Hetimi / Skandali i korrupsionit në Gjykatën e Pukës, shkojnë për gjykim 9 persona

Sonja Caka

Prokuroria përfundon së hetuari dosjen, zbardh skemën e aferës korruptive ku janë përfshirë gjyqtari, prokurori dhe pjesa tjetër e të pandehurve

 

gjykataProkuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin për skandalin e korrupsionit në Gjykatën e Pukës, duke çuar për gjykim dosjen me nëntë të pandehur, një gjyqtar, një prokuror, dy avokatë, shoferin e prokurorit, një sekretare dhe kancelarja e gjykatës, si dhe dy kallëzuesin e kësaj afere korruptive dhe gruan e tij. Të pandehur të kësaj çështjeje janë Dëfrim Prençi , Liljana Shkjau, Fran Dashi, Meliha Kuka, Pëllumb Prençi, Shtjefën Lleshi, Fariz Xhurxhi, Pal Pjetri dhe Bardhë Pjetri. Në ditët në vazhdim pritet që dosja të hidhet në short dhe të caktohet trupa gjyqësore që do e gjykojë. Skandali i aferës korruptive në vendimet e Prokurorisë dhe Gjykatës në këmbim të lirisë së një të dënuari u denoncua në media, duke bërë që në burg të përfundojnë fillimisht 7 të pandehur, ndërkohë që më pas Apeli ndryshoi masën për dy prej tyre, përkatësisht për gjyqtarin Lleshi dhe prokurorin Prençi.

Hetimi

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin pas denoncimit të media. Kallëzuesi Pal Pjetri është banor i lagjes Nushaj, Fushë Arrëz të Pukës. Pranë pronës së kallëzuesit ushtron aktivitet një subjekt tregëtar. Kallëzuesi së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij dhe banorë të tjerë të lagjes Nushaj kanë protestuar disa herë kundër punimeve të kryera nga ai subjekt tregëtar me pretendimin e dëmtimit të pronave të tyre. Një protestë e tille është zhvilluar dhe më datë 15.04.2013.  Gjatë protestës ka ndërhyrë policia, e cila ka arrestuar një numër jo të vogël banorësh, si dhe gjashtë anëtarë të familjes së kallëzuesit. Pal Pjetri, gjatë protestës së zhvilluar pretendon se është goditur me sende të forta dhe është dërguar për kurim në spital. Seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit rezulton të jetë zhvilluar në spital dhe për kallëzuesin është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”.

Rryshfeti

Sipas kallëzuesit, avokati i ka treguar se i ka paguar 100.000 lekë gjyqtarit Shtjefën Lleshi dhe se duhet t’i paguante këtij gjyqtari dhe 100.000 lekë të tjera. Kallëzuesi gjate muajit qershor ka biseduar në telefon me gjyqtarin Shtjefën Lleshi dhe kanë lënë takim në Tiranë në zonën e Don Boskos. Gjyqtari është takuar me kallëzuesin dhe i ka kërkuar të hipte në makinë pasi në lokal mund te binin në sy të njerëzve. Sipas kallëzuesit, gjyqtari Lleshi i ka kërkuar shumën prej 200.000 lekësh për lirimin e kallëzuesit dhe Pjetri, duke menduar se ai gjyqtar kishte edhe çështjen ku ishin arrestuar dhe djemtë e tij që ndodheshin në burg, i ka dhënë shumën e kërkuar , duke i lënë paratë në makinën e gjyqtarit, sipas kërkesës. Në kohën e takimit mes kallëzuesit dhe personit nën hetim Shtjefën Lleshi, kallëzuesi ka qenë me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi”. Pas kësaj bisede, për kallëzuesin është zhvilluar gjykimi për zëvendësimin e masës së sigurimit dhe është caktuar masa e sigurimit “detyrim paraqitje” në Policinë Gjyqësore. Kallëzuesi i ka kërkuar gjyqtarit për lirimin e dy djemëve të tij, dy vëllezërve dhe nipit të tij. Gjyqtari i ka bërë të ditur se në fillim duhet të ndryshohej masa e vetë kallëzuesit dhe se para zgjedhjeve ai nuk do të lironte njeri nga burgu për shkak të situatës së krijuar. Kallëzuesi nëpërmjet avokatit të zgjedhur Fran Dashi ka paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë kërkesa për zëvendësimin e masave të sigurimit për djemtë dhe vëllezërit e tij. Pas paraqitjes së kërkesave, kallëzuesi dhe avokati i tij jane paraqitur te kancelarja e gjykatës, Meliha Kukaj, e cila i ka deklaruar se është Shtjefni që ka në dorë regjistrimin e kërkesave për gjykimin e tyre. Kallëzuesi ka marrë takim me gjyqtarin Shtjefën Lleshi në zyrën e tij dhe aty i janë kërkuar për pranimin e një kërkese për zëvendësimin e masës së sigurimit se duhet të paguheshin nga kallëzuesi 2000 USD për gjyqtarin dhe 2000 USD për prokurorin.

Dorëzimi i parave

Kallëzuesi Pal Pjetri ka plotësuar leket sipas kërkesës së gjyqtarit Lleshi dhe është paraqitur përsëri në gjykatë. Atje gjyqtari e ka drejtuar te sekretarja e tij që ndodhej në të njëjtën zyrë me kancelaren e gjykatës. Kancelarja, personi nën hetim Meliha Kukaj i ka thënë kallëzuesit të bisedonte me sekretaren e gjyqtarit Shtjefen Lleshi dhe kallëzuesi i ka bërë gati për t’i dhënë lekët. Sekretarja i ka kërkuar gjithsej 550.000 lekë për zëvendësimin e masës së sigurimit për djalin e kallëzuesit Astrit Pjetri. Kallëzuesi nuk i ka patur aq lekë me vehte dhe është larguar përsëri. Sekretarja i ka kërkuar 250.000 lekë për gjyqtarin, 250.000 lekë për prokurorin pas bisedës së kryer me Shtjefnin dhe nga 25.000 për vete dhe kancelaren e gjykatës. Pal Pjetri ka bërë gati paratë e kërkuara dhe është paraqitur përsëri në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë te sekretarja e gjyqtarit Shtjefen Lleshi. Kallëzuesi i ka dhënë paratë e kërkuara në prani të personave nën hetim Liljana Shkjau dhe Meliha Kukaj  dhe është larguar nga zyra, pasi  ka regjistruar me video atë që ka ndodhur. Pas dorëzimit të parave është zhvilluar seanca gjyqësore dhe është zëvendësuar masa e sigurimit për shtetasin Astrit Pjetri.

Kërkesa e të arrestuarit Arjan Ndoka

Me date 26.07.2013, shtetasi i arrestuar Arjan Ndoka, ka paraqitur kërkesë  në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, vendosur me vendimin e asaj gjykate nr.24, datë 30.04.2013. Me vendimin  nr.59 Akti, date 30.07.2013, Gjykata e Rrethit Gjyqesor Puke ka vendosur ‘Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Arjan Ndoka”. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Shkodër me vendimin nr.126, datë 09.08.2013. Kundër këtij vendimi ka ushtruar Rekurs shtetasi Arjan Ndoka. Pas paraqitjes së rekursit, kallëzuesi Pal Pjetri ka takuar personin nën hetim Dëfrim Prençi. Kallëzuesi është takuar disa herë me personin nën hetim Dëfrim Prençi dhe ky i fundit i ka premtuar se do të ndërhynte në GJykatën e Lartë për pranimin e rekursit, për zëvendësimin e masës së sigurimit për shtetasin e arrestuar Arjan Ndoka. Personi nën hetim Prençi i ka marrë kallëzuesit shumën prej 240.000 lekë për t’ia dhënë prokurorit të çështjes, Pëllumb Prençi për pranimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë.  Në këto kushte, personi nën hetim Dëfrim Prençi i ka kërkuar kallëzuesit shumën e përgjithshme prej 6000 euro për trupin gjykues në Gjykatën e Lartë, nga e cila një pjesë do t’ia jepte Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe pjesën tjetër anëtarëve të tjerë të trupit gjykues. Biseda është bërë në prani të shtetasit Fran Dashi. Kallëzuesi i ka dhënë shumën e kërkuar personit nën hetim në prani të shtetasit Fran Dashi, me profesion avokat. Kallëzuesi është vënë në dijeni të faktit se Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin. Dëfrim Prençi e ka prezantuar në Tiranë me avokatin Fariz Xhurxhi, i cili për disa kohë i deklaronte kallëzuesit se djali do të dalë nga burgu së shpejti. Gjatë bisedës së bërë më datë 23.11.2013, avokati Fariz Xhurxhi i ka kërkuar 50.000 lekë për çdo të pandehur pjesëtar të familjes së kallezuësit për t’ia dhënë gjyqtarit Izet Kadana, 100.000 lekë për prokurorin dhe 100.000 lekë shpërblim për punën e tij. Nga aktet që ndodhen në fashikullin e hetimit, rezulton se Gjykata e Lartë ka vendosur në dhomën e këshillimit për mospranimin e rekursit të kërkuesit Arjan Ndoka sipas vendimit nr.1135, date 03.10.2013. Organi procedues konstaton se shtetasi Xhezahir Zaganjori, me detyrë Kryetar i Gjykatës së Lartë nuk ka marrë pjesë në trupin gjykues që ka gjykuar rekursin e kërkuesit Arjan Ndoka.

Të pandehur

Dëfrim Prençi, 46 vjeç, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”

Liljana Shkjau, 41 vjeçe, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”

Fran Dashi, 52 vjeç, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”

Meliha Kuka, 41 vjeçe, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”

Pëllumb Prençi, 38 vjeç, hetuar me masë sigurimit “arrest në shtëpi”

Shtjefën Lleshi, 59 vjeç, hetuar me masë sigurimi “arrest në shtëpi”

Fariz Xhurxhi, 55 vjeç, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”

Pal Pjetri, 66 vjeç, hetuar në gjendje të lirë.

Bardhë Pjetri, 54 vjeçe, hetuar në gjendje të lirë

 

Share it :