Shpallet fituesi/ “Lungomare” nis brenda vitit, Rama: Transformim rrënjësor të vijës bregdetare

Gëzim Saliu

 

Kryeministri: Do ta bëjmë Vlorën portën më të bukur të Mesdheut. Projekti shembull transformues për segmente të tjerë të vijës bregdetare të Shqipërisë

 

Rama ne vlorePërzgjidhet projekti fitues në konkursin ndërkombëtarë për vijën bregdetare të Vlorës, “Lungomare”. Projekti i studios “XDGA”, përfaqësuar nga Xaveer de Geyter, Belgjikë, është shpallur projekti fitues në aktivitetin që u zhvillua dje në teatrin “Petro Marko”, ku merrnin pjesë gjithsej 5 projekte finale. Konkursi për shëtitoren e Vlorës u shpall më 28 nëntor të vitit 2013, ku në faqen zyrtare të hapur për të u regjistruan rreth 110 studio vendase e të huaja e në finale u përzgjodhën gjithsej 5 projekte. Projekti “Lungomare” përfshin ndërtimin e një rruge pedonale për qytetarët dhe turistët përgjatë vijës bregdetare nga Pylli i Sojës deri në zonën e Ujit të Ftohtë. E ndërsa ka bërë të ditur se ekzistojnë financat e duhura që ky projekt të nisë brenda vitit, qeveria parashikon që ai të jetë gati për sezonin turistik të 2015-ës.

 

Rama

I pranishëm në aktivitetin e djeshëm, ku u përzgjodh edhe fituesi i projektit, Kryeministri Edi Rama tha se me “Lungomaren” nis transformimi rrënjësor i vijës bregdetare të këtij qyteti. Sipas tij ky projekt do të shërbejë edhe si një shembull transformues për t’u ndjekur më pas në segmente të tjera të vijës bregdetare të vendit. “Mirë se erdhët që të gjithë dhe jam i bindur se kjo ditë do të jetë me mbresa pozitive për të gjithë ju dhe se do doni të riktheheni përsëri në Vlorë, bashkë me të tjerë miq, sepse Vlora është një vend i bukur, të cilin ne të gjithë, së bashku, do ta bëjmë botërisht të njohur si një nga portat më të bukura të Mesdheut. Ky është një konkurs që na ndihmon t’i japim jetë idesë së transformimit rrënjësor të vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, që njëkohësisht do të jetë edhe një shembull transformues për t’u ndjekur më pas, në segmente të tjera të vijë bregdetare të Shqipërisë, por edhe një shembull transformues për sa i përket në tërësi politikës së qeverisë shqiptare lidhur me zhvillimin e integruar turistik, ekonomik, e padyshim, edhe social, të vendit tonë”, – pohoi kreu i qeverisë. Në këtë kontekst, Rama bëri të ditur se qeveria është e vetëdijshme për potencialin e madh që ka Vlora e sipas tij me këtë projekt nis një kapitull i ri për këtë qytet. “Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin e jashtëzakonshëm turistik që mbetet për t’u eksploruar e për t’u zhvilluar më tutje, me një vizion të ri, me forca të reja dhe kapacitete të bashkuara mes njerëzish të vendit tonë dhe njerëzish të Evropës e botës ku jetojmë”, – deklaroi Kryeministri. Ndërkohë në përfundim të konkursit, kur edhe u përzgjodh projekti fitues, zv.kryeministri Niko Peleshi theksoi se objektivi i qeverisë është që projekti të nisë zbatimin në vjeshtën e këtij viti. “Ky nuk është një projekt në letër, por do të ndodhë shpejt. Projekti i ka të gjithë garancitë dhe financimet për të filluar brenda këtij viti”, – u shpreh ai.

 

Zbardhet vendimi

Procedurat dhe kriteret për shlyerjen e borxhit ndaj bizneseve

Zbardhet vendimi i qeverisë për shlyerjen e prapambetura të borxheve ndaj biznesit. Sipas vendimit, pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve, shërbimeve, dorëzimin e mallrave dhe kërkesën për rimbursimin e TVSH-së, tatimfitimit. “Pagesat e rimbursimeve, pas verifikimit, do të kryhen kundrejt fondeve buxhetore të miratuara për këtë qëllim dhe sipas parimit hyrje e parë dalje e parë, duke u bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor) pavarësisht se kur është vlerësuar dhe miratuar nga ky i fundit”, – thuhej në vendim. Në këtë kontekst në të bëhej e ditur se pjesën më të madhe të detyrimeve të papaguara e përbëjnë punimet në infrastrukturë, në një vlerë prej 24.6 miliardë lekësh, ndërkohë që rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar përllogaritet të ketë akumuluar një borxh prej 12.84 miliardë lekësh. Po ashtu qeveria do të paguajë edhe 10 miliardë si rimbursim për tepricat e tatimit fitimit të paguara nga bizneset. Nga ana tjetër në vendim pohohet: “Fondet e caktuara për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nuk janë pjesë e buxhetit të miratuar për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme. Buxheti për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura do të identifikohet dhe menaxhohet nga Komiteti i Detyrimeve të Prapambetura (KDP)”.

 

Privatizimi i “Albpetrolit”

Gjiknuri: Blloqet e pashfrytëzuara shtetit, që do t’i japë me prokurim

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se qeveria mund të rihedhë në privatizim kompaninë “Albpetrol”, por saktësoi se forma e shitjes do të jetë e ndryshme nga rastet e mëparshme. “Nëse do shkohet tek privatizimi, kjo do të thotë se “Albpetrol” do të ketë të drejtat për licencat, por jo me të drejta mbi blloqe të pashfrytëzuara që normalisht duhet t’i ketë shteti dhe do t’i japë me prokurim kompanive të interesuara”, – deklaroi Gjiknuri, gjatë analizës vjetore të “Albpetrolit”. Gjiknuri kërkoi monitorimin e shoqërive që kanë marrë me koncesion fushat e “Albpetrolit”, ku, sipas tij, duhet të ndiqen detyrimet për pagesat ndaj punonjësve. “Albpetroli” është nga ndërmarrjet shtetërore me të ardhurat më të larta në vend. Kjo tregon për rëndësinë që ka kjo kompani për sektorin e naftës dhe se sa i rëndësishëm është mirë administrimi i kësaj ndërmarrje, duke sjellë më të mirat e mundshme edhe për publikun shqiptar”, – theksoi ministri.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share it :