Pakti i Punësimit do të bazohet mbi 40 politika alternative për zgjidhjen e sfidave të punësimit të qytetarëve dhe arritjen e objektivave mbi çështje të tilla si, aftësimin e të rinjve, punësimi dhe formimi profesional dhe nxitja e krijimit të 1000 vendeve të reja pune me fokus të rinjtë. “Ky projekt vjen pas politikave nxitëse të punësimit në Tiranë, dua ta theksoj që në dy vjet e gjysmë si rezultat i politikave të reduktimit të 60 taksave dhe tarifave vendore të kësaj bashkie, bashkëpunimin me bizneset, ndërmjetësimit nëpërmjet portalit të punësimit, u hapën 3641 biznese, dhe u punësuan 20 mijë qytetarë të Tiranës. Pa përfshirë këtu të punësuarit në punimet e investimeve infrastrukturore dhe projekteve strategjike të vetë Bashkisë Tiranë”, – ka përfunduar nënkryetarja Xhindi.

 

Vizioni për punësim në Tiranë

“Promovimi i plotë e produktiv, punësim dinjitoz për qytetarët e Tiranës, veçanërisht për të rinjtë dhe grupet që mund të identifikohen, të mbështetura në politikat aktive të punësimit në Bashkinë e Tiranës. Mbështetje e realizimit të një politike aktive të punësimit nga Bashkia e Tiranës, duke forcuar bashkëpunimet mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore. Lehtësim të kontakteve ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit, afrimi i shkollës dhe universitetit me biznesin, hapja e mundësive për internship dhe stazh pune, pranë Bashkisë dhe gjithë rrjetit institucional përmes kualifikimit profesional” është strategjia që ka parashikuar Kryebashkiaku Lulzim Basha që në momentet e para kur mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

 

 

Raporti, taksat në Shqipëri, më të lartat në Ballkan

Vendi ynë ka zënë vendin e 146-të në botë për sa i përket pagesës së taksave, sipas raportit “Pagesa e taksave 2014”, i hartuar nga Banka Botërore. Në këtë raport, konsiderohet i lartë niveli i taksave mbi biznesin në Shqipëri, krahasuar me vendet fqinje, si Maqedonia, Bosnja dhe Kosova, të cilat kanë një taksë për biznesin 10% dhe Mali i Zi që e ka 9%. Raporti vlerëson se të ardhurat nga biznesi i mesëm dhe i madh në Shqipëri janë 15%, në një nivel të barabartë për këtë çështje me Serbinë. Ndërsa Kroacia dhe Turqia, ka normat më të larta në rajon me 20%. Në raport janë përllogaritur gjithashtu edhe norma e përgjithshme e taksimit në Shqipëri e cila është vlerësuar 31.7% e fitimit, duke qenë më e lartë se në Kroaci, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë, Bosnje, por më e ulët se në Serbi.

Raporti “Pagesa e taksave 2014”, i hartuar nga BB-ja ka marrë parasysh regjimet e taksave në 189 ekonomi, si dhe ka nxjerrë në pah reformat e përbashkëta të ndërmarra në 11 vende në përmirësimin apo futjen e sistemit elektronik të pagesave të taksave, si dhe eliminimin e nevojës për 74 pagesa taksash të ndryshme.

 

Share it :