Intervista/Si të kujdesemi për sytë, mjeku: 80% e shqiptarëve kanë probleme

Nëse para 10 vitesh një fëmijë kishte luhatje të numrit të syrit dhe nuk vizitohej te një mjek për të marrë syze, sot ai numër është shumëfishuar që do të thotë se, nëse numri në fillim ka qenë -0.05, sot është nga -1 deri në -3

 

nerdkidVite më parë shqiptarët nuk preferonin që fëmijët ose vetë ata të mbanin syze, kjo për shkak se njerëzit do t’i quanin “qorr”. Kjo mendësi nuk duket se ekziston më në shoqërinë shqiptare, e cila gjithmonë dhe më shumë po orientohet drejt syzeve optike. Mjeku okulist Petrit Xhafa, cili punon në një klinikë në Tiranë, në një intervistë për gazetën shpjegon disa nga problemet që kanë shqiptarët me sytë. Sipas mjekut, ashtu si në të gjithë botën, problem mbetet kompjuteri dhe telefonat për fëmijët, të cilët po shkojnë drejt një brezi që në të ardhmen do të mbajnë të gjithë syze optike.

Z. Xhafa, a mund të na thoni se cilat janë problemet më të shpeshta për sytë e njeriut?

Problemet më të shpeshta që paraqiten në klinikën tonë janë shkurtpamësia dhe largpamësia. Siç mund të kuptohet lehtë, janë shqetësime që ose ke probleme me shikimin nga larg ose me shikimin nga afër. Në tjetër shqetësim për sytë është katarakti ose siç quhet ndryshe perdja e syrit. Kjo perde pengon si shikimin nga afër por edhe shikimin nga larg. Një tjetër shqetësim është lodhja e syrit. Sot shumë fëmijë dhe të rinj qëndrojnë me orë të tëra përpara kompjuterit ose telefonit. Kjo bën që syri të lodhet dhe të shfaqë një shikim të dobët. Mjafton që një i ri apo një punonjës zyre pas disa minutave duke punuar përpara kompjuterit të kërkojë të shikojë në distancë dhe menjëherë do të shikojë që shikimi normal do të rikthehet pas disa sekondave. Një tjetër problem që sot po e kuptojnë shumë të rritur është mosmbajtja e syzeve në moshë të vogël. Nëse para 10 vitesh një fëmijë ka pasur luhatje të numrit të syrit dhe nuk është vizituar te një mjek për të marrë syze, sot ai numër është shumëfishuar që do të thotë nëse numri në fillim ka qenë -0.05, sot numri është nga -1 deri në -3. Kjo situatë e bën të domosdoshme mbajtjen e syzeve përgjithmonë, pasi në distancë me një numër kaq të ulët nuk mund të shikohet dhe gjithmonë me shpresën që numri të mos vazhdojë të shkojë drejt minusit ose pozitivit, pasi në të kundërt rrezikohet operacioni

Çfarë këshillash mund të jepni për fëmijët, adoleshentët apo individët që qëndrojnë me orë të tëra para kompjuterit?

Nuk ka këshillë më të mirë sesa vizita te një mjek okulist, i cili përcakton problemin (nëse ka) dhe të këshillon syzet që duhet të mbash. Mbajtja e syzeve përveç rregullimin të syrit, mundëson edhe shërimin e tij. Përveç syzeve ka dhe forma të tjera të cilat luajnë rol ndihmues për çfarëdolloj shqetësimi që mund të ketë syri i njeriut. Çdokush që qëndron qoftë edhe për disa orë në ditë para kompjuterit duhet që ta mbajë shikimin sa më larg ekranit. Kjo i lë mundësi syrit që të “shpërqendrohet” dhe të shikojë objekte të tjera që janë përreth. Po kështu, në momente të caktuara syri duhet të shkëputet nga ekrani dhe të shikojë sa më larg, objektin më të largët. Mirë është që të ruhet një kënd mes ekranit dhe syrit dhe ky kënd nuk duhet të jetë më i vogël se 20 gradë. Po kështu sytë mund edhe të stërviten. Përveç mëngjesit që është e domosdoshme për secilin sytë duhet të rrotullohen për disa sekonda nga e majta në të djathtë ose e kundërta.

A ka të dhëna të sakta se sa shqiptarë vuajnë nga problemet e syve dhe cilat janë kategoritë që mbajnë më shumë syze?

Të dhëna nuk ka, por në bazë të vëzhgimeve që kanë bërë organizatat e huaja, kanë zbuluar se janë rreth 70-80% e shqiptarëve të cilët kanë probleme me sytë. Një pjesë e mirë nuk e pranojnë që kanë shqetësim, duke i besuar shikimit të tyre, por nëse për një moment të vetëm do të provonin syzet, atëherë do të bindeshin. Një pjesë tjetër vizitohet rregullisht dhe sot mund të shikohet qartë që nuk është më ai mentaliteti që fëmija im ose unë nuk do të mbajë syze se do të më thonë qorr, ka shumë njerëz që mbajnë syze prej vitesh. Pjesa më e madhe e shoqërisë që është ndërgjegjësuar janë fëmijët e vegjël, kjo për shkak të ndikimit të prindit si dhe njerëzit që punojnë nëpër zyra, për shkak të kompjuterit. Driçim Çaka

 

 

Problemet më të shpeshta të syve

Shkurtpamësia

Shkurtpamësia ose miopia është e metë e shpeshtë, shkaktohet në rastet kur boshti i syrit (kërdhokulla e syrit) është më i gjatë sesa te syri normal. Në ketë rast shohim qartazi vetëm objektet që janë afër, kurse ato që i kanë larg nuk i shohim qartë, meqë rrezet e dritës priten përpara retinës (e jo në të).

 

Largpamësia

Largpamësia ose siç quhet ndryshe hipermetropia është e kundërt me shkurtpamësinë. Shfaqet në rastet kur boshti i syrit është i shkurtër, prandaj rrezet e dritës priten përtej retinës, kurse në lidhje me ketë edhe fytyra e objektit formohet përtej retinës. Njerëzit e tillë nuk i shohin qartë objektet e afërta, por, përkundrazi, ato të largëta.

 

Largpamësia e pleqërisë

Largpamësia e pleqërisë është pasojë e humbjes së elasticitetit të thjerrëzës së syrit për akomodim. Kjo e metë shfaqet tek njerëzit e moshës 45-50-vjeçare. Ky problem i syrit shkakton humbjen e aftësisë së syrit për të parë mirë në afërsi.

 

Trakoma

Trakomën e shkakton virusi që e sulmon mukozën e kapakëve të syrit. Trakoma bartet shumë lehtë prej një personi tek tjetri. Kjo sëmundje përhapet shumë shpejt në kushte jetësore johigjienike. Nëse sëmundja nuk shërohet me kohë paraqiten deformime të rënda të kapakëve të syrit, ashtu që më vonë mund të shkaktohet edhe verbësia.

 

Katarakti

Shfaqet kur thjerrëza bëhet e bardhë dhe e patejdukshme. Në këto raste thjerrëza e humb kthjelltësinë e vet.

 

Share it :